Agjencia Zhurnal.mk

Koment: Konspiracionet e Korona Virusit në BDI, për “Kryeministër shqiptar”!

Shkruan Bexhet Musliju – Drejtor i Agjencisë Zhurnal.mk

Shkup, 6 qershor – Në kohën kur duhet të merren vesht për datën e zgjedhjeve, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në 18 vjetorin e themelit të partisë së tij, ka zbuluar se synon që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.  Por, sa është realitet një ëndërr e tillë, a është më shumë marketing politik apo një dëshirë që është e parealizueshme!

“Kryeministri i parë shqiptar”, marketing politik!

Në funksionimin e deritanishëm, BDI gjithmonë në prag të zgjedhjeve ka lëshuar ide megalomane dhe e ka nxitur votuesin shqiptarë, duke i dhënë arsye atyre për të votuar dhe siç shpeshherë thuhej, për ta shpëtuar edhe kësaj radhe BDI-në. E gjithë fushata bëhej ose për universitet, ose për gjuhë shqipe, ose për flamur, e në fakt kur vinte koha e jetësimit të këtyre premtimeve, ose ato zgjidhje ishin gjysmake ose kërkohej edhe një mandat tjetër që të njëjtat të realizohen. 

BDI nga zgjedhjet e fundit e mësoi një leksion të madh, “kungulli çdoherë nuk shkon mbi ujë”. LSDM ia prishi kalkulimet e përfitimit të votave tek votuesit shqiptarë, ku nga 20 deputetë ra në 10 deputetë, e në këtë formë votuesit i treguan BDI-së se është mjaft më me manipulimet e deritanishme. Tezën e LSDM-së se vazhdon të kërkojë votat e shqiptarëve e përforcoi edhe bashkëpunimi parazgjedhor i LSDM-së dhe BESËS, të cilët e legjitimuan edhe më shumë votën shqiptare në konto të një koalicioni parazgjedhor për herë të parë midis partive shqiptare dhe maqedonase.

BDI u ndje e lënë anash nga partneri qeveritar dhe filloi të luajë në kartën e opozitës maqedonase, duke paraqitur pakënaqësitë e saja me LSDM-në, e cila e shpëtoi nga humbja edhe më tragjike në zgjedhjet lokale.

E gjendur në situatë ku kalkulimet politike i dolën nga plani, BDI iu rikthye zanatit të vjetër të premtimeve madhore, të tipit ne luftojmë ndikimin rus e ukrainas, i çojmë në pension liderët maqedonas, e zyrtarizojmë shqipen…

Konspiracionet e Korona Virusit në BDI, për “Kryeministër shqiptar”!

Se sa e cekët është loja me idenë e kryeministrit shqiptarë, tregojnë momentet kur ajo doli në shesh. Ideja për “Kryeministër shqiptar”, është vetëm brengë e shpalosur një ditë herët se sa të zbulohen rezultatet e anketës IRI-t, ku Ziadin Sela vjen në barazim me 2% kundrejt kreut të BDI-së!

Gjithashtu kërkohet që me idenë për “Kryeministër shqiptar”, të revoltohet LSDM-ja, gjegjësisht Zoran Zaevi me qëllim që ai të shpërthen me deklarata të ashpra, e të kritikohet se ai nuk i do shqiptarët dhe me këtë “kurth” t’i humbasë votuesit shqiptarë që gëzon LSDM-ja!

Me idenë për “Kryeministër shqiptar”, të mbulohet mos marrja e sërishme e postit të kryeparlamentarit dhe arsyetimi të jetë te popullata që “ne synuam postin e kryeministrit dhe jo vendin e kryeparlamentarit”. Në këtë formë,do të gjendej sërish arsyetim për dështimet e BDI-së.

Me idenë e “kryeministrit shqiptarë” BDI ka gjetur një version tjetër me të cilin e përgatit terrenin që nëse LSDM-ja do ta përjashtonte BDI-në nga kolaicioni për formimin e qverisë, ajo të arsyetohej se ne kemi synime të mëdha dhe do të hynim në koalicion me LSDM-në vetëm nëse fitojmë postin e kryeministrit.

Por, më fatkeqja është se edhe brenda vetë BDI-së nuk e besojnë realizimin e kësaj ideje dhe konsiderojnë se një ide e tillë ka ardhur nga “virusi i vazhdueshëm brenda BDI-së” të cilët shikojnë hakmarrje brenda vet partisë dhe realizim të egos së tyre personale.

Mjaft me lojëra nacionaliste në kurriz të popullit!

Por ideja e “kryeministrit shqiptarë” fatkeqësisht del se është puro për konsum të brendshëm politik, duke e ndezur sërish zjarrin e përplasjeve nacionaliste mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Lojëra në kartën nacionaliste është rreziku më i madh që i kanoset kësaj shoqërie dhe pikërisht për këtë arsye, lojërave të tilla duhet të vijë fundi. Edhe pse duket që marrëdhëniet ndëretnike janë nën kontroll, sërish ato janë aq shumë të zbehta dhe të lëndueshme sa çdo problem merr pasoja ndëretnike e ndërfetare.

Vetëm nëse merren parasysh komentet e shumta se kush është fajtor për përhapjen e virusit në valën e dytë që e ka përfshirë Maqedoninë e Veriut, do të shihet qartë se sa lehtë mund të vijë deri tek një përplasje ndërfetare e ndëretnike. Shqiptarët mysliman akuzuan maqedonasit ortodoks se ishin ata që e thyen të parët karantinën në Strugë, gjatë festës fetare, kurse tani ortodoksët maqedonas janë ata që fajësojnë shqiptarët se karantina u rikthye për shkak të moskujdesit të tyre në festat e fundit.

Fitili ndezës i zjarrit mund të shpërthejë në Ballkan shumë shpejtë dhe pikërisht për këtë arsye politikanët e përgjegjshëm duhet të kenë kujdes se çfarë flasin  dhe çfarë veprojnë me ndjenjat e popullatës. Maqedonia e Veriut mjaft ka përjetuar kriza të njëpasnjëshme, nga të cilat vetëm kanë përfituar politikanët dhe janë lënduar qytetarët. Prandaj, kujdes me retorikën nacionaliste dhe luftën e paskrupullt për pikë politike.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!