Shkup, 10 prill – Korrupsioni si tema më e përfolur në vendin tonë vazhdon të mbetet brengë e shoqërisë e premtim i politikanëve për çrrënjosje totale. Por, kjo sa do të arrihet mbetet të shihet në vazhdim, edhe pse është shumë e vështirë sepse korrupsioni nuk është avull të largohet porsa hapen dritaret. Korrupsioni si fenomen ka depërtuar në çdo pore të shoqërisë prandaj duhet punë serioze dhe me përkushtim e gradule deri në zbutjen e largimin total të këtij fenomeni. Kryeministri Mickovski që nga ardhja në pushtet ka paralajmëruar betejë të ashpër kundër korrupsionit në çdo fushë, por akoma nuk janë parë lëvizje konkrete në këtë drejtim, shkruan Zhurnal.
Rokas: Korrupsioni është sfida më e madhe e Maqedonisë së Veriut –
Në seancën konstituive të Trupit Ndërministror për Koordinimin e Veprimtarive Kundër Korrupsionit, ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, theksoi se korrupsioni është një sfidë madhore për vendin dhe se për të arritur reformat nevojiten ndryshime të përshpejtuara.
Rokas theksoi se lufta kundër korrupsionit është çelësi i përparimit drejt Europës dhe se nevojitet një ndryshim i përshpejtuar për të arritur reformat e vendosura.
Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë, ai depërton thellë në poret e shoqërisë dhe qytetarëve. Kemi edhe angazhime për të luftuar korrupsionin, që është përparim në rrugën drejt Evropës. Edhe qeveritë e mëparshme luftuan kundër korrupsionit, por kjo është detyrë e shoqërisë në tërësi. Çdo institucion, çdo qytetar ka rolin e vet. Reformat kërkojnë një ndryshim mendësie brenda institucioneve, brenda sistemit ligjor, si dhe në mentalitetin e individëve”, tha Rokas.
Ambasadori Rokas theksoi se Komisioni Evropian ka dhënë rekomandime në raportin e vendit, shtetin e së drejtës dhe Këshillin Gjyqësor, të cilat janë përfshirë në Agjendën reformuese. Ai theksoi se agjenda nuk identifikon vetëm afate dhe synime specifike, por edhe burimet e nevojshme financiare për të përmbushur planin në rrugën drejt Evropës.
“Kemi nevojë për më shumë progres për të forcuar shtetin e së drejtës dhe për të futur baza të reja ligjore siç është Kodi i ri Penal, të gjitha këto janë të një rëndësie vendimtare. Ne shohim shenja inkurajuese të veprimeve të ndërmarra në drejtim të hetimeve, arrestimeve dhe vendimeve gjyqësore. Gjithashtu, në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Por është e rëndësishme që gjykatat, autoritetet gjyqësore dhe policia të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe autoritetet gjyqësore duhet të financohen në mënyrë adekuate për ta bërë këtë. Buxheti i shtetit duhet të përfshijë edhe burime financiare që tashmë janë të parapara në akte të caktuara ligjore dhe që duhet të përfshihen edhe në agjendën e reformave”, tha ai.
Pengesa kryesore për investitorët e huaj ka qenë korrupsioni –
Qeveria si institucioni kryesor ekzekutues në vend, në kuadër të së cilit funksionojnë ministritë e ndryshme e drejtori që janë përgjegjëse për tërheqjen e investitorëve të jashtëm, nuk kanë rezultuar të suksesshëm në këtë drejtim. Agjencia për Investime të huaja në letargji të thellë. Maqedonia e Veriut nuk po arrin të kalojë pragun vjetor të investimeve të huaja prej 1 miliard eurove, pavarësisht paralajmërimeve se anëtarësimi në NATO përkthehet me më shumë investime të huaja.
Vend stabil, jo kërcënues, në paqe totale por sërish Maqedonia e Veriut po dështon në tërheqjen e investitorëve të huaj në vend, dhe sigurisht që ky dështim nuk i etablohet një individi por një grupacioni të tërë që kanë mekanizma dhe janë përgjegjës për këtë çështje. Viktor Mizo, kryetari i Këshillit të Investimeve të Huaja, thotë se shteti duhet të merret me luftën kundër korrupsionit nëse duam të kemi një ekonomi më të mirë. “Korrupsioni është një problem i madh dhe i largon investitorët e huaj”, tha Viktor Mizo në “ClickPlus”.
Mizo tha se qeveria e re ka një plan dhe se prej saj priten rezultate të shpejta dhe konkrete në ekonomi, duke qenë se fitoi me diferencë të madhe ndaj kundërshtarit.
“Pritshmëritë janë të mëdha, sa më i madh të jetë diferenca mes kundërshtarëve, aq më të mëdha janë pritshmëritë. Qytetarët presin rezultate të shpejta dhe konkrete. Ekonomia duhet të jetë në fokus, nëse është e mirë do të ecim përpara. Ne presim edhe shtetin ligjor dhe zhdukjen e korrupsionit, sepse është kthyer në një fenomen masiv”, tha Mizo.
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 33 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit. /Zhurnal.mk