Agjencia Zhurnal.mk
Ekonomi

Kompanitë prodhuese presin ndihmën e qeverisë për rimëkëmbje

Shkup, 28 shkurt – Kërkesa e pamjaftueshme në tregun vendor dhe atë të jashtëm, ambienti i pasigurt ekonomik si dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar, mbeten tre faktorët kryesorë që kanë ndikuar në uljen e prodhimtarisë në shumë sektorë industrialë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas të dhënave të Entit shtetëror të Statistikave, prodhimtaria industriale gjatë vitit 2020 ka pësuar rënie për 10 për qind krahasuar me vitin 2019. Kjo ka bërë që të bie numri i të punësuarve në të gjitha industritë për 4.2 për qind.

Të dhënat e Entit të Statistikave tregojnë se numri më i madh i punëtorëve që kanë humbur vendet e punës, kanë qenë ata në sektorin e përpunimit të produkteve ushqimore dhe sipas shifrave, 4.800 punëtorë janë larguar nga puna nga ky sektor.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se duke pasur parasysh që industritë prodhuese janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, shteti duhet ta fokusojë ndihmën pikërisht në rimëkëmbjen e kompanive të këtij sektori, pasi ato përballen edhe me probleme serioze sa i përket likuiditetit dhe duke ndihmuar këto kompani, ruhen edhe vendet e punës.

“Kur bëhet fjalë për sektorin e prodhimtarisë, është vërejtur një rënie e konsiderueshme në prodhimin e produkteve me afat të konsumit të gjerë edhe atë për 10.9 për qind, në energjetikë prej 3 për qind, si dhe produktet e konsumit të gjerë pa afat gjithashtu për 3 për qind. Kjo natyrisht ka ndikuar në likuiditetin e këtyre kompanive, duke vështirësuar dhe çështjen e vendeve të punës. Bazuar në të dhënat zyrtare, janë regjistruar rreth 50 mijë të papunë shtesë krahasuar me vitin e kaluar duke treguar qartë se çfarë periudhe të vështirë po kalon ekonomia e vendit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Zeqiri shton se shteti duhet të ndihmojë kompanitë që të rrisin cilësinë e produkteve, në mënyrë që të bëhen në konkurrues në treg.

“Ne si Odë Ekonomike vlerësojmë se kontribuuesit kryesorë të zvogëlimit tregtar, kompanitë prodhuese në këtë rast, të cilët përbëjnë një strukturë të rëndësishme në rritjen e Bruto Prodhimit Vendor, shteti duhet t’i ndihmojë në nivel vjetor me qëllim që të rimëkëmben, sidomos në aspektin e rritjes së kapaciteteve për konkurrueshmërinë e tyre në treg përmes rritjes së kapaciteteve teknologjike”, theksoi Zeqiri.

Ndryshe, sipas parashikimeve dhe planeve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, këtë vit pritet stabilizimi i lëvizjeve ekonomike, me një rritje prej 4 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev është shprehur optimist se në pranverë mund të ndodhë një kthesë serioze sa i përket rimëkëmbjes ekonomike të shtetit, duke theksuar se gjatë dhjetorit të vitit të kaluar ka pasur rritje të BPV-së prej 2.5 për qind.

Zaev ka thënë se pakoja e pestë e ndihmës për krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, përmban edhe ndihmë për kompanitë prodhuese që janë të orientuara nga eksporti. Sipas tij, për këto kompani do të ketë ulje dhe heqje të normave doganore por edhe mbështetje financiare përmes krijimit të një fondi në vlerë prej 10 milionë eurove.

Por, Zoran Ivanovski, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet marr me rezerva deklaratat optimiste të Zaevit sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, pasi sipas tij nuk dihet se kur do të përfundojë pandemia.

Ai thotë se krahas ndihmës financiare të paraparë përmes pakos së pestë, duhet po ashtu që të gjinden edhe tregje alternative për kompanitë prodhuese.

“Veçanërisht duhet stimuluar investitorët privatë sepse ata janë të demotivuar si rrjedhojë e administratës joefikase. Qeveria duhet të marrë parasysh pikëpamjet e komunitetit të biznesit kur i harton ligjet. Së dyti, qeveria duhet të realizojë detyrimet që ka marrë përsipër në fushën e investimeve kapitale dhe së treti, fokusi duhet vënë në kërkimin e tregjeve të reja, alternative”, thotë Ivanovski.Ndryshe, në Agjencinë për punësim janë regjistruar 158 mijë qytetarë që kërkojnë punë, që është për 50 mijë persona më shumë krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar.

Postime të ngjashme

Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet UEJL-së dhe Normak Investment Grup për mundësitë e punësimit të studentëve

R Zh

Besimi dhe Nikollovski: Tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe ekonomisë joformale

Z H

Sindikata e tekstilit me paralajmërim nëse nuk miratohet pakoja e pestë ekonomike

Z H

Për ekonominë janë siguruar 44,1 milion euro përmes tre kredive pa interes nga Banka Zhvillimore

Z H

Agjencitë turistike me humbje prej mbi 80%, edhe ata do të protestojnë të hënën

Z H

Ministri Hoxha në takim me Duxhak, vendosen fushat prioritare për mbështetje nga KB

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...