Shkup, 19 korrik – Korrupsioni është një sfidë e vazhdueshme edhe për bizneset dhe për investitorët e huaj në Maqedoni. Ky është konstatimi i Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin për klimën e investimeve të huaja direkte për vitin 2023.
Raporti e thekson se të bësh biznes është përgjithësisht e lehtë në Maqedoninë e Veriut dhe korniza ligjore është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, por korrupsioni është problem serioz.
DASH paralajmëron investitorët e huaj potencial për “ndërhyrje të panevojshme ekzekutive, biznesore dhe politike në gjyqësor” si dhe mungesën e ndjekjes penale për rastet e Komisionit kundër korrupsionit që kanë në fokus zyrtarët e lartë.
“Qeveria ka mbetur prapa në zbatimin e reformave të mëdha kundër korrupsionit gjatë gjithë vitit 2023 për të përmirësuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit.
Zbatimi i marrëveshjeve dhe perceptimi për mungesën e transparencës në procedurat e prokurimit publik mbeten sfida për bizneset. Sondazhet në mënyrë të përsëritur kanë vënë në dukje praktikat e prokurimit publik si një nga burimet kryesore të korrupsionit.
… zbatimi i ligjeve kundër korrupsionit ka qenë shpesh i dobët dhe ka shënjestruar në mënyrë selektive kritikët e qeverisë dhe shkelësit e nivelit të ulët”, thuhet nga DASH.
Departamenti Amerikan i Shtetit ngre shqetësimin për procedurat e komplikuara burokratike për investitorët e huaj, ndryshimin e shpeshtë të ligjeve dhe mungesën e një instrumenti të unifikuar ku ata do të mund të informohen për ligjet dhe rregulloret.
“Maqedonia e Veriut nuk ka një “one-stop-shop” për Investimet e Huaja Direkte, duke u kërkuar investitorëve të lundrojnë nëpër disa procedura burokratike për të zbatuar investimet e tyre.
Nuk ka asnjë ligj të vetëm që rregullon investimet e huaja, as një faqe interneti “one-stop-shop” që ofron të gjitha ligjet, rregullat, procedurat dhe kërkesat e raportimit për investitorët.
…mjedisi i përgjithshëm rregullator i vendit mbetet kompleks dhe ndryshimet e shpeshta të rregullave dhe ligjeve, të shoqëruara me interpretimin jokonsistent të rregullave, krijojnë një mjedis të paparashikueshëm biznesi të favorshëm për korrupsion”, thonë tutje nga DASH.
DASH vlerëson se politikat e përgjegjshme të biznesit është një koncept i sapolindur në Maqedoni.
“Më parë, qeveria ka dështuar të zbatojë plotësisht ligjet në lidhje me të drejtat e punës, mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e mjedisit dhe ligje e rregullore të tjera që synojnë të mbrojnë individët nga ndikimet e pafavorshme të biznesit. Në mars 2024, Parlamenti miratoi një ligj që ndalon praktikat e padrejta të tregtimit që synon promovimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe konkurrencës së ndershme duke kufizuar marzhat tregtare në 2500 produkte ushqimore të zgjedhura”, theksohet nga DASH.