Shkup, 12 qershor – Nuk ka përparim në promovimin e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut, është konstatimi i Komitetit të Helsinkit në raportin për vitin 2023.
Në të thuhet se nuk është bërë ndonjë progres i rëndësishëm në sistemin ligjor dhe institucional për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në raport analizohet hartimi i Kodit të ri Penal, pas të cilit në shtator të vitit 2023 Komiteti i Helsinkit, si anëtar i grupit të Projektit për reformat në drejtësi, u tërhoq nga pjesëmarrja e mëtejshme sepse u bë e pakuptimtë pjesëmarrja në një procedurë që në thelb legjitimon paligjshmërinë.
Komiteti vlerëson si pozitive ndryshimet në Kodin Penal, të cilat futën krimet e reja të ngacmimit seksual dhe përndjekjes, të cilat janë kontribut i rëndësishëm i shtetit në respektimin e Konventës së Stambollit. Por nga ana tjetër, përkundër përgatitjes së projektligjit për barazinë gjinore, për shkak të presionit të fortë të lëvizjeve antigjinore, ligji nuk u miratua, thuhet në raport.
Komiteti i Helsinkit gjatë vitit të kaluar ka realizuar gjithsej 10 vizita në institucionet e vuajtjes së dënimit në INP Idrizovë, INP Shtip, INP Prilep dhe Burgun e Kumanovës.
Personat e dënuar nuk kanë qasje adekuate në kujdesin shëndetësor, kushtet materiale të jetesës janë të këqija, kurse programet e risocializimit, kushtet për zbatimin e tyre dhe ndihma pas dënimit janë ende të pamjaftueshme dhe të pazbatueshme.
Komisioni ende po e vë në dukje aktgjykimin ndaj Qeverisë së RMV-së dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), të cilët kanë konstatuar se kanë bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj personave me aftësi të kufizuara gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre të votës.