Kremlini e quajti sot statusin jo-anëtar të Kievit në NATO një “gurthemel” në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukraine, pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pranoi se disa nga anëtarët e aleancës ishin kundër bashkimit të vendit të tij me bllokun.
“Kjo çështje është një nga gurthemelet dhe kërkon diskutim të veçantë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov gjatë një informimi të përditshëm.
“Rusia pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të na informojnë rreth konceptit – që po diskutohet sot në Berlin”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe i dërguari i SHBA-së, Jared Kushner kanë mbërritur sot në Berlin, për të vazhduar me bisedimet e paqes në Ukrainë.
Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së Donald Trump, është pjesë e delegacionit amerikan – të udhëhequr nga i dërguari special Steve Witkoff.
Të dyja palët zhvilluan bisedime për më shumë se pesë orë dje në Berlin, ndërsa përpjekjet rriten për dakordësimin e një plani paqeje të pranueshëm për Ukrainën.
Witkoff u shpreh optimist pas bisedimeve të djeshme, duke thënë se kishte patur shumë progres.
Propozimet specifike – që aktualisht janë pjesë e bisedimeve nuk dihen publikisht – por negociatat besohet se do të përqendrohen në çështjen e lëshimeve territoriale, garancitë perëndimore të sigurisë për Kievin – për të penguar sulmet e mëtejshme ruse pas arritjes së marrëveshjes së paqes, si dhe përdorimin e aseteve ruse që aktualisht janë të ngrira për shkak të sanksioneve të BE-së.
Zelensky do të pritet gjithashtu nga kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe do të zhvillojë sot në mbrëmje bisedime me udhëheqës evropianë, përfshirë kryeministrin britanik, Keir Starmer dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

