Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Kina e Koreja e Jugut bien dakord për forcimin e lidhjeve dypalëshe e të multilateralizmit

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i vlerësoi lart marrëdhëniet e Kinës me Korenë e Jugut gjatë takimit me homologun e vet koreanojugor Chung Eui-yong në Xiamen të provincës Fujian të Kinës Juglindore të shtunën.

Chung ndodhej në Kinë për një vizitë dyditore që filloi të premten, e para nga një ministër i jashtëm i Koresë së Jugut në tre vjet.

Gjatë takimit, të dy zyrtarët e lartë vunë në dukje që të dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe të nxitin multilateralizmin, si dhe marrëveshjet shumëpalëshe si Partneriteti i Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP).

Kina është e gatshme të punojë me Korenë e Jugut për zgjidhjen politike të çështjes së Gadishullit Korean, tha Wang, duke u bërë thirrje të dy palëve që të mbrojnë së bashku multilateralizmin, sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe rendin ndërkombëtar të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare.

Duke theksuar se ekonomia kineze dhe ekonomia koreanojugore janë shumë të integruara, Wang tha se Kina është e gatshme të përshpejtojë sinergjinë strategjike, të rritë bashkëpunimin në tregjet e palëve të treta me Korenë e Jugut dhe të përfundojë sa më parë fazën e dytë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Kore e Jugut.

Ndërsa theksoi bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve në luftën kundër pandemisë, Wang gjithashtu u bëri thirrje të dy palëve për të forcuar bashkëpunimin në parandalimin e pandemisë, teknologjinë 5G, të dhënat e mëdha, ekonominë e gjelbër, inteligjencën artificiale, qarqet e integruara, energjinë e re e sektorin shëndetësor dhe shprehu shpresën se të dy vendet do të jenë partnere bashkëpunimi me cilësi të lartë në fusha të ndryshme.

Kina është gjithashtu e gatshme të punojë me Korenë e Jugut për të siguruar hyrjen në fuqi të RCEP-it, u shpreh Wang.

Lidhur me çështjen e Gadishullit Korean, Wang përsëriti qëndrimin e Kinës për krijimin e një mekanizmi të përhershëm paqeje dhe denuklearizimin nëpërmjet dialogut.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut Chung Eui-yong, nga ana e tij, ritheksoi se Koreja e Jugut e shikon Kinën si partneren e vet më të madhe tregtare dhe si një partnere të rëndësishme të bashkëpunimit strategjik.

Ai përsëriti angazhimin e Seulit për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkoreane, denuklearizimin e Gadishullit Korean dhe krijimin e mekanizmit të përhershëm të paqes, duke thënë se vendi i tij pret që Kina të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në këtë çështje.

Koreja e Jugut e mirëpret propozimin e Kinës për t’iu bashkuar Marrëveshjes së Gjithanshme dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit (CPTPP), tha Chung, i cili shprehu gjithashtu mbështetje për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 në Pekin.

Të dy palët ranë dakord të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh strategjike të nivelit të lartë midis dy ministrive të jashtme, si dhe raundin e parë të bisedimeve në nivel të zëvendësministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes në gjysmën e parë të vitit.

Sipas deklaratës, të dy palët kanë rënë dakord të krijojnë një mekanizëm për njohjen e ndërsjellë të kodeve shëndetësore, të zhvillojnë bashkëpunim mbi vaksinat dhe të zgjerojnë marrëveshjen e “kalimit të shpejtë”.

Postime të ngjashme

Sulmohet me raketa baza amerikane në Irak

Lea Muslija

Amerika bllokon pranimin e Ukrainës në NATO?

Lea Muslija

Rusia “zbutet” e para, kthen ambasadorin në Washington pas takimit Biden-Putin

Lea Muslija

Paralajmëron OBSH: Bëni kujdes, pandemia s’ka marrë fund

Lea Muslija

Tragjedi në Peru, përmbyset autobusi, të paktën 27 viktima

Lea Muslija

Palestinezët anulojnë marrëveshjen me Izraelin për vaksinat, thonë se janë shumë afër datës së skadimit

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...