Kreditë e shpejta fajde legale apo mbështetje financiare?

nga I.A

Shkup, 13 qershor – Në një sistem të drejtë financiar, përfitimi nuk duhet të ndërtohet mbi varfërinë, padijen ose momentet e dëshpërimit të qytetarëve. Prandaj, në këtë realitet ekonomik të rënduar, ku çdo euro e qytetarit llogaritet me kujdes, kreditë e shpejta janë shndërruar nga një ndihmë emergjente në një kurth të rrezikshëm borxhi. Të dhënat janë shqetësuese nga rreth 200.000 kredi të tilla të dhëna, 30.000 nuk mund të shlyhen prej më shumë se 15 vitesh. Pra, një në shtatë kredi ka dështuar një tregues alarmant që nuk mund të mbulohet me fraza teknike apo justifikime për “eksperiencë të konsumatorit”. Kjo situatë rëndon edhe më shumë jetën e qytetarëve të cilët edhe ashtu janë në prag të varfërisë ekstreme, prandaj është e rendit që institucionet të veprojnë, shkruan Zhurnal.

Institucionet kanë detyrim të mbrojnë qytetarët nga rrathët e borxhit dhe varfëria e strukturuar –

Në një sistem të drejtë financiar, përfitimi nuk duhet të ndërtohet mbi varfërinë, padijen ose momentet e dëshpërimit të qytetarëve. E megjithatë, përmes një rregulloreje që e lejon kredidhënien deri në 70% të të ardhurave mujore të individit, shumë qytetarë ngelen me vetëm 30% për mbijetesë një përqindje që, në praktikë, është e pamjaftueshme për të siguruar nevojat bazë të jetesës.

Këto të ashtuquajtura “shoqëri jobankare financiare” funksionojnë në kufirin e hollë midis legalitetit dhe fajdes. Ndryshe nga bankat, ato janë më pak të mbikëqyrura dhe shpesh kanë praktika të dyshimta të vlerësimit të rrezikut kreditor. Fakti që kreditë e dështuara në këtë sektor përbëjnë 13-14% të totalit, ndërsa normat e interesit vetëm kohët e fundit kanë filluar të afrohen me ato bankare, flet shumë për natyrën e pasigurt dhe shpesh abuzive të këtij segmenti financiar.

Shifrat janë gjithashtu domethënëse 172 milion euro kredi të shpërndara në vitin 2024, krahasuar me gati 8 miliardë euro nga sektori bankar, tregojnë se pjesa e tregut është e vogël (vetëm 2.1%), por impakti social i saj është disporporcionalisht i lartë. Kjo për shkak se klientët e këtyre kredive zakonisht janë personat më të pambrojtur ekonomikisht, që nuk mund të përmbushin kriteret strikte të bankave dhe përfundojnë në një sistem kreditor më pak të rregulluar, por shumë më të rrezikshëm.

Shteti nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë spektator –

Institucionet shtetërore nuk mund të mjaftohen me thirrje për “vetëdijesim” ose deklarata se janë përforcuar kontrollet. Ato kanë përgjegjësinë themelore për të mbrojtur qytetarët nga format moderne të skllavërisë financiare. Njerëzit që hyjnë në borxh nuk janë gjithmonë të papërgjegjshëm shumë prej tyre janë të dëshpëruar, të sëmurë, të papunë apo me të ardhura minimale.

Praktika të dyshimta si ajo e shfrytëzimit të prindërve apo gjyshërve për të marrë kredi në mënyrë të përsëritur, ende nuk janë dokumentuar plotësisht sipas grupacionit që përfaqëson këto kompani. Por mungesa e statistikave nuk është provë pafajësie, sidomos në një treg ku kontrolli është i fragmentuar dhe ku shumë transaksione zhvillohen me ritme që tejkalojnë kapacitetin e monitorimit.

Në vend që të lejohet një rritje pa kontroll e këtij sektori, shteti duhet të vendosë kufij të qartë për nivelin e interesit, përqindjen e të ardhurave që mund të shkojnë për kredi dhe transparencën e plotë të kontratave. Po ashtu, duhet të ndalohet me ligj dhënia e kredive të shumëfishta brenda një afati të shkurtër kohe dhe të vendoset një sistem i detyrueshëm i këshillimit financiar për personat me histori të dobët kredie. Paralelisht, duhet krijuar një mekanizëm ankimor i pavarur dhe i efektshëm ku qytetarët mund të denoncojnë praktikat abuzive. Odat, grupacionet ose kodekset etike që miratohen vetë nga shoqëritë nuk mjaftojnë vetë-rregullimi nuk funksionon kur interesi financiar është më i fortë se interesi për drejtësi.

Pyetja që duhet të shtrojmë nuk është vetëm teknike sa është norma e interesit apo përqindja e humbjeve? Pyetja është sociale dhe morale a duam një sistem financiar që mbështet qytetarët në nevojë apo një që i fundos ata në borxhe të pafundme? Nëse shteti nuk ndërhyn tani, nuk do të jetë vetëm borxhi që do të rritet, por edhe mosbesimi qytetar dhe ndjenja se shteti mbron më shumë kapitalin sesa njeriun. Dhe kjo është një faturë që nuk shlyhet as me norma të ulëta interesi. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More