Pas përfundimit të mandatit të Alfred Ballës, KLP është mbledhur sot për të zgjedhur kryetarin e ri të Këshillit. Kandidate e vetme është anëtarja Mirela Bogdani, e cila ka prezantuar programin e saj.
Ajo tha që nëse do jetë kryetare e KLP-së do të bashkëpunojë me ndërkombëtarët dhe do të bashkërendojë me institucionet e tjera me drejtësinë.
“Për mua është tepër e rëndësishme puna me partnerët ndërkombëtarë, që kanë insistuar punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kanë vijuar mbështetjen. Do të vijoj punën me të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë. Do të punoj për rregullimin e infrastrukturës të zyrave të KLP. Një fokus tjetër do të jetë bashkëpunimi me KLGJ, bashkëpunimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe me shkollën e magjistraturës”.
Bogdani theksoi gjithashtu se synon të reformojë sistemin gjyqësor në bazë të meritokracisë dhe standardeve ndërkombëtare.
“Synoj të reformoj sistemin gjyqësor. Dëshiroj të përmbush të gjitha kushtet që ka vendosur BE, me qëllim që drejtësia në vend të bëjë përpara. Synoj të rris edhe nivelin e kapaciteteve njerëzore, ku do të merren parasysh kriteret e meritokracisë dhe standardeve ndërkombëtare, ashtu edhe t’i jap rëndësi statusit të nëpunësit civil. Një pikë tjetër është edhe etika, që të ketë jetësim tjetër standardi”.
Më 27 maj KLP konstatoi përfundimin e mandatit Alfred Ballës, i përjashtuar nga vettingu për 15 vite. Vendimi u mor me 9 vota pro dhe kundër vetëm të anëtares Nurihan Seitaj. Mbledhja e KLP-së u shoqërua me debate të forta.