Opinion

Konteksti i momentumit amerikan në dialogun Kosovë-Serbi

Ky “momentum amerikan për shpejtimin e dialogut” alegorinë diplomatike të tij e vuri në “kontekst të fushatës presidenciale”, me një strategji të hollë për dobi legjitime të dyanshme: kosovare-amerikane, duke sprovuar po ashtu edhe gatishmërinë serbe për t’u esëlluar rreth mbështetjes pa prapaskena të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi pas kaq vitesh pavarësi të së parës.

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

Takimi Vuçiq-Hoti në Uashington nga “një palë e potershme shqiptare” mbeti të kuptohet gjoja si zor i Presidentit Tramp për ta instrumentalizuar këtë takim për fushatën e tij elektorale, kurse për “palën e sherrshme serbe”, e cila në historinë e saj diplomatike e ka përdorur “puthjen e dorës” si instrument që nuk e bën të turpshme nëse i sjell dobi, takimi u perceptua si një hap i pozitivizuar për interesat serbe dhe kjo mjaftoi që “pala e potershme shqiptare” të hynte me një lehtësi të padurueshme në rrotullamën e spineve të mirëmenduara të ekipit të Vuçiqit për ta mbajtur “të pakënaqur palën e potershme shqiptare” nga ky takim dhe ta fusë atë në ngatërrime deliresh të pakënaqura ndaj palës amerikane, bile edhe të marrë guximin të ngatërrohet edhe në fushatën zgjedhore të Presidentit, të filozofojë ose “të kushtëzojë” bile edhe me atë “trup të vogël votues”, të shqiptaro-amerikanëve, zgjedhjen e tij, që përbën një gjest jo të pëlqyeshëm dhe të pamenduar jo ndershmërisht, po amerika, që fatlumtësisht e njeh mirë nga brenda Kosovën, nuk ia vuri fare veshin këtyre “filozofimeve” ndërhyrëse në punët dhe në strategjinë e saj për t’i krijuar këtij takimi “një momentum amerikan” për dobi të evoluimit pozitiv të dialogut Kosovë-Serbi në drejtim të përmbylljes më të shpejtuar të procesit të normalizimit të marrëdhënieve shtet me shtet, me njohje reciproke, që mund të ketë të ngjarë të vonojë, të shtyhet, por nuk mund të mos ndodhë. Në fakt, ky “momentum amerikan për shpejtimin e dialogut” alegorinë diplomatike të tij e vuri në “kontekst të fushatës presidenciale”, me një strategji të hollë për dobi legjitime të dyanshme: kosovare-amerikane, duke sprovuar po ashtu edhe gatishmërinë serbe për t’u esëlluar rreth mbështetjes pa prapaskena të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi pas kaq vitesh pavarësi të së parës. Kështu, ”konteksti amerikan i këtij momentumi” u luajt sipas një strategjie elektorale për t’ua shpërqendruar paramendimin “me dramaticitet” rreth dialogut dhe palës shqiptare, edhe palës serbe, pra, me strategjinë e detronizimit paraprak të atij dramaticiteti, ndaj edhe u shoqërua me ndonjë veprim gjoja të rastësishëm dhe me një protokoll gjoja jo të hijshëm për “palët në dialog” dhe duke i shpërndarë “ato harresa protokollare” edhe në nëntekstin ligjërimor, diskurziv, nëpër dokumentet e nënshkruara. Aty asgjë nuk ka pasur shans rastësia, ndonëse ca nga anët shqiptare, gjithë “atë rastësi gjoja ia veshin mediatorit special të Presidentit Tramp në këtë dialog, ish-ambasadorit Grenel. Në fakt, sa i takon Grenel-it, i cili, ata që së paku i dinë gjërat më bazike mbi stilin jokonvencional të diplomacisë amerikane, e dinë se rreth tij dhe jo vetëm, punojnë ekipe të sterspecializuara, do të dalë se e ka meritën që këtë rol të një “harrestari të moskuptuar” e luajti në mënyrën më të mirë. Tjetër punë janë perceptimet dhe ngatërrimet kakafonike brendashqiptare rreth figurës dhe rolit të tij në këtë dialog. Së këtejmi, ”momentum parazgjedhor amerikan”, nga analistët e vëmendshëm gjeopolitikë, kuptohet se është zgjedhur të mbulojë protagonizmin amerikan për të ndërhyrë në kontekstin e “momentumit gjeopolitik në rajon”, ku rivalizojnë aktorë antagonistë ndaj interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike amerikane në Europë dhe posaçerisht në Ballkan, të cilët Kosovën e kanë në optikë destabilizimi për interesat e tyre dhe ku mund ta zhbëjnë “vijën e kuqe” historike të interesave amerikane dhe me këtë edhe të interesave dhe të digës mbrojtëse të interesave të kombit shqiptar në Ballkan. Kjo e bën fare të kuptueshme, prandaj, këtë imperativ të shqetësimit të mbuluar amerikan, që në valë të zgjedhjeve me rëndësi për kombin amerikan, të impenjohet pa vonesë në mbrojtjen e atyre interesave në një kontekst dhe konjukturë në të cilën nuk duhej shtyrë protagonizmi amerikan. Prandaj, nuk është po ashtu vetëm “hatër” angazhimi amerikan, që “këtë marrëveshje të moskuptuar, nga njëra apo tjetra anë, e jona apo serbe”, të nisë ta implementojë bile me një kosto projektesh që kapin mbi 13 miliardë dollarë, por që ia legjitimojnë po ashtu “larg e larg” prezencën institucionale të saj në këtë “vijë të kuqe” përmes “normalizimit ekonomik” dhe institucionet ekonomike që i nënkupton ai normalizim Kosovë-Serbi-në suazën e një stabiliteti ekonomik rajonal. Së këndejmi, Ujmani, me projektin e “fizibilitetit të përbashkët amerikan”, duhet kuptuar thjesht si metaforë që e legjitimon realizimin më të gjerë dhe më të përhershëm të asaj prezence paqeruajtëse bashkëpunuese amerikane në Kosovë dhe Beograd dhe ai nuk duhet të kuptohet dritëshkurtërisht si po kuptohet, si “koncesion ndaj palës serbe”(!), njësoj sikundër u kuptua nga një anë shqiptare edhe “kufiri me Çakorrin”, i cili, me njoftimet që kemi kanalesh të afërta me ta, po ashtu ishte një piketim amerikan për ta ngritur një “pikë vrojtimi strategjik” aty, duke e thënë këtë pak haptas tash sipas “huqit të moçëm shqiptar, si ka thënë Fishta “i themi ato që duhen fshehur dhe i fshehim ato që i di gjithë bota”. Kjo nga halli se po shohim se ata që i ngujuan “te Çakorri”, kanë dalë bashkë me këta që “janë ngujuar te Ujmani” dhe “mbrojnë pasurinë e Kosovës”(!) Ana bazike e qëndrimit amerikan në këtë dialog, bile më e theksuar, është se dialogun, kështu të luajtur si një dialog pa tensione, është se vuri në tryezë me zgjidhje të shpejtuar dhe me angazhim të drejtpërdrejtë të tyre, normalizimin ekonomik që, jo vetëm në rastin e Kosovës, pason si proces ndërmjet dy shteteve që kanë dalë të pavarura nga shpërbërja e një tërësie të përbashkët shtetërore, sikundër ishte ish-Jugosllavia në këtë rast, dhe duhet shkëputur ato raporte që e pengojnë normalizimin ekonomik, po aty hyjnë edhe ndarja e pasurisë që e kanë pasur të përbashkët në atë tërësi më të gjerë shtetërore, hyjnë borxhet e njërës apo tjetrës palë, etj., por dhe çështje të tjera. Pra, është një procedim që e kanë kaluar edhe Kroacia, edhe Sllovenia e Maqedonia dhe pikërisht Mali Zi, por jo me duar ne xhepa si pala jonë shqiptare, por me eksperte të fushave përkatëse, duke angazhuar bile edhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë, që në rastin tonë dhe për ne, u ka rënë barra amerikanëve ta bëjnë. Pra, dalja e drejtpërdrejtë në këtë pikë e bën të padiskutueshme anën juridike të problemit të pavarësisë së Kosovës, e bën të mbyllur, ia heq mundësinë e “negocimit të pavarësisë”, si e mendojnë serbët dhe ia heq atunë Serbisë për ta përdorë “pamjaftueshmërinë ekonomike të Kosovës”, mosperspektivën ekonomike të saj si arsye për “lidhshmëri të saj në perspektivë me Kosovën” etj., etj., dhe se po ashtu ia shkurton Serbisë mundësinë për ta mbajtur në zhagitje të pambaruar normalizimin gjersa të shkaktojë kolaps ekonomik, social, por dhe politik të saj, për ta futur në kallëp me Bosnjën, që i bie se në orbitën e projektit të saj që tashmë nuk e pretendon të jetë “Jugosllavi”, po thjesht SERBOSLLAVI”. Dialogu, i parë në këto aspekte që i morëm në shtjellim analitik, ka risaktësuar kornizën e vet, ka rëndësinë e një ndërmarrjeje të projektuar për bazë të qëndrueshme, e cila pavarësisë së Kosovës i jep perspektivë afirmimi dhe legjitimimi të pakontestueshem në skenën ndërkombëtare përmes mbështetjes amerikane dhe nuk e bën të varur domosdoshmërish aq ngutshëm njohjen e saj nga Serbia. Por, kjo nuk do të thotë që Serbia edhe më tutje nuk do ta mbajë udhën e mushkës, si e ka mbajtur deri më tash me inatin për mosnjohjen e saj, aq më tepër kur në këtë konjukturë gjeopolitike në rajon Serbia përpiqet ta rikthejë kontekstin gjeopolitik të viteve 1990, përmes një taktike “paqësore” nga zhbërja brenda, përmes gjeopolitikës së zgjedhjeve, të Malit të Zi, me të cilin, në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, pati një “njohje me negocim” të pavarësisë së tij, kurse edhe pavarësinë e Kosovës e kushtëzon “me njohje e negociuar”, që pala shqiptare, në fillim, disa edhe ende pa e vrarë mendjen, e përkthente dhe e përkthejnë pa e ditur kurthin diskurziv te saj, si “Marrëveshje gjithëpërfshirëse”…!

Related posts

Çegrani sot dhe nesër

admin

Morali i shqiptarëve, në mes të këmbëve të gruas

admin

“Njësia sekrete 29155” – instrumenti i Putin për të arritur objektivat gjeopolitik e fuqi ekonomike në Ballkan e Shqipëri

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...