Agjencia Zhurnal.mk

Desktop Header

Desktop Under Menu 1

Desktop Under Menu 2

KORIDORET SI KOMPROMIS (NDËR)KOMBËTAR

Shkruan FADIL LEPAJA

Koridori Nish-Durrës, ka histori të gjatë edhe pse si projekt infrastrukturor është relativisht i ri. Ai mbështjell në vete ëndrrën shqiptare për bashkimin e trojeve të veta në një shtet, e në anën tjetër ëndrrën serbe për të dalë në det. Përderisa, në kuptimin politik të fjalës, kjo ide është hedhur anash nga shqiptarët, për serbët ajo paraqet një nga objektivat më strategjike nacionale. Në shikim të parë kjo duket si një agjendë konfrontuese, por nën prizmin e ideve integruese evropiane ajo mund të jetë edhe një platformë e mire për negociata të suksesshme të cilat do të qonin në një paqe të përhershme. Në fund të fundit përse është atraktive ideja evropiane, nëse jo për faktin se interesat e popujve mund të gjejnë një emërues të përbashkët.

Së fundmi, presidenti serb, u shpreh, për here të pare skajshëm I interesuar edhe për përfshirjen e Kosovës në projektin e një zone të lire të qarkullimit në Ballkanin Perëndimor. I ndeshur me vendosmërinë kosovare, ai duket se hoqi dorë nga bisedimi me Kosovën përmes Edi Ramës.

Të kthehemi pak te historia. Është një manifestim, me emrin “Eksodi 99” i cili me ecjen nëpër “rrugën e kombit”, e kujton deportimin e shqiptarëve drejt Kukësit, si pjesë e operacionit të shtetit serb, për të spastruar etnikisht Kosovën. Ky ishte eksodi më i madh, i shqiptarëve nga trojet e veta, pas atij të shekullit XIX, kur pas pavarësimit të Serbisë nga Perandoria Osmane, shteti serb po e “pastronte” regjionin e Nishit dhe pjesën jugore deri në Vrajë, nga banorët e saj autokton.

Po të organizohej ndonjë aktivitet i ngjashëm, për të kujtuar këtë rrugëtim të dhunshëm të shqiptarëve nga “Molla e kuqe”, në vend se nga Mitrovica, ai do të nisej nga qyteti, dikur shqiptar, i Nishit. Pra, do të kapte segmentin Nish-Morinë-Durrës.
Kjo pjesë e rrugës së kombit, Nish-Merdar, pret të ndërtohet me mjetet e BERZH, por vetëm pasi ajo u emërua nga presidenti serb si “Rruga e paqes” dhe mori karakter ndërkombëtar. Si projekt shqiptar, ajo konsiderohej si ide nacionaliste. Aktualisht, ajo ndodhet në territorin e Republikës së Serbisë, pasi qindra e mijëra “muhaxher” janë zhvendosur nga aty, para më se një shekulli.

Në fund të vitit 1915, edhe vetë Serbia, përjetoi një “eksod”, një ikje, marshim të shtetit, byrokracisë, ushtrisë dhe civilëve, drejt Durrësit, të njohur në historinë serbe si “Marshimi përmes Shqipërisë”, gjatë të cilit ata pretendojnë se i humbën mbi 250.000 ushtarë dhe civil. Ata pësuan kryesisht nga ngricat, rruga e vështirë, mungesa e ushqimit por edhe nga popullata shqiptare, e cila Serbinë e urrente për shkak të shumë krimeve që kishte bërë ndër shqiptarët, qoftë në rajonin e Nishit, qoftë në Kosovë, apo edhe në Shqipëri, sidomos kur i kishte ardhur në ndihmë Esat Pashës, i cili kishte marrëdhënie të veçanta me kryeministrin serb të kohës.

Asokohe, Serbia e cila ishte thyer përballë Austro-Hungarisë, po e synonte Greqinë, dhe pas bllokadës bullgare te Kumanova, e vetmja rrugë u kishte mbetur përmes Shqipërisë, të arrinin ujdhesën e Korfuzit, ku prisnin që me anijet aleate të transportoheshin tutje në Greqi. Pas kthimit fitimtar, në fund të luftës botërore, Serbia u shpërblye me territore që i kishte pushtuar që nga vitit 1878 e tutje.

Edhe këtë ngjarje, ka të rinj serb që e kujtojnë përmes marshimeve të tyre simbolike. Pra, autostrada Nish- Durrës, e cila neve na u prezantua me segmente, dhe për ne ka karakter nacional, në fakt na del të jetë menduar si ishte menduar si korridor ndërkombëtar. Korridori Nish-Durrës paraqet edhe interes strategjik rus, dhe për të u luftua si me ushtri, ashtu edhe me diplomaci. Një nga arsyet e stacionimit të efektivit rus të Ministrisë për Menaxhimin e Emergjencave në Nish, duket të jetë pikërisht kjo.
Pra, derisa korridori, përgjatë historisë sillte makth, e tragjedi për shqiptarët, për Serbinë ajo ishte rrugë interesi dhe rrugë pushtimesh. “Por çfarë të keqe ka nga dalja e Serbisë në det”, pyet Edi Rama, kryeministri shqiptar i cili ndjek logjikën se dobia e Serbisë nuk është e thënë të jetë në dëmin tonë, sidomos nëse nga kjo përfiton Edi. Edi fiton, nëse ai vet është çelësi i kompromisit. Por, Kosova, përmes një deklarate të thënë, me gjysmë zëri, nga ministri i saj, la të kuptohej se rrugët e Kosovës janë të kalueshme për Serbinë vetëm me lejen e qeverisë në Prishtinë. Ky do të ishte kompromisi Kosovar , në vend të territoreve apo autonomive territoriale. Kjo nxiti një reagim të furishëm të opozitës së re, i cili mbeti e paqartë a ishte refleks i pakontrolluar, apo ishte një reagim i vetëdijshëm.

Sidoqoftë kjo deklaratë e ministrit kosovar, dhe reagimet, nuk kaluan pa u vërejtur nga presidenti serb, I cili, këto ditë në Gjenevë deklaroi se interesimi i Serbisë është që edhe Kosova të përfshihet në iniciativën rajonale për qarkullim të lire, të quajtur “mini Shengeni” ballkanik. Pa Kosovën, e pranon më në fund edhe presidenti serb, nuk ka qarkullim të lire, dhe sidomos nuk ka “korridor të paqes” si e quan ai korridorin Nish-Durrës. Pas dështimit për të frikësuar qeverinë kosovare me akuzat e shpifura për antiamerikanizëm, këndellja duket e mundshme.

Korridoret tona kombëtare, të ndërtuara me djersën tonë, dhe të motivuara me integrime kombëtare, po i shndërrohen në korridore ndërkombëtare, me interesa ndërkombëtare, përfshi edhe interesin serb për të dalë në det. Qarkullimi I lire, nëpër Kosovë, natyrisht se është kushtëzuar me njohjen e saj nga ana e Serbisë, dhe normalizimi i plotë I marrëdhënieve. Gjithsesi, asgjë të keqe nuk do të kishte Kosova nga ky korridor, aq më tepër nëse me mjetet ndërkombëtare ndërtohet edhe hekurudha në këtë segment, pasi rrugën e ndërtuam vet, me buxhetin tonë të varfër.

Korridoret tash konsiderohen si një letër e fortë në negociatat me Serbinë. Kështu korridori i X-të do të kyçet me korridorin tonë, në Nish. Evropa e përkrahë biznesin. Të gjithë e përkrahin biznesin, dhe kërkojnë heqjen e taksës. Sidomos Edi, është i preokupuar me taksën, rrugët, bizneset me Serbinë. “Shengeni” i Ramës, është bërë klithma e tij patriotike për Kosovën. Për të mirën e Kosovës e ka, edhe pse pak ka gjasa që ai të heq taksën në rrugën (ndër)kombëtare për kosovarët. Në emër të patriotizmit dhe të rrugës evropiane, duruam shumëçka, e përse të mos e durojmë edhe arrogancën dhe ligjëratat e Ramës?

Pjesëmarrja e Kosovës në projekte rajonale është interes i Kosovës, aq sa edhe njohja dhe respektimi i saj është kusht i qarkullimit të lirë dhe bashkëpunimit rajonal.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!