Të mërkurën u zhvillua në Pekin ceremonia e hapjes e Forumit të 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”. Presidenti kinez, Xi Jinping, deklaroi se Kina do të mbështetë ndërtimin me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë” dhe për këtë qëllim janë përcaktuar tetë veprimet kryesore.
- Ndërtimi i rrjetit të ndërlidhjes të “Një brez, një rrugë”
Kina do të përshpejtojë zhvillimin me cilësi të lartë të trenave të mallrave Kinë-Europë, do të marrë pjesë në ndërtimin e Korridorit Trans-Kaspik të Transportit Ndërkombëtar, do të formojë me të gjitha palët kanalin e ri logjistik të Euroazisë me transport të drejtpërdrejtë hekurudhor dhe rrugor. - Mbështetja për një ekonomi të hapur botërore
Kina do të krijojë zonën pilot të bashkëpunimit të “Tregtisë elektronike në Rrugën e Mëndafshit”, do të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë e të mbrojtjes së investimeve me më shumë vende dhe do të heqë në mënyrë të gjithanshme masat kufizuese ndaj investimeve të huaja në sektorin e prodhimit.
Në pesë vjetët e ardhshëm (2024-2028), niveli i import-eksportit të tregtisë së mallrave dhe të shërbimeve pritet të arrijë përkatësisht mbi 32 trilionë dollarë dhe 5 trilionë dollarë. - Bashkëpunimi praktik
Banka e Zhvillimit e Kinës dhe Banka e Import-Eksportit e Kinës do të krijojnë secila kanale financimi prej 350 miliardë juanësh dhe Fondi i Rrugës së Mëndafshit do të shtohet me 80 miliardë juanë, me synim që të mbështetet bashkëndërtimi i projekteve të “Një brez, një rrugë”. Do të nxitet bashkëpunimi në arsim profesional. - Nxitja e zhvillimit të gjelbër
Kina do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin në infrastrukturën e gjelbër, energjinë e gjelbër dhe komunikacionin e gjelbër, dhe do të formojë mekanizmin e dialogut të sektorit fotovoltaik.Krahas kësaj, Kina do të zhvillojë trajnim për 100 mijë veta në vendet partnere para vitit 2030. - Nxitja e inovacionit teknologjik
Kina do të vazhdojë të zbatojë programin e inovacionit teknologjik “Një brez, një rrugë”, do të shtojë numrin e laboratorëve të përbashkët me të gjitha palët në 100 në pesë vjetët e ardhshëm dhe do të mbështetë shkencëtarët e rinj të palëve të ndryshme të punojnë për një periudhë afatshkurtër në Kinë. Kina është e gatshme për shtimin e komunikimit e për të nxitur bashkë me palët zhvillimin e rregullt dhe të sigurt të sektorit të inteligjencës artificiale. - Mbështetja për shkëmbimet njerëzore
Në bazën e krjimit të teatrit ndërkombëtar, festivalit artistik, muzeut, galerisë dhe librarisë të Rrugës së Mëndafshit, do të formohet edhe Aleanca e Qyteteve Turistike e Rrugës së Mëndafshit dhe do të vazhdojë programi i bursave qeveritare kineze “Rruga e Mëndafshit”. - Ndërtimi i një rruge të pastër
Kina, bashkë me vendet e tjera partnere, do të krijojë sistemin e vlerësimit të ndërmarrjeve dhe do të zhvillojë bashkë me organizatat ndërkombëtare studime dhe trajnim kundër korrupsionit. - Përmirësimi i sistemit të bashkëpunimit ndërkombëtar të “Një brez, një rrugë”
Me vendet bashkëndërtuese të “Një brez, një rrugë”, Kina do të shtojë ndërtimin e platformave të bashkëpunimit në energjetikë, tatim-taksa, financë, zhvillimin e gjelbër, pakësimin e fatkeqësive, antikorrupsion, grupet studimore, media dhe kulturë.
Ky vit shënon 10 vjetorin e paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”. Deri në qershorin e sivjetshëm, Kina kishte nënshkruar më shumë se 200 marrëveshje bashkëpunimi me mbi 150 vende dhe më shumë se 30 organizata ndërkombëtare brenda kësaj kornize.
“Kjo nismë u propozua nga Kina, por përfitimet dhe mundësitë ndahen nga e gjithë bota”, tha Xi në fjalën e tij.
Krerët e shteteve, të qeverive dhe përfaqësues të nivelit të lartë nga më shumë se 20 vende, si dhe organizata ndërkombëtare si sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dhe presidentja e Bankës së Re e Zhvillimit, Dilma Rousseff morën pjesë në ceremoninë e hapjes.