Agjencia Zhurnal.mk
Opinion

Kryeministrin nuk e kapë satira

Shkruan, Fadil Lepaja

Nuk e kapë sharra, po më thoshte këto ditë, në mënyrë metaforike, një mik i imi “analist” . E kishte fjalën për kryeministrin aktual, njeriun e qetë dhe të butë të politikës së hutuar kosovare. As nuk po munden me e rrëzua, as nuk po mundet me qeverisë, po më thoshte. Në shtet po bon kush çka po do, e besa edhe çka po mundet. Llafe hesapi.

Tash, ky miku, nuk është se është ndonjë analist i famshëm i medias tonë problematike e cila me porosi rrëzon e ngre qeveri, krijon e prishë koalicione, apo informon përmes statuseve politikën e lartë, se çka mendon shefi, në qendrën e botës, nga i cili sapo kanë marrë instruksionet me Twitter, apo rrjetet e tjera (a)sociale.

Ky është një asi tipi i analistit të kafeneve, të cilët për dy qaja të rusit e komentojnë pa kompleks politikën e lartë amerikane edhe euro-atlantike. Aq më tepër ky lloji i çajit pra, kishte rëndësi kur Rusia në kurset Online të politikës tonë po kalonte nga shtylla e armiqve në atë të aleatëve dhe në Ballkan po shiheshin konturat e mundshme të një marrëveshje ruso-turke për regjionin. Kjo u bë aq e dukshme, sidomos nga fotografitë e ish presidentit kosovar me presidentin rus Putin, të cilat donin të tregonin për caqet dhe rolin që mund të lozte politika kosovare në marrëdhëniet SHBA-Rusi, pra në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fund të fundit, a nuk duhej bërë mik, armiku të cilin nuk e mund dot? Këto janë mësime të cilat politika jonë i ka mësuar qysh nga filmat vizatimorë.

Nuk është aq vështirë me e kuptua këtë metaforë, atë për sharrën dhe kryeministrin, sidomos për një kosovar. Është e vështirë që këtë metaforë të e përkthesh në një gjuhë të huaj. Si ta thuash këtë e të mos tingëllojë dhunshëm dhe të mos keqkuptohet metafora.

Nuk e kapë as ironia, i thashë unë. Krahasuar me ish presidentin, ish kryeministrat, përfshi edhe të parafundit. Për shembull, presidentin e kapte jo vetëm ironia, e sidomos satira. Në fund e kapi edhe sharra politike, sharra e administratës më të fuqishme në botë. Kjo administratë, le presidentin tonë, por e mundi edhe presidentin e vet i cili provoi të punonte pa këtë administratë, veç me emisarë që krijojnë apo zgjidhin konflikte. Jeta është konflikt, dukej të ishte motoja e tij dhe nisur nga kjo ai po mblidhte rreth vetes tipa konfliktesh nëpër botë dhe po i rreshtonte. Një konflikt i mirë nuk lihet pa u shfrytëzuar për të fituar një paqe, dhe një sukses. Suksesi, është më i rëndësishëm për disa politikanë sesa paqja apo sesa lufta aq sa këto të dyja dhe shumë instrumente të tjera të politikës janë veç në funksion të suksesit. Suksesi sjell mandatin.

Por, ky në fakt nuk është një profil politikani, i cili më shumë ngjanë të jetë teknokrat se sa partizan i ndonjë ideje, apo ujk i ndonjë politike që ka shënjuar vathën që do të shqyej. Ky pa fajin e vet u gjet në vorbullën, apo më saktë thënë, në vallen ndërkombëtare të ujqërve. Edhe kur u ul në karrigen e famshme të nxënësit përballë mësuesit, në zyrën ovale, ai nuk ngjalli komente satirike. Ai e mori përsipër që me butësi të bëjë një kthesë të ashpër duke ndjekur gishtin tregues të ish presidentit dhe tash ka mbetur në zonë neutrale.

Pra, tash kur të gjithë që e tërhiqnin rimorkion politike të qerren e politikës kosovare, autostradave globale, kanë dalë prej loje, mbi Prishtinë kemi një mjegull të madhe dhe një kryeministër të ulur në bisht te kerrit, të ndalur në pushimoret e këtyre autostradave duke pritur të i thonë të niset dikah. Këndej kemi një popull që heshtë, një politikë që po grabitë çka të mundet, derisa mjegulla të daravitet dhe sërish të rivendoset njëfarë kontrolli mbi buxhet.

Nuk e ha sharra, flitej në popull dikur edhe për ish presidentin historik të këtij vendi, njeriun kur ishte president edhe kur Kosova me kushtetutë nuk e kishte një të tillë. Ai ishte president edhe kur Kosova nuk ishte shtet, por ai e drejtonte një popull duke ja dëgjuar rrahjet e zemrës, dëshirat dhe frikën. Rugovën në fakt, nuk e kapte as ironia, ndërkohë që pasardhësin e tij të mundshëm në krye të partisë, nuk po e kapë satira. I shkriftë, pragmatik, me letrën e djegur antiamerikane në dorë me të cilën etiketuan kundërshtarët, kryeministri vazhdon të shkojë në zyrën e tij të cilën tani për tani nuk kanë fuqi të ja marrin, përpos nëse kushtetuesja nuk vendosë të e rikthej atë në postin e zëvendës kryeministrit për të rikthyer në pushtet koalicionin i cili mund të shpërndajë mjegullën sërish. Kjo natyrisht, mund të i bëjë ujqërit të ulërijnë përsëri.

Ajo që mbetet, nga kjo, situatë është, ideja tjetër e mikut tim analist, se kryeministri me butësinë e vet, mund të bëhet i fuqishëm vetëm si kryetar i ardhshëm i LDK-së, e cila prej një partie të butë, nën shkopin e dirigjentit të ish presidentit Thaçi, i cili dirigjonte disa nga violinat e para, kishin filluar të ulërinin si ujq. Sido që të jetë, ashtu si ka mbetur PDK pa kokë, ashtu edhe LDK vështirë se mund të këndellet pa një kryetar të ri, dhe profili i shkriftë i kryeministrit aktual, i përshtatet si është më së miri një strukture pragmatike dhe jo luftarake si është historikisht dhe aktualisht, ajo e LDK-së. I butë, qëllim mirë dhe këmbëngulës, kjo po që mund të jetë frymë rugoviane.

Postime të ngjashme

Kur do të zgjohemi ne shqiptarët?

Z H

Përtej shkundjes së perëndimit

Z H

TI JE VETËM NJERI, ALBIN!

Bexhet Musliu

Shteti i kapur nga oligarët

Bexhet Musliu

Poshtë regjimi!

D J

E kujt është Republika?

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...