Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri një “zbërthim” të shifrave dhe ndarjes së buxhetit 2025 të parashikuar për Shëndetësinë, në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
“Buxheti 2025 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është 103 miliardë e 375 milionë, pra 12.57 % e buxhetit të shtetit ose 3.94% e Prodhimit të Brendshëm Bruto shkon për Ministrinë e Shëndetësisë. Hera e parë që tejkalon vlerën 1 miliardë euro, krahasuar më buxhetin e vitit që po mbyllim është rreth 5% më i lartë se ai i vitit 2024″, u shpreh Koçiu.
Sipas saj, paketa e vitit 2025 mbështetet mbi tre shtyllat kryesore.
“Së pari, rrisim mbulimin universal për qytetarët, duke reduktuar kostot, zgjeruar shërbimet dhe aksesin pranë vendbanimit. Së dyti, buxheti rithekson rolin e rëndësishëm që kanë mjekët, infermierët dhe gjithë profesionistët e shëndetësisë duke përmirësuar më tej kushtet e punës dhe rritjen e shpërblimeve për ta. Së treti, buxheti vjen me një paketë investimesh të rëndësishme, çka do të hapë shumë kantiere të reja dhe do të modernizojë të gjithë infrastrukturën në sistemin shëndetësor”, tha ajo.
“Ky buxhet e vendos theksin në reformën e autonomisë spitalore që synon nxitjen e shembujve të suksesshëm të vetë menaxhimit dhe meritokracisë, të modelit të praktikave duale dhe rritjes së shërbimit dhe shkurtimit të kohës së pritjes për pacientët. Sa i përket shëndetësisë, totali i buxhetit është 75 miliardë lekë ose rreth 9.1% e shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit të shtetit. Projektbuxheti që kemi paraqitur reflekton shtesën 3.2 miliardë lekë të shpenzimeve, si rezultat i rritjes së pagave në korrik të vitit 2024. Me këtë rritje në pesë vitet e fundit i janë shtuar shëndetësisë rreth 100 milionë euro shpenzime korente. Kjo rritje që i çon pagat për disa kategori rritjesh i çon në 120% rritje dhe është në përputhje me premtimin që kemi dhënë për të rikthyer dinjitetin e mjekut dhe infermierit dhe për t’i vendosur ata në qendër të transformimeve shëndetësore”, u shpreh Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se buxheti 2025 reflekton edhe qasjen e kësaj ministrie për të përmirësuar infrastrukturën, por edhe shërbimet në të gjithë sektorin e shëndetësisë në vend.
“Synojmë këtë vit të përmirësojmë shërbimet diagnostikuese dhe parandaluese. Buxheti parashikon kryerjen e 7.6 milionë vizitave të parashikuara në sistemin parësor. Lufta kundër diabetit, fishat do të rimbursohen për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç, për invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar. Do të forcojnë kontrollin bazë 35-70 vjeç duke përforcuar ndërgjegjësimin dhe parandalimin. Do të mbështesim rimbursimin e barnave për 400 mijë qytetarë me një vlerë prej 130 milionë euro, një rritje gati 5% krahasuar me vitin e kaluar”, shtoi ministrja Koçiu.
“Ky buxhet do vazhdojë të mbështesë programin trevjeçar për rehabilitim të plotë të 107 qendrave shëndetësore të reja në të gjithë vendin për periudhën 2025-2027. Shërbimi në kujdesin dytësor, do të mbështesë 317 mijë pacientë në pesë spitalet terciare dhe 12 rajonalet djhe 27 spitalet bashkiake. Do të mbështesim trajtimin me dializë për qytetarët që kanë nevojë për të, do financojmë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë me 10 mijë përfitues në QSUT, Shefqet Ndroqi dhe dy spitale rajonale. Do mbështesim zgjerimin e paketës së veshkës, kataraktit, radioterapinë dhe shumë shërbime të tjera. Dua të nënvizoj mbështetjen në 2025 për paketën e fertilitetit që shkon direkt në dobi të çifteve të reja si mbështetje për 150 familje të reja. Sa i takon shëndetit publik, përforcojmë fushatat e depistimit për dy tumoret, atë të gjirit dhe atë të qafës së mitrës. Synohet të realizohet vaksinimi për 190 fëmijë sipas kalendarit, për gripin sezonal për 250 mijë persona. Për mbrojtjen sociale janë dedikuar 300 milionë euro, ndërsa qëllimi i programit është zhdukja e varfërisë ekstreme dhe garantimi i një standardi minimal jetese të denjë për gjithë qytetarët, i ndarë në pagesa cash dhe shërbime sociale. Mbështesim 62 mijë familje me ndihmë ekonomike, 91 mijë persona me aftësi të kufizuar. Skemës për personat me aftësi të kufizua i janë pakësuar 72 mijë invalidë pune, pasi këto pagesa ata i marrin nga ISSH, tashmë”, tha Koçiu.
Ministrja shtoi se bonusi i bebes do të vazhdojë i pandërprerë me një vlerë në buxhet prej 2.3 miliardë lekësh.
“Bonusi i bebes llogaritet në vlerën 2.3 miliardë lekësh, ndërsa vazhdon mbështetja për gratë kryefamiljare me një vlerë financimi prej 800 milionë lekë. Institucionet e përkujdesit social do të financohen me një vlerë prej 1 miliardë e 290 milionë lekë që shkojnë për foshnjat, të moshuarit etj. Fondi Social me një 410 milionë lekë për 80 shërbime na bashkitë e vendit 148 persona të kategorive në nevojë që do të punësohet nga ndërmarrjet sociale për vitin 2025. Pagesa për ish-të Përndjekurit Politikë me vlerë 1 miliardë 449 milionë lekë”.
