Kongresi i BDI-së momenti i së vërtetës për një rrugëtim të ri politik!

nga I.A

Shkup, 5 dhjetor – Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim, i paralajmëruar për 20 dhjetor, përfaqëson pikëkthesën më të rëndësishme politike të kësaj partie në më shumë se dy dekada ekzistence. Për herë të parë që nga themelimi i saj, BDI është përballur me disfatë elektorale që ishte mesazh i qartë që diçka nuk po shkonte si duhet me këtë subjekt politik. Ky moment kërkon një reflektim të thellë, të sinqertë dhe të guximshëm. Dhe pikërisht ky reflektim pritet të ndodhë në Kongresin e shumëpritur, shkruan Zhurnal.

Një parti e strukturuar por në krizë të thellë funksionimi –

Pavarësisht humbjes, BDI mbetet partia më e strukturuar politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ajo ka rrjet të fortë organizativ, kapacitet të madh kadrovik dhe një histori të padiskutueshme të ndikimit në proceset shtetformuese. Megjithatë, ajo që e solli disfatën në zgjedhje nuk ishte mungesa e strukturës por me gjasë gabimet strategjike në raport me koalicionet.

Në dy dekada, BDI ka funksionuar mbi një model të ngurtësuar të lidershipit, i cili, ndonëse efektiv në faza të caktuara, erdhi në pikën e konsumimit politik. Krijimi i distancës me votuesin, perceptimi për mungesë meritokracie, lodhja e opinionit me të njëjtat fytyra, si dhe presioni për ndryshim brenda gjeneratave të reja shqiptare u bënë faktorë kyç të rënies së mbështetjes. Sot, pikërisht këto probleme kërkojnë zgjidhje të thellë jo kozmetike apo sipërfaqësore.

Reformat fjalë e madhe që vërtetohet përmes veprave konkrete –

BDI ka paralajmëruar reforma rrënjësore. Por çfarë nënkupton realisht reforma për një subjekt që ka ndërtuar identitet të fortë rreth një lidershipi të qëndrueshëm? Reformat nuk janë deklarata që mjaftojnë për të zbutur pakënaqësinë e elektoratit ato kërkojnë vendime të vështira, sakrifica brenda strukturave, hapje të vërtetë ndaj energjive të reja politike.

Partia gjendet përballë një dileme historike të vazhdojë me të njëjtin format, me figura të njëjta, duke u përpjekur të rikuperojë terren pa ndryshuar ADN-në politike ose të hapë kapitullin e reformave të thella, duke kthyer rolin e saj në skenën shqiptare, dhe duke krijuar një model të ri përfaqësimi dhe menaxhimi politik.

Kongresi i 20 dhjetorit është pika ku duhet të ndahet e vjetra nga e reja. Pa vendime të guximshme, çdo premtim reformimi do të tingëllojë si tentativë për të fituar kohë.

Fokusi i opinionit është te ky Kongres, prandaj, çdo vendim atje vendoset për shpresë apo zhgënjim më të madh –

Votuesi shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka ndryshuar. Është modernizuar, është bërë më kërkues, më kritik, më i informuar. Ai kërkon transparencë, meritokraci, efikasitet dhe përfaqësim të sinqertë. Prandaj, rikthimi tek të njëjtat figura pa dhënë llogari për humbjen dhe pa vizion të qartë për të ardhmen do të shihej si injorim i vullnetit të këtij votuesi.

Kongresi do të jetë testi përfundimtar që do të tregojë nëse BDI e ka lexuar saktë këtë realitet të ri politik. Për ta fituar betejën e reformës, BDI duhet të krijojë mekanizma të reja funksionimi, pa e cenuar stabilitetin e vet të brendshëm por pa e tjetërsuar gjenezën e partisë.

Kujtojmë që, më 20 dhjetor, BDI nuk do të vendosë vetëm për strukturat e reja partiake ajo do të vendosë drejtimin e rrugëtimit të saj politik për dekadën që vjen. Do të vendosë nëse do të jetë aktor dominues i politikës shqiptare, apo një forcë e së kaluarës. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More