Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni TOP LAJM

Kritika për kushtet në burgjet në Maqedoninë e Veriut, brutaliteti policor në rritje

 Shkup, 11 maj – Zhurnal – Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (KPT) sot në Strasburg, pasi mori miratimin e autoriteteve vendase, publikoi raportin për vizitën e 5-të periodike në Maqedoninë e Veriut, së bashku me përgjigjen ndaj autoriteteve të vendit. Gjatë vizitës, u përcaktua se brutaliteti policor është në rritje dhe se autoritetet nuk kanë arritur të marrin masa të mjaftueshme për të adresuar mangësitë strukturore për një kohë të gjatë në sistemin e burgjeve, raporton korrespondentja e MIA-s.

Gjatë vizitës, e cila u zhvillua nga data 2 deri më 12 dhjetor të vitit 2019, delegacioni i KPT-së mori akuza të shumta për keqtrajtim fizik të shkaktuar nga oficerët e policisë ndaj të dyshuarve për krime. Ata iu ankuan delegacionit të KPT-së se ishin goditur me shuplaka, grushte ose shkelma dhe rrahur me shkop ose sende të tjera gjatë arrestimit të tyre ose në një stacion policie për të marrë një rrëfim prej tyre. Raporti me 101 faqe përshkruan disa raste në të cilat delegacioni mblodhi prova mjekësore për të mbështetur këto pretendime.

KPT rekomandon të merren një numër masash nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, përgjegjësia e veçantë dhe e plotë e oficerëve të lartë të policisë për sjelljen e vartësve të tyre dhe trajnimin në teknikat moderne të hetimit penal. Për më tepër, masat mbrojtëse ligjore, të tilla si aksesi tek një avokat dhe informimi i një pale të tretë për privimin e lirisë së një personi, duhet të zbatohen që nga fillimi i kësaj mase. Gjithashtu, sipas KPT-së, duhet të përmirësohet efektiviteti i hetimit për pretendimet e keqtrajtimit.

Raporti i KPT-së, i miratuar në 3 korrik të vitit 2020, është shumë kritik ndaj refuzimit të vazhdueshëm të autoriteteve për të korrigjuar disa mangësi themelore në sistemin e burgjeve. KPT konsideron se është i nevojshëm një veprim i menjëhershëm për të adresuar mungesën e një qëndrimi profesional për t’u marrë me situatën komplekse të sistemit të burgjeve, menaxhim të dobët dhe performancë të dobët të stafit, personel të pamjaftueshëm, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor të ofruar për të burgosurit. Gjithashtu mungesa e një regjimi të përshtatur që u ofrohet të burgosurve, nivele të larta dhune mes të burgosurve, kushte të mjerueshme materiale dhe korrupsion endemik i stafit.

Këto probleme janë më të ashpra në Burgun e Idrizovës, në të cilin janë mbi 60 për qind e të burgosurve të vendit. Raporti përshkruan në detaje kushtet çnjerëzore dhe degraduese të vëzhguara në zonat kryesore të akomodimit të këtij burgu.

KPT, rikujton edhe një herë mangësitë prej shumë kohësh në burgun e Shkupit, si për sa i përket kushteve materiale, ashtu edhe mungesës të çfarëdo lloj regjimi motivues.

Në burgun e Ohrit, disa të mitur të burgosur konfirmuan se ishin goditur me shuplaka, grushte, shkopinj dhe ishin keqtrajtuar. KPT rekomandon që stafi të trajnohet në teknikat e lehtësimit të stresit dhe masat e kufizimit dhe që menaxhmenti të sigurojë mbikëqyrje më të mirë të punës së tyre. Gjithashtu, sipas KPT-së, është thelbësore që të gjithë të miturit e ndaluar në këtë institucion të marrin një program gjithëpërfshirës të aktiviteteve të përshtatura për nevojat e tyre, gjë që nuk është vërejtur gjatë vizitës së delegacionit të KPT-së.

Lidhur me spitalet psikiatrike në Demir Hisar dhe Negorci, KPT rekomandon që të merren masa për rritjen e numrit të psikiatërve, zhvillimin e aktiviteteve psikosociale dhe terapeutike bazuar në një qasje multidisiplinare dhe krijimin e protokolleve të trajtimit individual për pacientët. Në spitalin në Demir Hisar, duhet të ndërmerren hapa për të siguruar që të gjithë pacientët të mund të përfitojnë vërtet nga ushtrimet në natyrë çdo ditë. Në përgjithësi, duhet bërë shumë më tepër për të avancuar procesin e deinstitucionalizimit duke për të krijuar shërbime të përshtatshme të shëndetit mendor në komunitet.

Në Institucionin e Posaçëm për Personat me Aftësi të Kufizuara Intelektuale në Demir Kapia, institucioni kryesor i mbrojtjes sociale në vend, KPT në raport u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut të lejojnë akses të rregullt jashtë për të gjithë banorët, për të rritur numrin e stafit përgjegjës për kujdesin për banorët dhe rritjen e furnizimit me aktivitete rehabilituese. Përveç kësaj, gjykatat duhet të rishikojnë rregullisht dhe në mënyrë të menjëhershme vendimet e strehimit.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut në përgjigjen e tyre në faqen 31 japin informacion të detajuar mbi masat e marra për të zbatuar rekomandimet e dhëna nga KPT. Në veçanti, autoritetet raportojnë për masat e marra në përgjigje të kërkesave urgjente të KPT-së, përkatësisht mbylljen e pavijoneve të caktuara problematike në Burgun e Idrizovës, furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm në Burgun e Kumanovës dhe rinovimin e Burgut të Shkupit. Përveç kësaj, jepen informacione për hapjen e Qendrës Edukuese dhe Riedukuese të Tetovës për të mitur dhe për rinovimin e pavijoneve në Spitalin Psikiatrik Negorci dhe Institucionin Special Demir Kapia.

Në konferencën për shtyp për prezantimin e raportit vjetor për vitin 2020, KPT gjatë vizitës së tij ad hoc në Maqedoninë e Veriut më 9 dhjetor të vitit 2020 u përpoq të intensifikonte dialogun e vazhdueshëm përmes bisedimeve të nivelit të lartë.

„Bisedimet e nivelit të lartë, në të cilat përfshihet kryeministri i Maqedonisë së Veriut, tregojnë përkushtimin e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për t’u përfshirë dhe zbatuar rekomandimet e KPT-së”, theksoi kryetari i KPT-së Alan Miçell.

Diskutimi nxori në pah nevojën për një shërbim profesional të burgut me udhëzime të qarta dhe mbikëqyrje efektive se si të menaxhohet. Gjithashtu u tha që Ministria e Shëndetësisë duhet të investojë më shumë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të ofruar për të burgosurit. Është diskutuar gjithashtu për masat e nevojshme për t’u siguruar të burgosurve kushte minimale në burgjet e Idrizovës dhe Shkupit dhe për të vendosur një regjim stimulues.

Por, edhe përkundër vizitës në dhjetor të KPT-së dhe bisedimeve të nivelit të lartë, Avokati i Popullit i Maqedonisë së Veriut lidhur me ankesën e Jordan Kamçev, përmes firmës ligjore “Menkinovski”, gjatë vizitës së tij në burgun e Shkupit, “deklaroi se akomodimin në dhomën e parë ku J Kamçev, u transferua pas njoftimit të vizitës së ombudsmanit, e konsideron si një trajtim çnjerëzor dhe degradues të një personi të ndaluar.” Kjo ankesë iu përcoll KPT-së në Strasburg.

Majkëll Nevauter, zëvendës-sekretar ekzekutiv, shef i departamentit në KPT, në lidhje me vizitën në Maqedoninë e veriut dhe ankesën e fundit nga vendi tha: “Kjo tregon se ka çështje

serioze që duhet të zgjidhen, ndërsa në lidhje me vizitën nga viti 2019; konsultime intensive janë duke u zhvilluar midis KPT-së dhe Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të zbatohen rekomandimet e raportit të mëparshëm.

Sipas rekomandimeve të Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues ose Ndëshkimit, konsultat e tilla duhet të mbahen sekrete, duhet të mbahen konfidenciale por të kundërtën e tregon fakti që konsultime të tilla që u zhvilluan në dhjetor të vitit 2020 u bënë publike, kur ish-kryetari i KPT-së u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut . “Por gjërat po ndryshojnë, shpresojmë në një drejtim pozitiv,” konkludoi Nevauter.

Postime të ngjashme

Policia vazhdon me gjobat për tejkalim shpejtësie, 67 dënime në autostradën Shkup – Veles

Dafina Vidishiqi

BESA fillon riorganizimin e degës së Bogovinës, themelohet nëndega në Pirok

Dafina Vidishiqi

MPB: 3 të lënduarit në aksidentin e autobusit, refuzuan intervenimin mjekësor!

Dafina Vidishiqi

Bakiu: Jemi kundër zgjedhjes së kryetarëve të komunave me një raund të vetëm

Dafina Vidishiqi

Moti gjatë ditës së nesërme në Maqedoni

Dafina Vidishiqi

Pendarovski – Erdogan: Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të forta dhe miqësore

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...