Shqipëri

Krasniqi: Deputetët e inkriminuar të humbasin të drejtën e zëvendësimit

Zhurnal Ads

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, duke komentuar për Euronews Albania letrën e Ambasadores Amerikane Yuri Kim, e cila u kërkoi partive politike të mos lejojnë kandidimin e personave me lidhje me krimin, tha se duhet vullnet politik nga udhëheqësit.

Krasniqi solli në vëmendje dhe një propozim që i është bërë Këshillit Politik, që partia që ka në listë persona me rekorde kriminale ta humbasë të drejtën për ta zëvendësuar atë, pra të humbasë dhe mandatin.

“Këshillit Politik i është propozuar një draft, ku në një pikë themelore thuhej se nëse një subjekti politik i rezulton se një individ ka pasur rekorde kriminale, subjekti e humbet të drejtën për të pasur një mandat parlamentar dhe për të pasur një zëvendësues, deri më tani Këshilli Politik nuk e ka marrë në konsideratë dhe kur të rimblidhet në shtator kemi paketën e penaliteteve që është dakordësuar në vija të përgjithshme por nuk është kaluar në parlament, ndaj është detyra jonë që të ushtrojmë presion për ta nxitur Këshillin Politik që ta përfshijë edhe këtë amendament zgjedhor,” – tregoi Krasniqi.

Krasniqi i tha gazetares Esmeralda Mulaj se mesazhi i Ambasadores Kim vjen në një moment ku shumica ka ndryshuar Kushtetutën duke ia kaluar përgjegjësinë zgjedhësve për kandidatët që zgjedhin, si rrjedhojë e listave të hapura.

“[…] është një mesazh që shkon për shtat dhe vjen në kohën e duhur, por e shoh më shumë si nxitje se sa një rezultat, pasi partitë politike, të gjithë individët e inkriminuar nuk i kanë përjashtuar nga radhët e tyre, madje kemi parti që kanë ende individë me rekorde kriminale, ose që janë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, si të tilla nuk mjafton që të mos kesh kandidatë me rekorde apo të shkuar kriminale, por koncepti i dekriminalizimit është që individët me rekorde kriminale të mos jetë pjesë e vendimmarrjes politike në Shqipëri, vendimmarrje që buron nga partitë politike” – u shpreh Krasniqi, i cili këmbënguli se asnjë parti nuk duhet të promovojë në strukturat e veta individë të tillë.

I pyetur nëse i kanë mundësitë partitë politike në Shqipëri që t’i vetojnë kandidatët, Krasniqi këshilloi një mënyrë të thjeshtë dhe transparence duke publikuar në internet jetëshkrimet e kandidatëve, duke ia prezantuar kështu paraprakisht qytetarëve dhe duke pritur më pas reagimet e tyre.

“Shqipëria është kaq e vogël sa informacioni rrjedh dhe vjen direkt […] ne kemi pasur një projekt të ngjashëm dhe e kemi bërë një test të tillë dhe kemi parë që denoncimet qytetare kanë qenë të shumta dhe më pas këto denoncime ia kemi kaluar prokurorisë, që ajo më pas të kryejë hetimet e të mos ketë gjyq popullor, por diçka institucionale. Partitë i kanë këto informacione madje dhe informacione nga partnerët ndërkombëtarë. Ata i kanë të gjitha mundësitë, por ka qenë çështje vullneti dhe liderët janë të njëjtët individë që [thonë se ata] pasqyrojnë nivelin e shoqërisë shqiptare, ndërkohë që në anketime të bëra qytetarët mendojnë se parlamenti nuk e përfaqëson shoqërinë shqiptare,” – u shpreh Krasniqi.

Prej vitit 2015 pas këmbënguljes së opozitës në Shqipëri është në fuqi ligji për “Verifikimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit.

Përmes këtij ligji pati dhjetëra zyrtarë që u larguan nga postet, ndërsa pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019 kandidatë socialistë për Bashkinë Shkodër dhe Vorë si Valdrin Pjetri, apo Agim Kajmaku u vunë gjithashtu përballë këtij ligji.

Mirëpo Krasniqi u shpreh se asnjë nga personat që u goditën nga ligji i dekriminalizimit nuk ka qenë zgjedhur nga strukturat partiake, por nga emërime nga kryesia.

“Vetë struktura e partive, pavarësisht se partitë vuajnë nga korrupsioni, në thelb kanë një sens vetëpërmbajtje dhe nuk lejojnë që përfaqësuesi direkt i tyre të jetë një person me rekorde kriminale, ne kemi qarkun e Shkodrës ku partia në pushtet nuk ka drejtues për shkak se e gjithë kupola drejtuese ka dhënë dorëheqjen në shenjë reagimi ndaj individëve të imponuara nga Tirana me rekorde të tilla,” – analizoi Krasniqi duke shtuar më tej se letra e Kim kërkon që nga partitë politike të mos promovohen as figurat e korruptuara.

Më parë edhe Ambasadori Donald Lu ka adresuar një kërkesë të ngjashme me atë që të martën bëri edhe Ambasadorja Kim.

Sipas politologut Krasniqi tashmë është koha që partitë politike në Shqipëri të tregojnë se nuk kanë individë të tillë me lidhje apo të shkuar kriminale.

Ai tha se nuk ka qenë e rastësishme që individë të tillë kanë gjetur rrugë në politike, duke nënkuptuar këtu se vullneti i drejtuesve të partive politike ka qenë për t’u hapur atyre rrugë.

“Nëse dy partitë e mëdha vendosin të ndjekin standardet e reja, partitë e tjera të vogla nuk kanë shanse, me sistemin aktual zgjedhor të kenë përfaqësim, edhe sikur të dalë njeriu që ndoshta vendos të shkrijë pasurinë vetëm e vetëm për t’u bërë deputet, është e pamundur të fitojë në nivel kombëtar me prag zgjedhor […] ligjin e kemi, mjafton ta zbatojmë,” – tha Krasniqi duke theksuar se duhet vetëm vullnet.

“Mund të kemi politikanë të paaftë, mund të kemi politikanë që ndërmarrin vendime të gabuara, por të sjellësh kriminelë në politikë është kosto e madhe për vendin,” – këmbënguli Krasniqi duke e konsideruar futjen në politikë të individëve me të shkuar kriminale si dëmin më të madh që ka vuajtur vendi në 30 vitet e fundit.

Postime të ngjashme

Provimet e gjuhës gjermane bllokojnë bashkimin familjar të shqiptarëve

S.B.

Rama: Rihapja e shkollave do të shtojë të infektuarit me koronavirus në Shqipëri

admin

Sherr për kultivimin e hashashit në Malësi të Madhe/ Zhduken tre persona, dy prej tyre dyshohet se mund të jenë vrarë (Emrat)

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...