Agjencia Zhurnal.mk

Kosova drejt krizës për ujë të pijshëm

Prishtinë, 13 janar – Zhurnal.mk – Për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike, përveç komunës së Gjilanit, edhe qytetarët e Prishtinës dhe rrethinës, mund të ballafaqohen me krizë të ujit të pijshëm, thonë zyrtarët e Ujësjellësit Rajonal Prishtina.

Sipas autoriteteve kompetente në Prishtinë, aktualisht ka rënie të nivelit të ujit në liqenet e Badovcit dhe Batllavës, prej të cilave sigurohet uji i pijshëm për më shumë se 140 mijë konsumatorë.

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” është ndërmarrja më e madhe e furnizimit më ujë të pijes në Republikën e Kosovës, nga e cila furnizohen me ujë tetë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin Prishtinën.

Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” Ilir Abdullahu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se nëse vazhdon mungesa e reshjeve, në ditët e ardhshme kompania do të fillojë të zbatojë masat e reduktimit.

“Nëse nuk ka reshje, rezerva të ujit ka për gjashtë ose shtatë muajt e ardhshëm. Kemi minus rreth 10 metra ujë të pijes në të dy liqenet Batllavë dhe Badovc. Siç po shihet edhe gjatë kësaj jave mundësitë e reshjeve nuk janë, kështu që ne po futemi në një krizë të ujit në të ardhmen”, tha Abdullahu.

“Edhe pse deri më tani ne kemi mbajtur një furnizim me ujë për 24 orë, tashmë jemi në përpilim të një plani për fillimin e reduktimeve, aty ku mundësitë teknike ekzistojnë, në mënyrë që të menaxhohen nivelet e ujit që tani për tani i kemi”, tha Abdullahu.

Edhe në Shoqatën e Ujësjellësve të Kosovës (SHUKOS), pohojnë se mungesa e reshjeve atmosferike, ka ndikuar në zvogëlimin e sasisë së ujit në nivel vendi, por gjendje më e rëndë, sipas kësaj shoqate, paraqitet të jenë në Komunën e Gjilanit.

Komuna e Gjilanit që nga mesi i vitit të kaluar është duke u ballafaquar me mungesë të madhe të rezervave të ujit. Në këtë komunë tashmë janë duke u zbatuar reduktimet.

Muhamed Suliqi, kryetar i bordit të kësaj shoqate, njëherësh kryeshef ekzekutiv në Ujësjellësin Rajonal “Hidromorava” në Gjilan, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se për një pjesë të qytetarëve janë duke u zbatuar reduktimet nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në ora 6:00 të mëngjesit.

“Është duke ndikuar ende thatësira, nuk ka ngritje të nivelit të ujit. Nëse vazhdohet me këtë gjendje thatësie, rrezikohen edhe puset ekzistuese”, tha Suliqi.

Penda e Përlepnicës është burimi kryesor i ujit të pijes në Gjilan, ku furnizohen me ujë të pijes rreth 60 për qind e qytetarëve të Komunës së Gjilanit. Përveç kësaj, ekzistojnë edhe tri burime më të vogla, Gurit të Hoxhës, Banjës dhe puseve në Velekincë.

Sasia e reshjeve në disa zona të Kosovës, konkretisht në zonën e Anamoravës, (që përbëhet nga komuna e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës) vitin e kaluar kanë qenë nën vlerën mesatare të reshjeve që regjistrohen nga Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, pohojnë udhëheqës të këtij Instituti.

Letafete Latifi, drejtuese e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tregon për Radion Evropa e Lirë, se në vitin 2014 në stacionin matës në Përlepnicë, sasia e reshjeve ka qenë 856 litra për metër katror, ndërsa vitin e kaluar kjo sasi ka qenë 450 litra për metër katror.

Situatë e ngjashme, sipas Latifit, ka qenë edhe në stacionin matës të Batllavës.

Ndryshe edhe në ditët në vijim nuk parashikohet të ketë reshje atmosferike, tha Latifi.

“Këtë javë moti do të jetë i ngjashëm, temperatura minimale do të jetë nga -1 deri në -5 gradë celsius kurse maksimalja do të arrijë nga 3 deri në 7 gradë celsius. Ndërsa gjatë kësaj jave nuk parashihet të ketë reshje të shiut apo borës”, tha Latifi.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave.

Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batallava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë, dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...