Shkup, 14 nëntor – Gjykata Kushtetuese të mos merret me diskutime dhe vendime politike, porositi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, duke reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Gjatë konferencës “Gjuha dhe Etnia”, Mexhiti tha se në shoqëritë multietnike, politikat gjuhësore janë determinuese për funksionalitetin e këtyre shoqërive.
“Gjykata Kushtetuese ka për obligim që të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve tjera dhe të garantojnë zbatimin e Kushtetutës. Ajo nuk ka mandat as të lëshohet në diskutime, e aq më pak në vendimmarrje politike dhe sidomos kur është fjala për ligje dhe akte tjera juridike, të cilat garantojnë bashkëjetesën multietnike dhe frymën e bashkëjetesës në Maqedoni të Veriut. Prandaj, po e përsëris, në asnjë vend të botës nuk ndodh që të drejtat e fituara të cenohen ose abrogohen, sepse është cilësi e demokracive të mirëfillta që të drejtat të avancojnë në vazhdimësi, jo të shkurtohen, cenohen ose të mohohen.”, – deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Limani: Gjuha, vlerë që duhet mbrojtur
Edhe ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, pajtohet se është detyrë e të gjithëve mbrojtja e gjuhës shqipe. Ai tha se për shqiptarët, gjuha shqipe ka rëndësi dhe vlerë të veçantë, pasi gjuha pati rol edhe në ruajtjen e kombësisë shqiptare.
“Është detyrë e jona që të ruajmë dhe kultivojmë si vlerë më të çmuar dhe ta lejmë si amanet te gjeneratat pasuese të trashëgojnë gjakun dhe gjenin e kombit tonë. Përveç ruajtjes së pastërtisë duhet të nxisim edhe zhvillimin e gjuhës në përputhje me kohën në të cilën po jetojmë, duke e bërë atë si mjet më të fuqishëm të dijes dhe komunikimit.”, – theksoi ministri për Punë dhe Politikë Sociale, Fatmir Limani.
Punimet e konferencës “Gjuha dhe Etnia” i hapi drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, i cili tha se gjuha shqipe është vlerë e veçantë, andaj planifikimi gjuhësor dhe përkujdesja institucionale janë më se të nevojshme.
“Ne duhet të jemi vigjilent që kujdesin ndaj këtyre vlerave të çmuara ta përcjellim ndër breza si shtylla të rëndësishme kombëtare.”, – u shpreh drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani.
Përndryshe konferenca “Gjuha dhe Etnia” u organizua në vazhdën e aktiviteteve, të cilat organizohen në vigjilje të festave të nëntorit.