Komunat me probleme të mëdha, ndërsa me projekte të vogla

nga Xh M

Shkup, 25 shtator – Rrugët, kanalizimi dhe ujësjellësit janë problemet më të mëdha me të cilat përballen komunat tona. Kështu tregojnë të dhënat që ka siguruar Alsat nga thirrja e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për ndarjen e 100 milionë eurove për projekte infrastrukturore. Nga 358 projektet e dorëzuara, më shumë se gjysmën, 218 e zënë projektet për ndërtim ose rikonstruim rrugësh. 51 projekte janë për kanalizim, ndërsa 21 për ujësjellës.

Edhe pse thuajse të gjitha komunat e vendit përballen me shumë më tepër probleme, numri i projekteve për çerdhe, shkolla, hapësira sportive, zjarrfikës etj., është tejet i vogël. Madje madje, edhe parqet, parkimet, ndriçimi rrugor, e lëre më kultura dhe inovacioni mund të konsiderohen luks, pasi numri i tyre është tejet i vogël, siç mund ta shihni në këtë tabelë.

Nga numri total prej 358 projektesh, vetëm 14 projekte janë për ndërtim ose rindërtim çerdhesh e shkollash, ndërsa 14 të tjera janë për fusha ose salla sportive dhe rekreacion.

Më e zonja nga komunat, për nga numri i projekteve të dorëzuara, ka qenë ajo e Shuto Orizares me 25 projekte, e ndjekur nga Qyteti i Shkupit me 20 projekte, por ajo që prek fundin e listës, me zero projekte është komuna me shumicë shqiptare e Tearcës. Arsyeja, sipas Ministrisë është se dokumentet nuk janë përgatitur konform rregullave, madje kanë qenë dorëzuar me email privat, në vend të atij zyrtar.

Komunat me shumicë shqiptare, nuk kanë treguar interes serioz për thirrjen e qeverisë për projekte. Gostivari prin me 15 projekte, Haraçina me 13, Kërçova e Çairi me nga 7, Vrapçishti me 6, por Tetova dhe Likova me vetëm 3 projekte, Saraji dhe Zhelina me 2, ndërsa Bogovina e Studeniçani kanë aplikuar me nga vetëm 1 projekt.

Në sy bie edhe lloji i projekteve të Qytetit të Shkupit, i cili ka kërkuar furnizim me 20 ekoautobusë, ndërsa Vallandova kërkon ndërtim morgu pranë varrezat e qytetit.

Kërkesat e komunave do të shqyrtohen nga gjithsej 6 ministri dhe më pas do të vendoset se cilat do të financohen ose jo. Komunat kishin 10 ditë kohë për shkrimin dhe dorëzimin e këtyre projekteve, dhe shqyrtimi i tyre siç mëson ALSAT ka nisur veçmë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More