Komunat të merren me problemet reale, jo të shërbejnë populizëm në baza ditore, rekomandon biznesi

Shkup, 8 tetor – Edhe programet më të mira qeveritare nuk mund të realizohen me modelin ekzistues të vetëqeverisjes lokale, veçanërisht me kapacitetin e dobët të disa kryetarëve të komunave. Ka ardhur koha që komunat të ndalojnë së shërbyeri populizëm dhe në vend që të merren me problemet e përditshme, të merren me zgjidhje afatgjata të çështjeve kryesore, rekomandon sektori i biznesit.

Në një bisedë me MIA-n, biznesmenët janë decidë, se ndikimi i pushtetit qendror në komuna duhet të zvogëlohet, si dhe të fillojë të funksionojë “sistemi i meritave” që do të nxjerrë në sipërfaqe kuadrin më cilësor administrativ.

Sipas tyre, në katër vitet e ardhshme, pushtetit vendor do t’i duhet të rikthejë besimin si të qytetarëve ashtu edhe të bizneseve, por edhe të krijojë një themel për zhvillimin ekonomik lokal.

“Ne jetojmë në një kohë kur vendet po bëjnë gjithçka për të mundësuar që bizneset e tyre të kenë akses në tregun global në mënyrë që të zgjerojnë plasmanin dhe tregjet e tyre, dhe ne po përballemi me mungesën e kushteve themelore të jetesës, duke filluar me furnizimin me ujë, kanalizimet, menaxhimin e mbeturinave. Ndërkohë, programet lokale të mbështetjes për startap-e, parqe teknologjike apo inkubatorë mbeten në letër vetëm si premtime. Për të mos përmendur tokat bujqësore në pronësi të komunave, të cilat mbeten potencial i pashfrytëzuar për biznes”, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Drilon Iseni.

Zgjedhjet lokale, shton Iseni, janë vendimtare, nëse realizohet një përqindje e madhe e asaj që shkruhet në programet dhe platformat zgjedhore.

Komunat, përfundimisht, thekson ai, duhet të zënë vendin e tyre në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, por edhe të biznesit.

“Edhe strategjitë dhe programet më të mira të Qeverisë nuk mund të realizohen me modelin ekzistues të vetëqeverisjes lokale dhe veçanërisht me kapacitetin e dobët të disa kryetarëve të komunave. Çdo respekt për disa përjashtime, që kanë arritur shumë për përmirësimin dhe funksionimin e komunës dhe nga aspekti i përmirësimit të jetës së qytetarëve, fakt që jep shpresë se gjërat mund të shkojnë më mirë. Ne mendojmë se është koha për të zvogëluar ndikimin e politikës së qeverisë qendrore në punën e komunave. Komunat duhet të funksionojnë sipas një modeli të veçantë biznesi që do të sigurojë mbijetesë afatshkurtër dhe afatgjatë duke futur një sistem që do të minimizojë faktorin njerëzor në marrjen e vendimit për kërkesat e biznesit, duke inkorporuar “sistemin e meritave” për administratën, ku më të  mirët do të avancohen dhe do të marrin një pozicion të përshtatshëm menaxherial”, thekson Iseni.

Pikërisht, ky është hapi i parë i vërtetë drejt zgjidhjes së problemeve të përditshme të qytetarëve në një afat të shkurtër, por gjithashtu futjen e një baze për zhvillimin ekonomik në një periudhë afatmesme.

“Komunat dhe kryetarët e tyre në katër vitet e ardhshme duhet të përqendrohen në zbatimin e projekteve që kanë një efekt shumëdimensional dhe jo t’i shërbejnë populizmit duke zgjidhur problemet e përditshme. Ata duhet të angazhohen në projekte cilësore që të adresojnë dhe të zgjidhin problemet kryesore në planin afatgjatë”, thekson Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së.

Ne besojmë se në katër vitet e ardhshme qeverisja vendore do t’i duhet të rikthejë besimin qytetarëve dhe biznesit, për të krijuar një themel për zhvillimin ekonomik lokal. Pjesa e parë do të arrihet përmes transparencës, llogaridhënies dhe digjitalizimit të shërbimeve, dhe e dyta përmes futjes së parqeve të zhvillimit të teknologjisë, inkubatorëve dhe programeve për të mbështetur sipërmarrjen e grave, si dhe bizneseve të themeluara nga të rinjtë nga zonat rurale, nënvizon Iseni.

Ai shton se nëse janë të mençur, kryetarët e bashkive duhet të ndjekin vetëm rekomandimet e biznesit që di më së miri se si t’i kthejë problemet në mundësi. OEMVP, rikujton drejtori, i prezantoi Platformën për Zhvillimin Ekonomik Vendor partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale. Platforma bazohet në katër shtylla: transparenca dhe llogaridhënia, administrimi efikas, zhvillimi i bizneseve lokale, infrastruktura moderne dhe funksionale, dhe përbëhet nga shtatë kapituj: legjislacioni, reforma e administratës komunale, zhvillimi i ekonomisë lokale, infrastruktura, mjedisi, bujqësia dhe turizmi.

Platforma jonë ofron zgjidhje konkrete që janë të zbatueshme për çdo komunë. Nëse kryebashkiakët e ardhshëm janë të zgjuar, ata do të zbatojnë vetëm këto masa, sepse këto janë në fakt propozime nga bizneset që i kthejnë problemet në mundësi në mënyrën më të mirë dhe që gjatë pandemisë i ofruan zgjidhje Qeverisë se si t’i mbijetojë krizës”, tha Iseni dhe theksoi se kërkesat e komunitetit të biznesit duhet të pasqyrohen në politikat qeveritare, sepse është biznesi ai që kontribuon në mirëqenien e qytetarëve dhe ekonomisë në tërësi.

Oda Ekonomike e Maqedonisë – Turqisë (MATTO) pret një qeverisje lokale që do të sigurojë besim dhe stabilitet më të madh në punën dhe funksionimin social, por edhe një qeveri lokale që do t’i kushtojë më shumë rëndësi ekonomisë sesa politikës.

“Pavarësisht se cilët kandidatë do të zgjidhen kryetarë të komunave në këto zgjedhje lokale, priten ide dhe aktivitete të reja prej tyre që do të kontribuojnë në zhvillimin më të madh ekonomik të komunave. Vendimet në lidhje me projektet që do të zbatohen nga krytearët e

komunave të sapozgjedhur – stimujt buxhetorë dhe mbështetja e biznesit – janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Në të kaluarën, si faktor biznesi, ne nuk kemi qenë gjithmonë aq afër me aktivitetet dhe reformat në vetëqeverisjen lokale që na duheshin nga pikëpamja ekonomike. Ne të gjithë kemi nevojë për komuna dhe qytete me ekonomi të fortë, me më pak probleme dhe sfida që natyrisht së bashku mund t’i zgjidhim shumë më lehtë”, tha për MIA-n presidenti i MATTO, Ajdovan Ademoski.

Sipas tij, është e nevojshme të shfrytëzojmë sa më shumë potencialin e komunave nëse duam të mbajmë popullsinë dhe të krijojmë kushte më të mira jetese për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

“Në këtë drejtim, ne besojmë se kryebashkiakët e sapozgjedhur kësaj radhe do të hapin mundësi të reja për bashkëpunim me komunitetet e biznesit në vend, sepse është rruga e vetme dhe korrekte për funksionimin pozitiv të strukturave shoqërore. Pritjet tona kanë për qëllim bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet lokale, që para së gjithash nënkupton përfshirjen e komuniteteve të biznesit në krijimin e programeve dhe aktiviteteve zhvillimore të komunave”, tha Ademovski.

Ai shton se biznesi pret një kryetar bashkie që i njeh problemet e komunës së tij, i cili është në komunikim me publikun, i hapur për konsultime dhe dialog.

Pozicioni i tij është se në jetesën dhe punën urbane duhet të ndjekin trendet moderne të vendeve të zhvilluara, që do të thotë menaxhim inteligjent mjedisor, teknologji inteligjente “të zgjuara” dhe zona të organizuara industriale të gjelbra.

“Për çdo rast, mundësitë për punë dhe përmirësim të jetës shoqërore janë të hapura dhe të shumta. Si komunitet biznesi, ne jemi gjithmonë të hapur dhe të gatshëm për t’u përfshirë në aktivitetet dhe nismat e bashkive që do të sigurojnë një jetë më të mirë për qytetarët dhe do të kontribuojnë në mbajtjen e të rinjve në vendin tonë”, nënvizon kryetari i MATTO.

Sipas nënkryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Zoran Jovanovskit, është jashtëzakonisht e rëndësishme që komunat të sigurojnë stabilitet në operacionet e tyre financiare në mënyrë që të jenë në gjendje të kryejnë me kohë dhe plotësisht obligimet e tyre financiare ndaj sektorit privat.

“Nuk bëhet fjalë për atë që pret Oda nga zgjedhjet e veçanta lokale, por për atë që pret Oda Ekonomike nga mënyra e funksionimit të vetëqeverisjeve lokale, pavarësisht se cilat do të jenë rezultatet e këtyre apo zgjedhjeve të ardhshme lokale. Sektori privat pret nga komunat efikasitet në kryerjen e të gjitha aktiviteteve të tyre që formësojnë mjedisin ekonomik lokal. Kjo përfshin përgatitjen e planeve urbanistike, lëshimin e shpejtë dhe efikas të lejeve dhe miratimeve të nevojshme të çdo lloji, ofrimin e shërbimeve cilësore brenda kompetencave të vetëqeverisjes vendore. Komunat dhe sektori privat veprojnë në drejtim të rritjes dhe zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe kushteve më të mira të jetesës së qytetarëve dhe në atë kontekst ata duhet të kenë respekt reciprok dhe bashkëpunim të mirë”, thotë Jovanovski.

Pamundësia për të mbledhur të arkëtueshmet, ndonjëherë për një periudhë më të gjatë kohore, si dhe në shuma më të mëdha, të akumuluara, tha Jovanovski, reflekton në mënyrë shumë të pafavorshme likuiditetin e kompanive të sektorit privat me të gjitha pasojat e tjera negative që pasojnë. Kjo çështje kërkon një zgjidhje sistemike, nënvizon nënkryetari i Odës Ekonomike, siç janë ndryshimet e shpallura ligjore për rritjen burimet e ardhshme të financimit për komunat, si dhe një ndryshim të përshtatshëm të nenit 218 të Ligjit për Përmbarim.

“Shoqëritë nga sektori privat i ofrojnë produktet ose shërbimet komunave, por ndodh që ata kanë problem të mbledhin arkëtimet e tyre mbi këtë bazë. Ky problem shfaqet edhe në situatat kur kompanitë kanë vendime gjyqësore, zbatimi nuk mund të bëhet”, konkludon Jovanovski.

Related posts

Çmimi i rrymës nuk do të ndryshojë deri në fund të këtij viti, është herët të parashihet çka pas 1 janarit

D V

Kina dhe Gjermania, protagoniste të rimëkëmbjes globale

Redaksia

Maqedoni: Shpenzimet kapitale në gusht janë 39.5 për qind

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More