KOMF: Janë rritur rastet e fëmijëve të cilët po kërkojnë lëmoshë, komunat të ndërmarrin masa urgjente

nga D V

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, përmes një reagimi publik shpreh shqetësim për situatën e rëndë të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë apo punojnë në rrugë.

KOMF thotë se ditëve të fundit është vënë re një rritje e rasteve të fëmijëve të cilët kërkojnë lëmoshë, sidomos në orët e vona të natës, transmeton Telegrafi.

“Fëmijët po përballen me një sërë rreziqesh serioze për shëndetin dhe jetën e tyre. Këtu nuk bëjnë përjashtim as fëmijët nën tre vjeç dhe foshnjat e ekspozuara në temperatura të larta mbi 35 grad celcius gjatë ditës. Fëmijët në situatë rruge janë të ekspozuar ndaj formave të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe emocional. Fëmijët po kërkojnë lëmoshë edhe gjatë orëve të vona të natës, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit”, thuhet në reagim.

KOMF i bën thirrje komunave dhe institucioneve komunale që të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve në situatë rruge.

KOMF i bën thirrje prindërve që të mos keqpërdorin dhe shfrytëzojnë fëmijët për kërkim të lëmoshës dhe për punë të rënda.

“Shfrytëzimi i fëmijëve përbën vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Kosovës”, vijon reagimi.

KOMF i bën thirrje qytetarëve, sidomos atyre që vinë nga diaspora, të mos ofrojnë lëmoshë për fëmijët.

“Dhënia e lëmoshës mund të nxisë edhe më shumë daljen e fëmijëve në rrugë dhe kështu rrezikohet shëndeti, mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve”, thuhet në reagim.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More