Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi të shtunën një bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken mbi konfliktin që po vazhdon midis Palestinës dhe Izraelit.
Gjatë telefonatës së bërë me kërkesë të palës amerikane, Blinken dha një panoramë për vizitën e tij në Lindjen e Mesme dhe foli për qëndrimin e Uashingtonit ndaj konfliktit, sipas një deklarate për bisedimet të publikuar nga Ministria e Jashtme e Kinës.
Wang, i cili është gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se konflikti palestinezo-izraelit po përshkallëzohet dhe rrezikon “të dalë jashtë kontrollit”. Ai përsëriti se Kina kundërshton të gjitha aktet që dëmtojnë civilët dhe dënon të gjitha praktikat që shkelin ligjin ndërkombëtar, duke shtuar se ruajtja e sigurisë nuk mund të realizohet në kurriz të dëmtimit të civilëve të pafajshëm. “Nuk ka rrugëdalje përmes mjeteve ushtarake dhe përdorimi i dhunës për të luftuar dhunën do të krijojë vetëm një rreth vicioz.” – tha Wang.
Bisedimet midis diplomatit të lartë kinez dhe atij amerikan vijnë një javë pas shpërthimit të konfliktit Izrael-Hamas më 7 tetor. Deri të shtunën, raundi i fundit i dhunës i ka marrë jetën mbi 3.500 personave nga të dyja palët, duke përfshirë 2.215 palestinezë dhe më shumë se 1.300 izraelitë, sipas autoriteteve nga të dyja palët.
Prioriteti urgjent është përfundimi i armiqësive dhe depërshkallëzimi për të shmangur një fatkeqësi humanitare përkeqësuese, respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar dhe hapja e një korridori humanitar dhe mbështetja e Kombeve të Bashkuara në ndërtimin e konsensusit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit për të luajtur rolin e duhur, shtoi Wang gjatë telefonatës të së shtunës. Ai theksoi se rruga themelore për zgjidhjen e çështjes palestineze qëndron në zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, krijimin e një shteti të pavarur të Palestinës dhe realizimin e bashkëjetesës paqësore mes Palestinës dhe Izraelit, citon CMG.

Kina bën thirrje për thirrjen e një konference ndërkombëtare paqeje sa më shpejt të jetë e mundur për të ndërtuar një konsensus të gjerë, shtoi ai. Kur merren me çështje të nxehta ndërkombëtare ose rajonale, vendet kryesore duhet t’i përmbahen objektivitetit dhe drejtësisë, të ruajnë qetësinë e përmbajtjen dhe të marrin drejtimin në respektimin e ligjit ndërkombëtar, tha Wang. Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë përpjekje reale për të luajtur një rol konstruktiv dhe për ta kthyer çështjen sa më parë në rrugën e zgjidhjes politike, shtoi ai.
Nga ana e tij, Blinken tha se ShBA-të mbështesin zgjidhjen e çështjes mes Palestinës dhe Izraelit përmes zgjidhjes me dy shtete, mbështesin Kombet e Bashkuara në luajtjen e rolit të tyre në zbutjen e tensioneve e ofrimin e ndihmës humanitare dhe janë të gatshme për të forcuar komunikimin dhe koordinimin me Kinën.