Agjencia Zhurnal.mk
Bota

“Korea e Veriut financon programet bërthamore me fonde të grabitura”

Një raport i OKB-së, që ka rënë në duart e shtypit, thotë se Koreja e Veriut ka përdorur sulme kibernetike për të vjedhur qindra miliona dollarë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell fondet u përdorën për të financuar programin bërthamor dhe atë të raketave.

Raporti i OKB-së thotë se Koreja e Veriut arriti të forcojë programet e saj bërthamore dhe të raketave gjatë vitit 2020, megjithëse është subjekt sanksionesh të shumta ndërkombëtare.

Raporti vë në dukje raketat e reja balistike të shfaqura gjatë paradave të fundit duke theksuar se këto ato mund të kenë përmasat e mjaftueshme për të mbartur mbushje bërthamore dhe me një rreze veprimi ndaj të gjithë territorit të Shteteve të Bashkuara. Pheniani u mburr në janar se ka prodhuar atë që e quan “armën më të fuqishme të botës” – një raketë balistike që lëshohet nga nëndetëset.

Raporti thotë se Koreja e Veriut e financoi këtë program ushtarak me 300 milionë dollarë të vjedhur gjatë sulmeve kibernetike dhe mashtrimeve në internet.

“Programi bërthamor është e vetmja strategji mbijetese për Korenë e Veriut, në veçanti për familjen e Kim Jong Unit dhe të regjimit. Për shkak të COVID-it, situata e tyre ekonomike është përkeqësuar më tej. Në veçanti me një administratë të re në Shtetet e Bashkuara, me Presidentin e ri Biden, Korea e Veriut nuk ka mënyra të tjera për të diskutuar apo negociuar me Amerikën”, thotë Sojin Lim, analiste për Korenë, në Universitetin Qendror Lancashire.

Raporti u hartua nga monitorues të pavarur për komisionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sanksionet ndaj Koresë së Veriut dhe të martën dokumenti ra në duart e agjensisë së lajmeve Reuters.

Korea e Veriut është objekt i një sërë sanksionesh shumëpalëshe dhe njëpalëshe. Por, ato nuk kanë funksionuar, thotë zonja Lim.

“Korea e Veriut ka patur sukses në gjetjen e mënyrave të reja për të mobilizuar financat, dhe këto sulme kibernetike dhe këto shuma parash më bindin më tej se sanksionet nuk funksionojnë. Tani duhet të gjejmë një kuadër të ri për përqasjen ndaj Koresë së Veriut”, thotë ajo.

Gjatë dekadës së kaluar, Korea e Veriut ka zhvilluar një sërë provash bërthamore dhe të raketave me përmasa gjithnjë e në rritje.

Ish-Presidenti amerikan Donald Trump u takua me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un tre herë në vitin 2018 dhe 2019, por negociatat nuk arritën ta bindin Phenianin të hiqte dorë nga armët bërthamore.

Administrata e re e Presidentit Joe Biden po punon për një përqasje të re.

“Procesi i rishikimit po zhvillohet dhe do të konsultohemi nga afër me aleatët, në veçanti Korenë e Jugut dhe Japoninë”, tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Megjithë zotimin e Shteteve të Bashkuara për një përqasje të re ndaj Phenianit, shumica e ekspertëve nuk kanë shumë shpresa për ndonjë progres të afërt drejt çnuklearizimit të Gadishullit Korean./ VOA

Postime të ngjashme

Varianti Delta përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara

D V

Australia mbjell frikë me ushtri e helikopterë për të ndaluar protestat dhe vendosur izolimin e COVID-19 në Sydney

D V

Njihuni me shkencëtarin që po përpiqet të udhëtojë në kohë – për këtë ka një arsye të fortë

D V

Turqia evakuon turistët e tronditur nga zjarret në Bodrum

D V

Prokurorët kryesorë amerikanë goditen nga hakerët, dyshohet se janë rus

D V

Mijëra persona protestojnë në Francë kundër pasaportës shëndetësore të COVID-19

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...