Kosovë

Kosova në mini-Shengen, përmes Uashingtonit

Zhurnal Ads

I ashtuquajturi projekti mini-Shengen, do të mundësojë lëvizshmërinë e bizneseve dhe profesionistëve dhe do të ndihmojë në eliminimin e barrierave tregtare brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor, thonë ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë. Kjo nismë, sipas tyre, synon përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Serbia dhe Kosova me marrëveshjen për normalizimin ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, janë pajtuar t’i bashkohen zonës së mini-Shengenit, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019. Në atë kohë, Kosova e pati kundërshtuar fuqishëm këtë iniciativë.

Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit thonë se përmes projektit të mini-Shengenit do të eliminohen barrierat tregtare mes shteteve të Ballkanit Perëndimor që kanë qenë të vazhdueshme përgjatë viteve.

Mini-Shengeni, sipas ekspertëve dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, nënkupton njohjen e diplomave, njohjen reciproke të dokumentacionit, certifikatat fitosanitare dhe veterinare të lëshuara nga shtetet përkatëse.

Po ashtu, mini-Shengeni nënkupton një bashkëpunim më të mirë mes doganave të vendeve të ndryshme pa krijuar pritje të gjata dhe qarkullimin e qytetarëve nga një vend në vendin tjetër, me më pak procedura.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, tha për Radion Evropa e Lirë se integrimi ekonomik duhet të jetë paraprirës për integrim politik dhe në këtë drejtim eliminimi i barrierave në Ballkanin Perëndimor është prioritet kryesor.

“Mini-Shengeni në aspektin politik po krijon një mundësi të re që përmes dialogut dhe bashkëpunimit ekonomik të eliminohen barrierat e trashëguara me vite. Në aspektin ekonomik, është një mundësi reale për të tërhequr investime nga jashtë dhe për të fuqizuar ekonomitë vendore përmes eliminimit të barrierave. Në aspektin integrues, sa më herët që të kuptojmë rëndësinë e eliminimit të barrierave, i përshpejtojmë proceset integruese”, thotë Gërxhaliu.

Përmes mini-Shengenit, shton Gërxahliu, do të ketë një avancim të dialogut privat-privat, do të ketë një avancim të dialogut publiko-privat, do të ketë një formë të re të bashkëpunimit nga aspekti bilateral, në atë rajonal.

Kosova dhe vendet e tjera të rajonit para mini-Shengenit kanë nënshkruar edhe marrëveshje të tjera, të cilat kanë pasur për qëllim lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Gërxhaliu thotë se këto marrëveshje, përfshirë edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA, në të shumtën e rasteve nuk janë respektuar nga shtetet nënshkruese.

Por, mini-Shengeni, sipas Gërxhaliut, do të jetë diçka më serioze në këtë aspekt.

“Mini-Shengeni është një dizajn i ri dhe është draftuar në kuadër të procesit të Berlinit. Termi ‘Shengen Ballkanik’ është produkt i Berlinit, që dëshmon seriozitetin e kësaj çështjeje që nuk ka të bëjë me politika dhe rregulltiva që janë më tepër dekorative, por një konkretizim që ekonomia të jetë prioritet”, thotë ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se heqja e barrierave ndërmjet shteteve do t’u mundësojë ndërmarrjeve prodhuese dhe tregtare nga Kosova të zgjerojnë praninë e tyre në mënyrë të papenguar në tërë zonën.

Zeka shton se nuk ka dilemë që promovimi i lirisë së lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, por edhe kapitalit, do të ndikojnë në rritjen e shkëmbimit ekonomik, tregtar ndërmjet të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Mini-Shengeni e bën shumë më të mundur lëvizjen e kapitalit njerëzor dhe financiar nga njëri shtet në shtetin tjetër, sikur të ishin brenda vetë shteteve të tyre. Kjo do të eliminojë barrierat burokratike që mund të kenë ekzistuar në këtë aspekt”, thotë Zeka.

Sektori i pazhvilluar i prodhimtarisë, ndërkohë, në vazhdimësi nga ekspertët e ekonomisë ishte theksuar se po e vë Kosovën në disavantazh, kur po nënshkruhen marrëveshjen të tilla.

Brenda një viti (2019), sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, Kosova ka importuar mallra nga vende të ndryshme të botës në vlerë prej më shumë se 4 miliardë euro, derisa ka eksportuar jo më shumë se 340 milionë euro.

Por, sipas Zekës, mini-Shengeni do të mundësojë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendeve dhe do të jetë një shtysë edhe për prodhuesit vendorë në Kosovë.

“Serbia nuk do mend që është fuqi më e madhe industriale krahasuar me të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi arsyet historike se nuk kemi një bazë të fuqishme industriale, por promovimi i zonës mini- Shengen do t’iu ofrojë ndërmarrjeve prodhuese nga Kosova mundësi të reja për zgjerimin e papenguar dhe pa barriera të produkteve dhe shërbimeve të tyre përtej Kosovës edhe në shtetet ku ka pasur vështirësi për shkak të arsyeve politike”, thotë Zeka.

Postime të ngjashme

Hoxhaj nuk e mohon hyrjen në Qeveri: Kemi 24 deputet, oferta për 2 ministri dhe presidentin është joserioze

admin

Dega e VV-së në Istog reagon pas aktakuzës ndaj Haki Rugovës

admin

Grabitje e armatosur në Prishtinë

S.B.
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...