Trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë nisur interevenimin nga ajri për shuarjen e zjarreve në Prevallë.
Një helikopter i tillë është parë duke intervenuar me ujë nga ajri në këtë zonë.
Fillimin e intervenimit të KFOR-it për Telegrafin e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Komunës së Prizrenit.
“KFOR-i sot ka filluar intervenimin nga ajri në Prevallë”, ka thënë shkurt drejtoresha për Emergjenca dhe Siguri, Ramize Sinanaj Shala.
Zjarret janë aktive prej disa ditësh në zonën e Prevallës.
Në njoftimin e fundit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës theksohej vazhdimi i angazhimeve për menaxhimin e vatrave të zjarrit në Parkun Kombëtarë “Sharri”, nga ekipet e brigadave të zjarrfikësve nga rajoni i Prizrenit, Prishtinës, Gjakovës, Ferizajt dhe Rahovecit, bashkë me institucionet tjera e vullnetarët.
“Shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit dhe pamundësisë së intervenimit të zjarrfikësve me makineri dhe me pajisje përkatëse”, thuhej në njoftimin e mbrëmshëm të AMMK-së.
Për shkak të terrenit të papërshtatshëm institucionet vendore patën kërkuar intervenimin e KFOR-it nga ajri.