Agjencia Zhurnal.mk

Komisioni për Siguri kërkon mobilizim lidhur me çështjen në Karaçevë

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes është mbledhur dhe diskutoi lidhur me situatën e sigurisë. Kanë kërkuar mobilizim nga të gjitha partitë parlamentare për situatën në Karaçevë.

Deputetët, anëtarë të këtij komisioni, kanë shprehur kritikat lidhur me rastin që ndodhi në Karaçevë, ku para disa ditësh u fut xhandarmëria serbe. Kanë pasur kritika edhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, për të cilin thanë se s’i është përgjigjur thirrjeve për të raportuar.

Deputeti i Vetëvendosjes Mefail Bajqinovci, tha se në këtë fshat të Kamenicës, Karaçevë, ka vazhdimisht probleme edhe kur bëhet fjalë për siguri, edhe për patrullime, e edhe lidhur me lojërat e fatit që luhen pa ndonjë rrezik.

Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se nuk duhet kritikuar vetëm një subjekt porse problemi si i futjes së ushtrisë serbe në Karaçevë është problem që duhet trajtuar nga të gjithë.

“Çka po të duhet një qeveri kur atje u tmerruan fëmijët. Kur do të përfundojë kjo? Atje u fut një ushtri që ka kryer gjenocid në Kosovë”, u shpreh ai.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu, tha se ky komision duhet të përpilojë një raport lidhur me çështjen e sigurisë në Kosovë.

Deputetët, kanë kërkuar madje edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, raport më të detajuar lidhur me futjen e ushtrisë serbe, e edhe për deklaratën se “ishte patrullë rutinore e KFOR-it me ushtrinë serbe”.

“Nuk duhet politizuar ky rast, është mbipartiak. Duhet të mobilizohemi”, shtoi Musliu.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se s’ka pasur patrullim të përbashkët mes KFOR-it e ushtrisë serbe.

“Nëse KFOR-i ka të drejtë me hy atje, ushtria serbe s’ka”, tha Selimi.

Deputetët kanë kritikuar mosardhjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, të cilin e kanë ftuar për raportim. Ndërkaq, ministrin e Mbrojtjes, Anton Qunin, thanë se do ta ftojnë herë të tjera.

Kryetarja e komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në fund të konkluzioneve, tha se duhet kërkuar fillimisht raport nga KFOR-i e më e rëndësishmja, interpelancë në Kuvendin e Kosovës, ku do të raportonte ministri Veliu.

“Unë do të kërkoj interpelancë për z.Veliu”, u shpreh ajo.

Deputetët, nuk u pajtuan të gjithë për të kërkuar interpelancë në Kuvendin e Kosovës, para se Kuvendi të shkojë në pushime. Kundër interpelancës ishte fillimisht deputeti i Lidhjes Demokratike, Ilir Tasholli, për arsye se tha se do të jetë e pamundur të ftohen ministra në interpelancë në një periudhë të shkurtër kohore.

Të premten, më 7 gusht, në fshatin Karaçevë u filmua xhandarmëria serbe nga qytetarët që banojnë në atë pjesë. Ky veprim nxiti reagime, frikë e kritika të shumta te qeveria. KFOR-i, më pas u deklarua duke thënë se ishin patrullime të përbashkëta mes ushtrisë serbe dhe atyre.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...