Agjencia Zhurnal.mk

Kosova e Madhe

Shkruan FADIL LEPAJA

Kot shkruajnë gazetat ndërkombëtare për udhëheqësit e korruptuar kosovar. Kot opozita e dikurshme brohoriste shesheve të kryeqytetit se shteti nuk bëhet me hajna. Tash e tutje nuk i beson kush. Nuk vjedhin kosovarët! Ka shpresë edhe për qindra milionët e buxhetit të këthehen sërish në buxhet…

Ra një kuletë (ndërkombëtare) dhe u pamë. Ajo që ra në sy, në prapaskenat e ndeshjes Kosovë-Angli, ishte një kuletë e humbur dhe një tifoz i zhdukur. Tifozi i dehur, u gjet të nesërmen në Maqedoninë Veriore dhe iku rasti që policia e RKS të tregojë profesionalizmin e vet. Por, kuleta e tifozit Brus, është storie krejtësisht kosovare.

Gjithçka ndodhi në mënyrën dhe kohën e duhur sikur të ishte pjesë e fushatës parazgjedhore. Ra kjo ngjarje dhe u zbulua arsyeja, përse gazetarët, sponzorët, apo kushdo që të ketë paguar, paguan pa kursyer për tifozët anglez gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. Disponimi i mirë nuk ra, as pasi morëm 4 gola. Nuk luhet për gola, bre!

Ngjarja, me kuletën e cila ra nga xhepi i pasëm i tifozit anglez, është krejtësisht e vërtetë dhe si e tillë, solli ngrohtësi në marrëdhëniet në mes dy popujve, shteteve dhe tifozerive. “Dardanët” tonë dhe ata anglez, janë pararojë e kombit. Ndërkaq, sa i përket ngjarjes, ajo duket se ka rrjedhë kështu:

Tifozit anglez me emrin Bruce, prej pakujdesisë, apo pse ishte i dehur, i bie kuleta nga xhepi i pasmë, derisa ai po ngutej në pub, ku po pihej falë, mjaftonte të ishe anglez. Pastaj, hyn në skenë “gjetësi i ndershëm”, i cili e vëren që nga larg kuletën. E kapi shpejt, mbase ende pa ra në tokë, nga frika se “gjetës i pandershëm” mund të ishte më i shpejtë dhe i tërë rrëfimi për Kosovën binte në ujë. Paramendojeni po të kishte rastisur në vend të tij, ndonjë politikan! Jo, më mirë mos e paramendoni, edhe pse pak kush beson se politika mund të na turpërojë më shumë se kaq.

Por, le krejt. Ku ka ndodhur të dalë në media se i është vjedhur kuleta ndonjë tifozi të futbollit, në një vend të huaj?! Pra, nuk e hëngër njeriu qenin. Duhen rishkruajtur librat e gazetarisë. Kosovari këthen kuleten. Ky është lajm.

Merreni me mend, tash e tutje askush nuk do të dyshojë se politikanët tanë e kanë dorën e keqe, sepse imazhi i kosovarit është ndrequr përfundimisht. Europianët e ri, bre! Atë që nuk e bëri Hashimi me buxhet të shtetit, e bëri “gjetësi anonim dhe i ndershëm” i kuletës së tifozit Bruce.

“Më ra kuleta në rrugën kryesore në Prishtinë. Një djalosh hyn në lokal dhe ma ktheu, pa më marrë asgjë. Sinqerisht, Kosova është e madhe”, shkroi ai, në “Twitter”. Në kuletë kishin qenë pak a shumë, dy rroga kosovare, por djaloshi as që kishte shikuar. Ai është njëri nga heronjët e (pas)ndeshjes Kosovë-Angli.

Natyrisht, Bruce, nuk e kishte as idenë se kjo do të bëhej lajm global. Në postimin e tij, ai për herë të parë e përdori edhe shprehjen: “Kosova është e madhe”. Kjo deklaratë mund të (keq)përdoret edhe politikisht. Pas kësaj, as ” Vuçiç dhe Daçiç, nuk do të na lodhin më me akuza “EdiRamiste” për Shqipërinë e madhe, pa kufij, sepse tashmë doli termi i ri, problematik, e ky është: “Kosova e Madhe”.

Anash, politikën, por kur jemi te Anglia, mbetet e paqartë nëse ata kanë kombëtare apo përfaqësuese? Mbase, kombëtare, ashtu tipike, si e kuptojmë ne, nuk ka. Se është aty janë edhe Skocia, Wellsi, Irlanda e Veriut …! Harrova ndonjë “kombëtare” tjetër nga Britania e Madhe?

E anglezve ju ka ra kresë. Krejt Anglia mezi po pret që Kosova të kualifikohet disi, në finalen europiane. Pastaj do të shihni se çfarë është rrëfimi i vërtetë, për Kosovën. Askush deri sot nuk ka paguar ushqim dhe pije për tifozerinë angleze.

Këtu e tutje, “pakoja” kosovare turistike, për tifozët, ku përfshihen pritje “speciale” për futbollistët, edhe më “speciale” për tifozët, me ushqim dhe pije pa pare, dhe siguri maksimale për kuletat e tyre, do të jetë gjithësesi atraktive në përmasa planetare.
Bota e kuptoi. Me pi pa hesap, e mos me pague mundesh veç në “vendin musliman” të quajtur Kosovë. Kështu na quajnë në perëndim. Vend i moderuar musliman.

Kosova përndryshe është e të gjithëve. E të gjitha besimeve, e të gjithë popujve, e të gjithë shtetasve. Kanë thënë, se Kosova është Turqi, se është Serbi, ndërkohë që për befasi të gjithëve, edhe nga Shqipëria, sidomos nga tifozeria, kanë filluar të brohorisin se Kosova është Shqipëri.

.Përndryshe , me fitoren e “vetvendosjes” në media prap është hapur tema e kombëtares dhe përfaqësueses. Unë them, se nëse fitojmë nuk është me rëndësi si e quajmë. Nëse humbim, po ashtu. Përqëndrohuni në lojë, djema. Ka kush merret me rrëfimin për Kosovën. Më nuk paguan shteti, as që është me rëndësi kush paguan.

A thua? A mund të ketë qenë e gjithë kjo veç një test, për (mos) liberalizimin e vizave? E kaluam?

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...