Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare janë themeli i marrëdhënieve Kinë-ShBA, tha ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao gjatë një takimi me sekretaren amerikane të Tregtisë Gina Raimondo, e cila po viziton Kinën nga 27 deri më 30 gusht.
Duke e pranuar rëndësinë e zhvillimit të dialogut të hapur e të frytshëm ndërmjet Kinës e ShBA-së në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, Wang dhe Raimondo njoftuan krijimin e kanaleve të reja të komunikimit ndërmjet Ministrisë së Tregtisë së Kinës dhe Departamentit të Tregtisë të ShBA-së.
Të dy palët nisën një mekanizëm të shkëmbimit të informacionit për kontrollin e eksporteve, për të shpjeguar sistemet e tyre përkatëse të kontrollit të eksporteve e për të përmirësuar komunikimin, duke pranuar të shkëmbejnë informacione për kontrollin e eksporteve në përputhje me ligjet e tyre përkatëse.

Wang dhe Raimondo ranë dakord të mbajnë komunikimin e rregullt, duke u takuar së paku një herë në vit.
Të dy palët diskutuan gjithashtu dhe ranë në një mendje se ekspertët nga të dy vendet do të angazhohen në këshillime teknike mbi mbrojtjen e sekreteve tregtare e të informacionit konfidencial të biznesit gjatë procesit të përmirësimit të dhënies së lejeve administrative.
Gjatë takimit me sekretaren e Tregtisë së ShBA-së Gina Raimondo, kryeministri kinez Li Qiang tha se marrëdhëniet ekonomike e tregtare kino-amerikane janë me dobi të ndërsjellë
Duke vënë në dukje se Kina është vendi më i madh në zhvillim dhe ShBA-ja është vendi më i madh i zhvilluar, Li tha se të dyja palët duhet të forcojnë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, të pakësojnë fërkimet e këndërvënien, të promovojnë rimëkëmbjen ekonomike globale e të përballen me sfidat globale së bashku shkruan CMG
Nga ana e saj, Raimondo vuri në dukje se administrata e presidentit Biden mbështet Kinën në zhvillimin e saj ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së popullit.
ShBA-ja nuk synon të frenojnë zhvillimin e Kinës ose të kërkojë shkëputje nga Kina, tha sekretarja amerikane e Tregtisë, duke u zotuar për vijimin e komunikimit, për të ruajtur marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare normale ndërmjet të dy vendeve dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
ShBA-ja është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të tilla si inteligjenca artificiale, ndryshimet klimatike dhe luftimi i çështjes së fentanilit, theksoi ajo.