Koçiu: Nga 250 milionë euro, sot 1 miliard euro buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale

nga D. V.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka përcjellë sot në rrjetet sociale një video me disa nga momentet e fjalimit ditën e djeshme në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u nënshkrua marrëveshja me qendrën spitalore universitare të ekselencës evropiane “San Raffaele” dhe universitetit  “Vita – Salute San Raffaele”, takim në të cilin ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

“Shqipëria që gjetëm, tek Shqipëria që po ndërtojmë. Fitorja e 11 majit na jep më shumë forcë për të ecur më shpejt në rrugën që kemi nisur. Sfida ka, rruga është e gjatë por ne kemi vizionin, energjinë dhe këmbënguljen se së bashku do të ndërtojmë Shqipërinë 2030”, shprehet ministrja e Shëndetësisë krahas pamjeve nga transformimi i infrastrukturës shëndetësore dhe modernizimi i shërbimeve për qytetarët.

Koçiu tha se kur qeveria socialiste mori detyrën, buxheti i shëndetësisë ishte vetëm 250 milionë euro, ndërsa sot me rritjen edhe të pjesës së Mbrojtjes Sociale është një buxhet historik prej 1 miliard eurosh.

“Kemi investuar dhe ndërtuar në këto vite plot 53 shërbime dhe spitale, prej të cilave 10 tërësisht të ndërtuara nga e para. Investimet janë shtrirë edhe në shërbimin parësor duke ndërtuar plot 400 qendra shëndetësore në mbarë vendin dhe duke transformuar mënyrën si ofrohet shërbimi shëndetësor në kujdesin parësor”, pohoi Koçiu.

Ministrja Koçiu shtoi se “kur morëm detyrën ulëm çmimin e barnave me 30%, ndërsa shtuam 200 medikamente të reja të rimbursueshme dhe barnave që shërbejnë për shumë të sëmurë kronikë”.

“Sot janë 210 mijë pensionistë të cilët marrin 100% barna të rimbursueshme. Një transformim rrënjësor edhe në shërbimin e urgjencës me 320 autoambulanca duke reduktuar edhe kohën e mbërritjes së ambulancës jo më shumë se 15 minuta”, pohoi Koçiu, teksa theksoi se paga e mjekut në 2013 ishte 490 euro, teksa sot paga mesatare e tyre ka arritur në 1670 euro.

“Paga mesatare e infermierit është 850 euro. Për këdo mjek që zgjedh të punojë larg vendbanimit ka një bonus prej 2500 euro mbi pagën. Ajo që ne synojmë është që QSUNT të shndërrohet në një nga qendrat më të avancuara në shërbimin shëndetësor në Ballkanin Perëndimor”, tha Koçiu.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More