Në punimet e sotme në Komisionin hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi, pesë nga personat e thirrur për të dëshmuar, nuk janë paraqitur.
Tre shtetasit italianë, aksionarë në kompanitë e sterilizimit, për të tretën herë me radhë kanë refuzuar pjesëmarrjen në komision duke argumentuar se për shkak të angazhimeve të tyre personale dhe të punës, nuk kanë mundësi të dëshmojnë.
“Umbro Staccini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli janë përgjigjur me e-mail për shkak të angazhimeve personale dhe pune në Itali dhe jashtë Shqipërisë edhe kohës së shkurtër të njoftimit, i kemi thirrur tre herë e kanë të pamundur të organizojnë udhëtimin drejt Shqipërisë. Është hera e tretë që refuzojnë. Dëshmia e tre shtetasve është kyçe për hetimin parlamentar. Janë jo vetëm aksionet në koncesionin e sterilizimit. Dy prej tyre kanë marrë edhe miliona lekë me konsulencë private. Kanë dhe kompani nënkontraktuese. Marrin paratë e shqiptarëve nga të gjitha xhepat. Ligji parashikon thirrjen e tyre duke njoftuar policinë dhe policia të sigurojë praninë e tyre në komision”, tha Albana Vokshi, në cilësinë e kryetares së këtij komisioni.
Deputeti i Partisë Socialiste, nënkryetar i Komisionit të Posaçëm të Sterilizimit, Ndreca u shpreh se komisioni nuk mund të paragjykojë gjendjen shëndetësore të personave që duhen thirrur në komision.
“Dëshmitarët italianë që kanë paraqitur arsyet, kanë të drejtën e tyre të bëjnë aktivitetet e tyre private, pasi nuk kanë përgjegjësi të njëjtë juridike para shtetit shqiptar. Nuk kam asgjë që të përdoret çdo instrument që ka në dorë komisioni, për t’i bërë të mundur që ata të jenë prezentë. Nëse informacioni që ata kanë sjellë nuk konsiderohet i vlefshëm, z.Lleshi ka sjellë një raport mjekësor, nuk mund të bëjmë doktorin dhe të paragjykojmë pamundësinë e tij fizike për të qenë prezent. Z.Fani ka treguar gatishmëri për të qenë prezent, por për arsye që ai i ka paraqitur nuk mund të jetë sot. Nuk mund t’i thërrasim me polici, sepse ata nuk kanë thënë që nuk duam të vijmë, por kanë sjellë arsye ligjore pse nuk mund të jenë prezentë. Mos të bëjmë spektakël kot, kur nuk është e nevojshme. Për sa i përket Vilma Nushit, qenka kontributore e PS, prandaj duhet të jetë këtu…T’u bëjmë gjyqin njerëzve që u përmendim emrin pa kriter, i paragjykojmë, ne nuk jemi prokurori, jemi për të parë një aspekt të qeverisë koncesionare, që bëhet fjalë për dy kontrata koncesionare”.
Deputeti i PD, Edmod Spaho kërkoi që ky komision të mos i mbyllë punimet e tij, pa dëshmitë kyçe sipas tij, të biznesmenes Vilma Nushi dhe kryeministrin Edi Rama.
“S’mund të mbyllim këtë komision pa deponimet e Vilma Nushit dhe Ramës. Koncesionet janë dhënë me firmën e kryeministrit dhe pa dëgjuar përfituesen kryesore të koncesionit të Check Up-it, Vila Nushi nuk mund të mbyllim këtë komision. Të enjten të kërkojmë shtyrjen e punimeve”, tha Spaho.
Lidhur me këtë pretendim të opozitës, Deputetja e Partisë Socialiste, Edona Bilali, u shpreh se komisioni nuk mund të vijojë pafundësisht me shtyrje. “Nëse vijojmë me shtyrje, krijojmë një precedent jo të mirë, duke lënë të kuptohet se komisioni nuk ka patur efikasitet në punën e tij. Mendoj se duhet ta mbyllim në kohën e parashikuar.”
Ajo tha se biznesmenët s’mund të thirren e hetohen në Kuvend, pasi nëse japim këtë shembull, krijohet një mjedis jo i qetë për operimin e tyre.
Sipas Bilalit, komisioni zgjati punimet pasi opozita vendosi të mos marri pjesë në punimet e komisionit, duke djegur karriget. “Ne duhet ta kishim mbyllur punën e këtij komisioni, por ju zgjodhët të largoheni nga komisioni dhe të ndiqni një rrugë tjetër”, shtoi Bilali.