Kryekomisioneri Shtetëror Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka zhvilluar sot një takim pune me Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Olsian Çela.
Sipas Celibasht diskutimet u fokusuan në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm, të lirë dhe të pacenuar nga paligjshmëria.
“Në përfundim të takimit, u dakordësuam mbi një qasje të re, më proaktive, për të hetuar dhe ndjekur penalisht shkeljet e ligjit zgjedhor, veçanërisht ato që lidhen me veprat penale të hetueshme nga Prokuroria në procesin elektoral. Ky angazhim synon parandalimin dhe ndëshkimin e çdo përpjekjeje që cenon integritetin e zgjedhjeve”, shkruan Celibashi në një njoftim në rrjetet sociale.
Celibashi thekson më tej se për të forcuar mbikëqyrjen dhe ndërhyrjen e shpejtë në rastet e parregullsive zgjedhore, KQZ Shqipëri dhe Prokuroria e Përgjithshme do të shtrijnë bashkëpunimin edhe me Policinë e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit.
“Gjithashtu, dy institucionet do të vendosin në funksionim një protokoll koordinimi institucional, i cili do të përfshijë caktimin e personave të kontaktit nga Prokuroria e Përgjithshme, të stacionuar pranë KQZ-së, me akses të plotë në kohë reale të informacionit që vjen nga çdo qendër zgjedhore”, shkruan Celibashi.
Kryekomisioneri i KQZ thekson se “Prokurori i Përgjithshëm më bëri me dije se janë duke u planifikuar një sërë masa në drejtim të organizimit të strukturave të prokurorisë që do të trajtojnë çështjet dhe detyrat zgjedhore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, duke adresuar në kohë çdo aktivitet të paligjshëm që mund të dëmtojë zgjedhjet”.
“Protokolli i koordinimit institucional për procesin zgjedhor do të garantojë shkëmbim të shpejtë dhe profesional të të dhënave, si dhe bashkëpunim të ngushtë për ndjekjen e rasteve të shkeljeve të ligjit zgjedhor. Së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm riafirmuam angazhimin maksimal për të garantuar një proces zgjedhor të besueshëm dhe të mbrojtur nga çdo formë ndërhyrjeje apo abuzimi”, shkruan Celibashi.
Çela në një prononcim për mediat deklaroi se po bëhet gjithçka për të rritur bashkëpunimin mes institucioneve.
“Ka shumë për të bërë, mund të bëhet edhe më mirë. Prokuroria është përpjekur të bëjë Brenda mundësive, maksimumin sa i takon krimeve zgjedhore. Ka raste të suksesit, por ka edhe gjëra që nuk kanë shkuar mire”, tha Çela.
Çela shtoi se “këtë vit kemi vendosur të ndërmarrim një sërë veprimesh që synojnë në rritje të eficiencës që kanë të bëjnë me bashkëpunimin mes institucioneve”.
“Javën e kaluar pata një takim me drejtorin e policisë dhe diskutuam si do organizohemi gjatë procesit zgjedhor që të sigurojmë një përgjigje efikase ndaj fenomenit të krimit zgjedhor. Ashtu si sot në diskutimin që kisha me z.Celibashi kemi për objektiv të rrisim maksimizojmë eficiencën e ndërveprimit të KQZ dhe sistemit të prokurorisë. Ajo që ne synojnë është transmetimi i shpejtë i informacionit, vlerësimi në kohë reale dhe përgjigja në kohë reale e prokurorisë, ndaj çdo sinjalizimi për çdo shkelje që kanë të bëjnë me procesin elektoral dhe që përbëjnë vepër penale”, tha Çela.
I pyetur në lidhje me kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një taskforce në lidhje me krimet zgjedhore, Çela tha se prokuroria funksionon brenda kuadrit ligjor në fuqi dhe se çdo masë që do merret në pikëpamje të organizimit institucional do jetë brenda asaj që mundëson kuadri ligjor.
“Ne jemi në momentet e fundit të hartimit të një sërë masash të cilat synojnë riorganizimin e strukturave tona në përputhje me nevojat që ka hetimi i krimit zgjedhor, ku jemi duke bashkëpunuar edhe me Policinë e Shteti. Masat synojnë të jenë gjithë përfshirëse dhe ne funksion të hetimit të krimeve zgjedhore”, tha Çela. /j.p/