Agjencia Zhurnal.mk.

Krasniqi: Qeveria i hapi në verë dasmat e ahengjet, për të na i mbyllur në vjeshtë shkollat dhe çerdhet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit të Kosovës sërish ka ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe udhëheqësit e opozitës që të bëhen në një front të përbashkët për menaxhimin e pandemisë e cila po vazhdon të marrë jetën e qindra kosovarëve gjatë një jave.

Krasniqi tha se kryeministri Kurti nuk iu përgjigj fare në letrën e dërguar javë më parë përmes së cilës i ka ofruar bashkëpunim në menaxhimin e tragjedisë me pandeminë.

Ai tha se përballë këtij refuzimi e mos reflektimi në këto rrethana, gjërave duhet t’iu vëmë emrin e tyre përkatës.

“Për punë të mbara nuk mjaftojnë uratat, por kërkohet angazhim, reflektim dhe përgjegjësi. Pikërisht këto cilësi që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo Qeveri. Një Qeveri e mirë do ta kishte shtruar këtë çështje në rrafsh të bashkëpunimit e jo në çështje politike. Unë i ofrova bashkëpunim Kurtit për gjendjen e rënduar që kaluam për dy muaj. Por pashë një refuzim. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë. Përballë këtij refuzimi, gjërave duhet t’ua vejmë emrin. Keq-menaxhimi i Qeverisë për gjendjen e rënduar që kaluam, keqadministrim i kësaj Qeverie që jemi gati të fundit në vaksinim. Qeveria i hapi dasmat e ahenget për të na mbyllur shkollat e çerdhet”, deklaroi Krasniqi.

Deklarata e plotë e Krasniqit në Kuvend:

Meqenëse është seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit, që në fillim dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë të gjithëve, në agjendën që kemi para vetës si deputetë.

Por, meqë është seanca e parë pas një periudhe pushimi që ishte periudhe tragjike për jetën e qindra qytetarëve tanë në ballafaqim me pandeminë, për çka ju shpreh ngushellime të gjitha familjeve që humbën më të dashurit e tyre, nuk mund ta lë pa e thënë se për punë të mbara, nuk mjaftojnë uratat, as fjalët dhe as dëshirat.

Për punë të mbara, kërkohet reflektim, angazhim dhe ballafaqim me përgjegjësitë që kemi gjithsecili prej nesh.

Reflektim, angazhim e përgjegjësi, pikërisht këto anë, që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo qeveri gjatë kësaj periudhe.

Çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, një ballafaqim të tillë me rrethanat pandemike në të cilat gjendemi sot, do të duhej ta kishte shtruar në një rrafsh social e kombëtar, e kurrsesi jo në atë politik.

Në një rrafsh të bashkëpunimit, e jo të refuzimit.

Sepse pasojat tragjike dhe rrethanat e rënduara për qytetarët nga pandemia, nuk janë çështje politike. Janë çështje publike dhe emergjente.

Pushteti mund t’i takojë dikujt në një kohë të caktuar, por publikja na takon të gjithëve në çdo kohë, prandaj edhe kemi përgjegjësi për të, e rreth saj.

Pikërisht për shkak të kësaj përgjegjësie ndaj gjendjes së rëndë që kishim gjatë dy muajve të fundit, unë ju drejtova me një letër kryeministrit Kurti, për t’i ofruar bashkëpunimin tim dhe të PDK-së, madje duke ftuar edhe partitë tjera opozitare,
që të ulemi së bashku e të gjejmë mundësi dhe alternativë, për një përgjigje shumë më efikase ndaj rrethanave të rënduara.

Megjithëse isha në fille të drejtimit të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk doja të ndiqja shembullin që e ka vendosur vetë z. Kurti, duke krijuar ndasi politike për shkak të qëndrimeve partiake edhe për tema të rëndësisë nacionale, sepse një model të tillë e kemi parë dhe e kanë parë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Një model i tillë, prodhon kriza, por nuk zgjidhë kurrfarë krize.

Prandaj përballë kësaj nevoje emergjente, unë pashë në drejtim të Kosovës, e jo vetëm në drejtim të partisë që e drejtoj.

Sepse, Kosova është emëruesi i përbashkët i të gjithë neve.

Prandaj, kam besuar e besoj se përballë kësaj gjendjeje, do të duhej të ishim një front i përbashkët përtej politik.

Por, kryeministri Kurti refuzoi një angazhim të tillë të përbashkët. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë.

Ndërsa, numri i vdekjeve, rritej e bëhej treshifror çdo javë.

Përballë këtij refuzimi e mos reflektimi në këto rrethana, gjërave duhet t’iu vëmë emrin e tyre përkatës.

Ishte keq menaxhimi i qeverisë, shkaku që i prodhoi këto pasoja.

Ishte keqadministrimi i qeverisë, shkaku që jemi ndër të fundit në Europë në procesin e vaksinimit, ndërsa hedhim vaksina që iu kalon afati pa i administruar.

Ishte keq planifikimi i kësaj qeverie, që ka lënë qindra profesionistë shëndetësorë të pa angazhuar e të pambështetur në ditët më të ngarkuara të punës së tyre.

Dhe pa asnjë dyshim, ishte leximi i gabuar i krejt rrethanave paralajmëruese rreth rrezikut të variantit Delta, pikërisht në kohën kur kjo qeveri, e kishte lëshuar përtokë obligimin për të menaxhuar rrezikun e përhapjes së këtij varianti.

Sepse, qeveria i hapi në verë dasmat e ahengjet, për të na i mbyllur në vjeshtë shkollat dhe çerdhet.

Pra, përgjegjësia për këtë gjëndje, i takon vetëm kësaj qeverie.

Por, edhe pse ne nuk do t’i mbyllim asnjëherë sytë përballë dështimeve që kanë shkaktuar këtë gjendje, nuk do të bëhemi kurrë oportunistë politikë kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve.

Prandaj, unë besoj edhe sot se duhet një front i përbashkët për t’ua lehtësuar qytetarëve tanë ballafaqimin me pandeminë COVID19.

Sepse, ndonëse fatmirësisht ka filluar të bie numri i rasteve, nuk ka garanci se gjendja nuk do të përkeqësohet më vonë.

Dhe kur jemi tek qytetarët, ata me 17 tetor, do të vendosin për qeveritë e tyre lokale. Është e domosdoshme që ata të kenë mundësi të zgjedhin e të përcaktohen mirëfilli për kandidatët në të cilët besojnë se iu përgjigjen nevojave të tyre.

Është mirë që fushata t’ju lihet kandidatëve, atyre që iu takon përgjegjësia e llogaridhënia para qytetareve të komunave të Republikës së Kosovës.

Related posts

Abdixhiku: Femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme

D V

Çfarë thuhet në aktakuzën e vitit 2021 ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas në Pejë?

D V

Sondazhi i IRI: Kosova e sheh Serbinë si kërcënim, ndërsa Serbia i konsideron SHBA-të

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy