Agjencia Zhurnal.mk

Kokëdhima: Krizën nuk e zgjidhin vetëm tri liderët e partive të tranzicionit

Tiranë, 24 qershor – I ftuar në TVSH, në emisionin “Përballë” të moderatorit Lutfi Dervishi, kryetari i Partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima ka folur për situatën aktuale politike. Sipas tij, kriza politike në Shqipëri, është ciklike dhe një fenomen i kultivuar në vite nga elitat politike, të cilat nuk e duan integrimin e vendit në BE. “Sot kemi një narkoshtet të izoluar ndërkombëtarisht, qoftë nga pikëpamja diplomatike, qoftë nga pikëpamja ekonomike”, deklaron ndër të tjera Kokëdhima.

Kokëdhima, në fjalimin tuaj në Kongres ju theksuat që ‘Zgjidhja’ është partia e katërt në vend, për nga numri i anëtarëve dhe mbështetja në popull. Por është e para për nga projekti, vizioni dhe qëllimet. Nëse në këtë katërshe largojmë Partinë Socialiste si pjesë e qeverisë dhe partisë së madhe, i bie që në llogaritë tuaja, “Zgjidhja” është pas PD-së dhe LSI-së.

Po, sigurisht.

Por nuk e shohim në terren. Në format klasike, siç e kemi parë politikën në Shqipëri dhe ndonjëherë ‘Zgjidhja’ duket sikur është më tepër një Think-Tank, që ofron analiza të mira dhe receta, sesa një lëvizje që kërkon pushtetin. Ndoshta dhe me pak forcë.

Kjo ka lidhje me situatën dhe me kushtet konkrete historike. Partitë dhe zgjedhjet këtu janë të kapura, qeveria është e kapur, pushtetet dhe institucionet e tjera, gjithashtu. Aksioni elektoral do të ishte i përshtatshëm në një mjedis demokratik. ‘Zgjidhja’ ka bërë një punë shumë të madhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik, për të vërtetën e vendit tonë dhe për t’u treguar shqiptarëve rrugën e daljes nga kjo gjendje e pashpresë. Ne kemi një narkoshtet të izoluar ndërkombëtarisht, qoftë nga pikëpamja diplomatike, qoftë nga pikëpamja ekonomike. Sot ‘Zgjidhja’ nuk ka prioritet luftën për marrjen e pushtetit. Ajo është e përqendruar në luftën për ndryshimin e sistemit dhe çlirimin e zgjedhjeve. Ky është objektivi kryesor i saj në këtë periudhë të historisë tonë.

Sot 13 vende të Bashkimit Evropian, kanë nisur një proces, “non-paper”, i thonë, për të avancuar mundësinë që Shqipëria, të marrë hapjen e negociatave. A ndodhemi në një pozitë paradoksale, ku shtete si Italia, Austria, Çekia, vendet Baltike, rreshtohen dhe bëjnë lobim që Shqipëria të hapë negociata, ndërsa ne nuk jemi të aftë të negociojmë me njëri-tjetrin?

Do të ishte diçka shumë e lumtur që ne të përparonim drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, sepse kjo do të ishte një energji e re, edhe për transformimet demokratike që duam në Shqipëri. Por, nuk kam besim që kjo mund të ndodhë, në terma afatshkurtra. Nuk është e mundur të ndodhë, sepse procesi i integrimit është një proces plotësimi kushtesh dhe standardesh. Elita jonë politike, jo vetëm që nuk e integron Shqipërinë, por e largon nga Bashkimi Evropian. Nuk e besoj që elita politike e Shqipërisë ka vullnet për ta integruar vendin. Është tjetër gjë mënyra se si flasin politikanët dhe tjetër gjë mënyra se si veprojnë. Një nga kushtet e hapjes së negociatave është reforma zgjedhore. Ky kusht nuk është plotësuar vetëm për mungesë vullneti. Si nga Partia Socialiste ashtu dhe nga Partia Demokratike. Politikat e tyre janë të mbyllura, të pasinqerta, përjashtuese dhe jotransparente. ‘Zgjidhja’ punon për të ngritur një proces dialogu ndërshqiptar gjithë përfshirës e konsensual.

Kokëdhima, ju folët në analizën tuaj pak më përpara për një situate të rëndë, ose nga pikëpamja institucionale, më e keqe që ka kaluar ndonjëherë Shqipëria. Në gjykimin tuaj kthimi në një normalitet, në një mjedis demokratik, bëhet dot nga aktorët vendas, apo kemi nevojë për një ndërhyrje nga jashtë, për të kthyer një lloj normaliteti.

Ne kemi nevojë për bashkëveprimin e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Zgjidhja nuk mund të importohet, nuk mund të vijë nga jashtë. Ne e kemi theksuar shumë herë këtë gjë. Zgjidhja e kësaj situate duhet të vijë nga brenda. Nga ndërgjegjësimi i opinionit të gjerë publik dhe i njerëzve të mençur që ka Shqipëria. Njerëzit nuk po e kuptojnë se shteti, ekonomia, liritë dhe të drejtat tona janë marrë peng nga tre-katër burra dhe nga nevojat e tyre për pushtet dhe pasurim. Kjo është një përgjegjësi e rëndë për shqiptarët, sepse nuk është se na kanë pushtuar të huajt. Nuk na kanë pushtuar shtete dhe fuqi të mëdha botërore. Ne jemi gjithashtu peng i këtij sistemi antidemokratik të krijuar në vite.

Pra, ju zgjidhjen e shikoni në përmbysjen e elitës aktuale politike dhe daljen e diçkaje të re, apo brenda faktorëve aktualë që janë?

Ne zgjidhjen e shikojmë te reforma komplekse e sistemit politik të Shqipërisë; te demokratizimi i Shqipërisë, prej të cilës pastaj do të burojë përtëritja paqësore e elitës politike. Ne nuk mendojmë se mund të ikë kjo elitë dhe të vijë një tjetër që ta bëjë Shqipërinë demokratike. Por, ne besojmë në një proces demokratizues dhe gjithëpërfshirës. Nuk mundet që ta zgjidhim situatën e rëndë të Shqipërisë, vetëm tre liderët e partive historike të tranzicionit. Ata i gjenerojnë krizat. Për momentin kanë edhe gurin edhe arrën në dorë.

Si do ia heqësh gurin ose arrën nga dora?

I kemi ftuar për të kuptuar se situata e Shqipërisë po degjeneron dhe degradon çdo ditë. Në këtë proces mendojmë se duhet ndërgjegjësuar i gjithë faktori i brendshëm, duhet ndërgjegjësuar edhe faktori i jashtëm, i cili, për hir të së vërtetës duhet thënë, se shpesh herë ka mbajtur anën e autokratëve të Tiranës. Nuk ka mbështetur zhvillimet e mirëfillta dhe me standarde të demokracisë në Shqipëri.

Ju keni lëshuar edhe akuza të rënda ndaj ndërkombëtarëve. Keni thënë që Bashkimi Evropian po mbështet autokracinë. Për hir të stabilitetit ka mbyllur sytë. Por pyetja ime ka të bëjë me një model që na dhanë ndërkombëtarët. Nëse nuk do të ishte presioni i hapur i ndërkombëtarëve, ne nuk do t’i ishim futur reformës në drejtësi. A mendoni se ndoshta do të duhet që ndërkombëtarët, të luajnë në një formë apo në një tjetër, të njëjtin rol edhe për reformën zgjedhore, një nga kërkesat kryesore tuaja, për ta çliruar, siç thoni, nga kthetrat e kryetarëve të partive?

Reforma në drejtësi nuk ka për të dhënë kurrë rezultatet e dëshiruara, në qoftë se nuk shoqërohet me reformat e tjera demokratizuese të Shqipërisë.

Por ama këtë nuk e bëmë vetë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se reformën në drejtësi nuk e bëmë prej ndërgjegjësimit, nuk e bëri vajtja e thikës në palcë, nuk e bëri trashja e zullumet në gjyqësor, e bëri ndërhyrja dhe presioni ndërkombëtar. Pyetja është për të tjerat.

Jam shumë dakord. U bë nga presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Bashkimit Evropian. Pa dyshim që ne kemi nevojë për këtë mbështetje edhe për transformimet e tjera politike që duhen bërë në Shqipëri. Reforma në drejtësi do të japë efektet e saj maksimale, vetëm nëse do të aplikohen reformat e tjera demokratike. Reforma kushtetuese do të garantojë liritë republikane dhe ndarjet e pushteteve. Reforma zgjedhore do të plotësojë standarde, që duhet të ishin realizuar shumë kohë më përpara. Depolitizimi i administratës zgjedhore do të shoqërohet me vendosjen e një sistemi të kombinuar mazhoritar me proporcional kombëtar me qëllim që 70 për qind e deputetëve të zgjidhen me sistem mazhoritar me lista të hapura. Proporcionali kombëtar për 30 për qind të vendeve do garantojë përfaqësim adekuat të votuesve shqiptarë në një parlament të vërtetë pluralist. Partitë duhen demokratizuar me ligj etj. Në këto çështje duhet të përqendrohet politika e brendshme.

Ju thoni që demokratizimi i partive politike, nuk duhet lënë në vullnetin e partive, si njësi autonome, por duhet bërë me ligj?

Patjetër.

Pra kërkoni një element ndëshkimor, një element force, detyruese. Për reformat e tjera të mëdha, që ju thoni, që duhet të shoqërojnë reformën në drejtësi, si reforma zgjedhore, reforma në administratë, e shikoni ju që ka energji të brendshme dhe dëshirë për t’i bërë vetë, apo do të duhet sërish imponim nga jashtë?

Shqipëria ka tri parti që kontrollojnë gjithçka dhe një sistem zgjedhor që nuk lejon parti të tjera. D.m.th, sistemin e kanë bërë të tillë që të mos lejojë të lindi asgjë jashtë kontrollit të tyre. Tani këta tre njerëzit që vendosin gjithçka në këtë vend i kanë marrë peng partitë e tyre politike, i kanë kapur, i kanë kthyer si të ishin pronat dhe shpk-të e tyre. Partitë politike në Shqipëri janë organizata kriminale.

Të gjitha partitë?

Të gjitha partitë që kanë qeverisur tranzicionin e Shqipërisë, janë të kriminalizuara deri në palcë. Mund të rendisim shumë krime të rënda të tyre. Kanë shkatërruar administratën e shtetit, kanë shkatërruar institucionet e shtetit, kanë shkatërruar zgjedhjet. Detashmentet e tyre janë detashmente kusarësh, ku pasi plaçkitin zgjedhjet, kthehen dhe plaçkitin shtetin. Plaçkitin të mirat dhe burimet e këtij vendi. Këto parti nuk kanë asnjë element demokratik në jetën e tyre të brendshme. Asnjë! Demokratike kanë vetëm retorikën e kryetarëve. As listat e anëtarëve të partive nuk u vihen në dispozicion konkurrentëve të kryetarëve. Çfarë u duhet këtyre tre-katër kryetarëve të partive për të vazhduar ta mbajnë gjithmonë peng Shqipërinë? Për ta mbajtur për jetë peng parlamentin? Për të vazhduar tërë jetën ta mbushin këtë parlament me servilë e puthadorë të tyre? Çfarë u duhet? Asgjë tjetër nuk ju duhet përveç se të ruajnë kontrollin mbi partitë e tyre dhe të mbajnë në këmbë këtë sistem e proces zgjedhor. Asgjë tjetër, po e përsëris. Me këtë sistem, në politikën e Shqipërisë nuk hyn dot asnjë njeri tjetër. Nuk zgjidhet dot asnjë person, jashtë vullnetit të këtyre tre kryetarëve të partive. Nuk zgjidhet dot asnjë këshilltar edhe në bashkinë më periferike të Shqipërisë.

Si zhbllokohet situata?

Duhet Pakt Kombëtar.

Nëse flisni për Paktin Kombëtar kjo do të thotë që këto tre parti të jenë pjesë e paktit?

Sigurisht duhet të jenë pjesë e paktit.

Organizata kriminale siç thoni ju. Atëherë ku ishim?

Po patjetër, sepse kjo është Shqipëria. Na duhet të ngremë një sistem demokratik. Ky sistem demokratik dhe liritë që gjenerohen prej tij, do i japin mundësi popullit që të përtërijë këtë elitë drejtuese. Nuk besoj se një fuqi ndërkombëtare do të imponojë largimin e këtyre liderëve dhe demokratizimin e Shqipërisë.

Kokëdhima, ju e njihni mirë politikën, por nëse hedhim sytë rrotull, shikojmë që Tsipras në Greqi, ‘Pesë Yjet’ në Itali, ‘Podemos’ në Spanjë, lëvizje të tjera që nuk është se kanë dashur shumë kohë, nga 2 deri në 5 muaj dhe janë kthyer në lëvizje popullore në parti parlamentare. Pse Shqipëria nuk e ka këtë, ose duket që nuk e ka këtë tharm për lëvizje të reja politike. Pse ‘Zgjidhja’ nuk është në këtë shtrat?

Sepse nuk është demokratike Shqipëria. Sepse Shqipëria nuk ka asnjë hapësirë që loja politike të zhvillohet mbi vlera, mbi parime, mbi platforma, mbi ide. Shqipëria është e kapur. Edhe korrupsioni nuk është ves i elitës. Korrupsioni tek ne është epidemi. Korrupsioni prek detashmente të tëra, dhjetëra e qindra mijë njerëz të këtyre partive. Kjo është Shqipëria jonë, e vogël dhe pa burime njerëzore, me një inteligjencë të kompromentuar, me një inteligjencë të frikësuar, me një inteligjencë të kompleksuar, me një inteligjencë të varur. Shqipëria nuk ka energji të brendshme që të bëjë ato zhvillime që do të duheshin.

Kokëdhima: Ne na duhen zgjedhje të reformuara dhe jo rotacioni i pushtetit

Në intervistë, Kokëdhima ndalet edhe te alternativa që ofron Partia Zgjidhja për të ardhmen demokratike të vendit. Sipas tij, platforma dhe idetë e hedhura nga “Zgjidhja”, sot janë përvetësuar nga shumë aktorë të rinj që po i zhvillojnë ato, sikundër kanë pushtuar edhe studiot televizive, gjatë mbrëmjeve ku diskutohet situata politike në vend.

Nëse Shqipëria është kështu siç thoni ju, çfarë iu bën ju të qëndroni në Shqipëri?

Është vonë për mua që të mendoj një alternativë tjetër për pjesën tjetër të jetës time.

Po për fëmijët tuaj?

Fëmijët e mi janë qytetarë të Europës. Dëshira ime si e çdo prindi tjetër është t’i kem pranë e t’i shoh përditë. Nga ana tjetër unë do vdes optimist dhe luftëtar. Kështu do mbetem deri në ditën e fundit të jetës. Kam besim tek e ardhmja e Shqipërisë, pavarësisht vështirësive të mëdha dhe situatës kritike në të cilën ajo ndodhet.

Në këto 20 minuta, asnjë grimasë optimizmi nuk shfaqët?

Jo. Ju duhet ta shikoni këtë te puna, te lufta dhe te përpjekjet që ne bëjmë. Ne kemi sakrifikuar interesa shumë të mëdha ekonomike e financiare dhe qetësinë personale, jemi përfshirë në një luftë të pakompromistë me të gjitha qeveritë dhe me tërë njerëzit e gjithëpushtetshëm të këtij vendi, kemi paguar kosto të jashtëzakonshme për të mbrojtur interesat publike dhe kauzat e mëdha të popullit tonë. Këtë e kemi bërë sepse besojmë tek e ardhmja demokratike e popullit tonë. Ne nuk do tërhiqemi nga këto qëllime. Nuk do thyhemi në asnjë rrethanë. Në dy vite e gjysmë jetë të lëvizjes sonë politike kemi bërë një punë shumë të madhe. Nuk po kërkojmë asnjë meritë për këtë. As për vete dhe as për kolegët e mi në Partinë ‘Zgjidhja’. Platforma, tezat, idetë, konceptet dhe programet tona, fillimisht dukeshin si metafora, të parakohshme dhe si utopira. Por sot, tezat tona janë bërë kaq popullore, i dëgjon çdo natë në gojë të tjera dhe në çdo studio televizive. Tani ka shumë aktorë të rinj, që po i zhvillojnë të gjitha këto shtylla të platformës politike të partisë ‘Zgjidhja’. Mund të konstatojmë se këto probleme thelbësore të Shqipërisë projekti jonë i ka shtruar për zgjidhje. Dhe, siç thuhet në matematikë, shtrimi i drejtë i problemit është gjysma e zgjidhjes së tij.

E keni fjalën për nismën #Thurja apo…

E kam fjalën edhe për nismën #Thurja, sigurisht. E kam fjalën edhe për dhjetëra gazetarë, drejtues programesh dhe intelektualë të angazhuar. E kam fjalën edhe për partitë e vjetra që i marrin këto teza herë pas here jo për t’i zbatuar, por për t’i relativizuar. Unë e kam fjalën këtu edhe për mjaft studiues të huaj, diplomatë dhe kancelarë, që i artikulojnë këto reforma për ditë e më shumë si jetike dhe si rrugëdalje nga kjo situatë për Shqipërinë. Edhe një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, deklaroi këto ditë se opozita duhet të bashkëpunojë me qeverinë për reformën zgjedhore. E vuri theksin pikërisht te kjo plagë e rëndë. Gjendja që po përjetojmë tani është anormale, atipike, e paprecedentë.

Nëse mund të flasim për dy hapa, le të themi, zgjidhje afatshkurtër dhe zgjidhje afatgjatë, për çfarë do të ishte ‘Zgjidhja’?

Votimet nuk janë zgjidhje për Shqipërinë.

E keni fjalën për 30 qershorin?

As 30 qershori dhe as 30 tetori, në qoftë se do ishte si 30 qershori. Këto lloj zgjedhjesh nuk sjellin progres në jetën e Shqipërisë. Ne na duhen zgjedhje të reformuara dhe jo rotacioni i pushtetit. PD dhe LSI nuk kërkojnë reformimin e zgjedhjeve, duan thjesht pushtetin dhe zgjedhjet e kapura. Rama është plotësisht i diskredituar. Qeveria e tij mafioze është moralisht e vdekur. Por, nëse zgjedhjet nuk reformohen, më mirë të rrinë atje ku janë qeveria e Ramës dhe ky moçali i politikës. Kriza dhe konfliktet do thellohen dhe shteti do shkojë drejt falimentimit të plotë. Kjo do na angazhojë të gjithëve për zgjidhjen e vërtetë. Rotacioni i pushtetit pa demokratizimin e zgjedhjeve do jetë mirazhi i radhës, mashtrimi i ri dhe një iluzion e zhgënjim tjetër që do e zgjasë edhe 20 vjet të tjera tranzicionin. Nuk do i kurojë rrënjët e krizës. Do e lërë kancerin në trupin e shtetit shqiptar.

Partia juaj ka një emër që quhet ‘Zgjidhja’. Nga analiza që ju bëni, ka plot përkrahës, ka edhe kritikë që thonë që është edhe më zi seç e bëni ju. Çështja është si do të dalim? Nuk funksionon administrata, nuk ka “check and balance” të pushteteve, nuk ka konkurrencë, ekonomia është e bllokuar. Kemi një situatë shumë reale. Ju thoni që duhet Pakti, ose përndryshe këtë do ta zgjidhë vetë populli, në mënyrën e tij anarkike e kaotike. Në ç’formë e shikoni kaosin dhe pse?

Në qoftë se Shqipëria nuk gjen rrugën, ajo do të shkojë në kaos dhe në dështim akoma më të rëndë. Shqipëria e ka humbur rrugën. Kush kërkon të na manipulojë dhe të na mbajë në gjumë, nuk e bën këtë për të mirën e popullit shqiptar.

Këtu e keni fjalën për të huajt?

E kam fjalën për qeverinë, e kam fjalën për institucionet e shtetit shqiptar, e kam fjalën për inteligjencën e Shqipërisë që është përgjegjëse për të ndriçuar mendërisht dhe shpirtërisht popullin tonë, e kam fjalën dhe për ata që janë miq të Shqipërisë apo që ndihen si të tillë. Të gjithë këta kanë përgjegjësi për këtë situatë. Ne prezantuam Paktin Kombëtar, që në fakt është një paketë propozimesh. Ajo paketë ka synim të reduktojë pushtetin e këtyre tre-katër njerëzve që na kanë marrë peng dhe t’ia kthejë këtë pushtet popullit.

Kokëdhima, ju flisni për pakte, flisni për zgjidhjen që duhet kërkuar me njerëzit që janë pjesë e problemit.

Duhen përfshirë të gjithë.

Nga ana tjetër qeveritë autokratike të Tiranës, nuk rrinë dot asnjë ditë në këmbë, pa mbështetjen financiare, politike dhe ushtarake të perëndimit?

Është e vërtetë.

Pse Perëndimi është i interesuar të mbështesë qeveri autokratike dhe të korruptuara?

Qëndrimet e perëndimit në përgjithësi janë udhëhequr nga stabilokracia dhe jo nga vlerat demokratike europiane. Prandaj dhe jemi kritikë me Bashkimin Evropian, sepse nuk ka bërë sa duhet që në Shqipëri të sundojnë vlerat demokratike të shoqërive të civilizuara të perëndimit. Ata mbyllin sytë për hir të stabilitetit. Ne nuk themi që stabiliteti është diçka e keqe. Ne nuk themi që stabiliteti nuk ka rëndësi të madhe. Por, themi një gjë tjetër. Që stabiliteti në kurriz të demokracisë është fals. Nuk është një stabilitet i vërtetë. Fakti që Shqipëria shkon nga kriza në krizë, besoj se duhet të na bindë për këtë argument. Shqipëria ka një tranzicion të mbushur me kriza. Vetëm këto 10-12 vitet e fundit kemi pasur mbi 6 bojkote parlamenti, dy greva urie, dy shtyrje zgjedhjesh dhe djegien e padëgjuar të mandateve. Për çfarë ndodhin të gjitha këto? Ndodhin sepse kryetarët e partive e kanë kthyer Shqipërinë në plaçkë dhe sulltanat të tyre.

Çfarë do t’i detyronte sulltanët e partive të hiqnin dorë nga pushteti i tyre?

Duhet ndërgjegjësim dhe një presion i madh nga poshtë. Së dyti, ndërgjegjësimi i faktorit ndërkombëtar dhe rritja e presionit të tij. Shqipëria po bie çdo ditë, kush nuk e shikon këtë është ose qorr, ose i papërgjegjshëm. Shtetet rrinë në këmbë e fuqizohen në qoftë se janë të afta të përmbushin misionin e tyre dhe të bëjnë ekonomi të fortë e konkurruese, të bëjnë drejtësi, institucione të besueshme dhe zhvillim të gjithanshëm. Shtete që nuk i bëjnë dot këto janë të destinuara të shpërbehen dhe të shuhen. Ne duam që shteti ynë të forcohet, që kombi jonë të lulëzojë dhe populli ynë të jetojë i lumtur dhe i begatë në atdheun e tij. Prandaj kemi nevojë për një pakt të madh, për një fillim të ri, për një ndryshim të madh. Duhet të ndryshojmë. Nuk mund të mashtrojmë më veten.

Diskursi politik në Shqipëri, zakonisht dominohet nga personalitetet dhe nga personat. Edhe ju nuk i keni shpëtuar dot marrjes në mënyrë individuale me emrat. Po lexoj vetëm tre katër fjali. “Basha nuk kërkon të zgjidhë krizën, kërkon tepsinë”. “Basha e ka ngrënë turpin me bukë”. “Veliaj është i pa kulturuar dhe i pa shkollë”. “Erion Veliaj është Fake Leader”. “Veliaj është dashnor i kullave të betonit”. “Shqipëria është narkoshtet”. Pse duhet të përqendrohemi në debat rreth personave dhe liderëve dhe jo drejt institucioneve, çështjeve dhe politikave? Pse edhe ‘Zgjidhja’ ka rënë në këtë grackë?

Nuk kemi rënë në asnjë grackë. Ne deklarojmë faktet dhe përgjegjësitë e njerëzve të gjithëpushtetshëm të vendit. Kur i drejtojmë gishtin Lulzim Bashës, e bëjmë këtë gjë sepse ai dhe partia e tij kanë një përgjegjësi shumë të madhe për situatën e rëndë të Shqipërisë. Kështu bëjmë edhe për të tjerët. Me vërtetësi dhe etikë. Ne u kemi ofruar bashkëpunim të gjitha palëve. I kemi ftuar që të ulemi dhe të gjejmë zgjidhjen, sepse Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve. Nuk është vetëm e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt. Sot institucioneve tona ju imponohet vullneti i tre-katër njerëzve. Këta janë Dinastia e Re e Shqipërisë. Ne duam që pushteti i kësaj dinastie të bjerë dhe të ngrihet pikërisht sundimi i ligjit dhe pushteti i institucioneve të shtetit.

Ku e shikoni Partinë ‘Zgjidhja’ të testuar në beteja elektorale?

Kur marrim vendime nuk udhëhiqemi nga interesi partiak, por nga interesi kombëtar. Bojkotimi i zgjedhjeve është një sakrificë e jashtëzakonshme. Sepse një parti e re rritet vetëm përmes betejave elektorale.

Por këto janë zgjedhjet e dyta që bojkotoni.

Këto nuk janë zgjedhje, prandaj i bojkotojmë. Nëse në vitin 2017 do të ishte dëgjuar apeli ynë për të bojkotuar e bllokuar zgjedhjet e pareformuara të 25 qershorit, do ishte kursyer kriza e rëndë në të cilën jemi zhytur tani. Zgjedhjet më parë duhet të reformohen dhe të demokratizohen. Duhet të ikin të gjithë komisionerët e partive dhe të vendoset një KQZ tërësisht e pavarur. Po të qe dëgjuar apeli ynë dy vjet më parë, sot do të kishim hapur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian. Por kjo nuk u bë. Pse? Sepse u pëlqeu tepsia, sepse në vend të reformës zgjedhore u bë kompromisi PS-PD për të ndarë pushtetin në tavolinë. Shikoni se ku na sollën.

Do të bëhet më keq para se të bëhet më mirë, apo do të bëhet më mirë?

Ne do të luftojmë që të bëhet më mirë. Më vjen shumë keq që nuk po kemi mundësi të debatojmë platforma, ide, programe e reforma, ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore, të cilat do të begatonin tregjet dhe do të bënin një zhvillim të shpejtë e të shëndetshëm të Shqipërisë. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë shqiptarët. Me njerëzit e ndershëm dhe me mëkatarët. Kjo për hir të interesave të vendit. I ftoj të gjithë qytetarët dhe veçanërisht inteligjencën, t’i përqafojnë tezat e ‘Zgjidhjes’ për t’i dhënë një rrugë të mirë Shqipërisë dhe për të mos e lejuar as edhe një ditë më shumë këtë agoni që po na merr frymën deri në fund./shekulli

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...