Kosovë

Kosovë, deputetët diskutojnë për gjendjen e banorëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut

Zhurnal Ads

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në një seancë parlamentare, ku u diskutuan problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave tjera në pjesën veriore të Kosovës, thanë seshqiptarëve dhe komuniteteve tjera joshumicë përjashtuar serbët, po u shkelen të drejtat dhe liritë themelore në këto rajone, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Valdete Idrizi, tha se problemi i shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut është problem i vjetër.

Ajo tha se në lokalitete ku jetojnë shqiptarët dhe komunitetet tjera në Mitrovicë të Veriut, janë ndërtuar dhjetë banesa shumëkatëshe, për vendosjen jo vetëm të serbëve të Kosovës, por edhe të serbëve që nuk janë shtetas kosovarë.

“Jemi dëshmitarë të një strategjie tejet të ashpër dhe të egër të Serbisë për shpopullimin e shqiptarëve, kohëve të fundit në veçanti, për kolonizimin e Veriut që po e bëjnë me ndërtime të shumta nëpër lagje të ndryshme të Mitrovicës së Veriut, vetëm për komunitetin serb. Dhe blerje të organizuara të pronave të shqiptarëve, në vendet ku jetojnë shqiptarët”, tha Idrizi.

Idrizi tha se nuk ka pasur rast kur në banesat që po ndërtohen në veri të jenë dhënë në pronësi të shqiptarëve, boshnjakëve, romëve, egjiptianëve apo turqve. Për këtë gjë, ajo kërkoi që të përgatitet një strategji dhe të kthehen njerëzit në pronat e veta.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Saranda Bogujevci, tha se nga vizita që ka bërë Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Mitrovicë të Veriut, ka konkluduar se shqiptarët dhe komunitetet tjera atje përballen me shkelje të lirive dhe të drejtave elementare të njeriut.

“Edhe sot, kjo pjesë e Kosovës është vendi më i rrezikshëm për të jetuar, jo vetëm për shkak të mungesës së sigurisë fizike, por edhe në aspektin socio-ekonomik këta banorë përballen me mbijetesë të përditshme. Kërkesat e këtyre banorëve janë të pakta e bazike. Ata thjeshtë duan që të kthehen nga shtëpitë e tyre nga të cilat u dëbuan 20 vite më parë. Të u mundësohet rindërtimi i shtëpive të tyre, të djegura gjatë luftës e pas luftës (së vitit 1999)”, ka thënë Bogujevci.

Ajo shtoi se janë rreth 500 prona të shqiptarëve që mbeten të uzurpuara nga serbët e veriut të Kosovës, ndërsa komuna e Mitrovicës së Veriut pengon ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve, ku secili që ka provuar një gjë të tillë “është përballur me inspektorat ose sulme fizike”.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Saranda Musliu bëri thirrje për unifikim politik në mënyrë që në këtë komunë “të sundojë ligji dhe të ndëshkohen ata që nuk i respektojnë ligjet e Kosovës”.

“Na duhet një strategji urgjente dhe unifikim i faktorit politik për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm. Nuk jemi kundër që lagjet atje të popullohen. Por, duhet të ketë barazi dhe respektim të rendit dhe të ligjit, që secili të ndërtojë dhe punojë ashtu siç e meriton e jo të bëhen selektime të tilla në baza etnike”, tha Musliu, duke shtuar se në Mitrovicë të Veriut është e kufizuar edhe lëvizja e lirë për të cilën “duhet të alarmohemi të gjithë”.

Në emër të PDK-së, Abelard Tahiri tha se debati për çështjen e banorëve në veriun e Kosovës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i vonuar. Ai tha se “është detyrë e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit që t’i trajtojë ndërtimet të cilat po ndodhin në Mitrovicë të Veriut pa leje dhe pa mbështetjen e institucioneve qendrore”.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiç, tha se deputetët e Kosovës përdorën të dhëna të pasakta gjatë fjalimeve për banorët në Mitrovicë të Veriut. Ai tha se nga Kuvendi asnjëherë nuk kanë dalë iniciativa pozitive për këtë pjesë, si dhe bëri thirrje që në Kuvendin e Kosovës të flitet edhe për serbët që jetojnë në Gjilan, Vushtrri, Prishtinë e qytete tjera.

“Ju sot keni thirrur seancë për të folur për shqiptarët në Mitrovicë të Veriut, por a pyesni se ku janë serbët që kanë jetuar në Vushtrri, në Prishtinë dhe qytete të tjera”, tha Simiç.

Simiç, i cili vjen nga Mitrovica e Veriut, tha se në bisedat që ka pasur me komunitetin serb dhe shqiptarët atje, të dyja palët kanë thënë se “çfarëdo që bëni, përmirësojeni jetën e qytetarëve këtu”.

Në seancë u propozua edhe votimi i një Rezolute nga deputetët drejtuar Qeverisë, për të marrë veprime konkrete në mbrojtën e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve dhe komuniteteve, por një gjë e tillë u shty për seancën e ardhshme.

Postime të ngjashme

Hysni Gucati jep detaje nga ato çka kishte në dosjet e Gjykatës Speciale

admin

Tri viktimat që përfunduan jetën tragjikisht, varrosen sot

admin

Policia konfiskon 28 kilogramë marihuanë në Vërmicë

S.B.
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...