Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

Kokëfortësia vrastare në kohë pandemie

Autor: Xhelal Neziri

Një 16 vjeçar nga Shkupi as që kishte besuar se virusi ekziston. E kishte jetuar jetën normalisht, si të mos kishte një pandemi e cila ka futur në ankth tërë botën. Nuk kishte besuar mediat profesionale, por ishte zbavitur me portalet që mendojnë vetëm për fitimin nga klikimet. Madje shpesh me kokëfortësi i kishte bindur edhe moshatarët e tij se ky është një grip i thjeshtë që kalon me dy paracetamola.

E gjithë përalla e tij zgjati derisa nuk e solli virusin në shtëpi, ku jetonte me nënën, babain, gjyshen dhe gjyshin. Virusi së pari i mori jetën gjyshit, pastaj gjyshes, më vonë babait e në fund edhe nënës së tij.

Kjo është një ndodhi e frikshme, tragjike dhe dhimbshme. Një familje e tërë u fshi nga papërgjegjshmëria e një të riu. Këtë ngjarje të vërtetë për herë të parë në publik e tregoi në një intervistë për portalin MKD akademiku maqedonas Prof.Dr.Metodi Çepreganov.

“Unë nuk dua të tremb ose traumatizoj tjerët. Por është një gjendje e rrezikshme për jetën. Jo sepse unë mendoj kështu, apo dikush tjetër, por bota u gjend në një luftë biologjike dhe një pjesë e madhe e popullit maqedonas e kuptoi atë. Ata mbajnë maska, janë të kujdesshëm, sepse kjo është mënyra e vetme. Por ka 30 për qind e më shumë, veçanërisht të rinjtë, që me kotësi dhe kokëfortësi, me ego të hipertrofizuar nuk respektojnë masat dhe të gjithë vuajnë. Unë kam një shembull të një familjeje, një fëmijë 16-vjeçar solli infeksionin në shtëpi, e brenda një periudhe të shkurtër i vdiqën babai, nëna dhe gjyshërit. Ai i “pastroi” të gjithë për shkak të mosbindjes, pakontrollueshmërisë së tij. Ai nuk mund ta kuptonte se është përcjellës i virusit”, ka thënë Çepreganov.

Vala e dytë e pandemisë me COVID-19 po merr hov. Numri i rasteve të reja dje arriti numrin rekord prej 445 të prekur. Shtretërit në spitale gjithnjë e më shumë mungojnë. Ky numër mund të arrijë edhe në 1500 në ditë nëse vazhdon mospërfillja e masave. Kjo do të paralizonte sistemin e brishtë shëndetësor i cili nuk do të mund t’i përgjigjet situatës së krijuar.

Në bazë të të dhënave zyrtare, mbi 82 përqind e të vdekurve nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar ndihmë mjekësore afërsisht 10 ditë pas paraqitjes së simptomave të para, si mungesa e shijes apo nuhatjes. Pra, kur sëmundja ka përparuar aq shumë saqë mjekët e kanë të pamundur të bëjnë më shumë. Kjo kërkon një syçelësi apo vëmendje të madhe që ndihma mjekësore të kërkohet që në ditët e para të hetimit të simptomave.

Pandemitë dhe epidemitë nuk janë sëmundje individuale. Ato bëjnë pjesë në sferën e shëndetit publik, që implikon një përgjigje kolektive ndaj kësaj flame. Nëse vetëm 1% e popullsisë nuk i respekton masat, ai i bën favor virusit duke e përcjellë në më shumë njerëz. Andaj përgjigjja duhet të jetë si familje, shkollë, restorant, si fshat, si mëhallë, si qytet, si rajon dhe si shtet.

Postime të ngjashme

Angela Merkel, Kancelaria që politikës i dha profil të ri

R Zh

Filozofia dhe politika në shoqëri

Z H

AGJËRIMI, DEVOTSHMËRIA DHE URTËSITË

Z H

Zhvillimi i (pa)barabartë rajonal në Maqedoni, Pollogu i lënë mbrapa

R Zh

Në udhëkryq apo në qarkore!

R Zh

Opinion Valon Salihu / Humori përçmues ndaj grupeve etnike nuk është shaka

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...