Qyteti Guimarães në Portugali do të jetë Kryeqyteti i Gjelbër Europian për vitin 2026.
Sipas Komisionit Europian, qyteti u dallua për angazhimin e tij të vazhdueshëm ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, me rezultate të jashtëzakonshme për cilësinë e ajrit, ndotjen akustike, ujin, biodiversitetin, zonat e gjelbra dhe përdorimin e tokës, mbetjet dhe ekonominë me cikël të mbyllur si dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Komisioni tha se Guimarães ka treguar një vizion që bashkon qytetarët, botën akademike dhe sektorin privat.
Motoja e bashkisë “One Planet City” u vlerësua gjithashtu për qasjen e saj, që ndërthur shkencën me planifikimin lokal.
Guimarães doli në krye kundër qyteteve Heilbronn në Gjermani dhe Klagenfurt në Austri.
Komuna e Guimarães do të marrë një çmim prej 600,000 €, për të ndihmuar në rritjen e qëndrueshmërisë mjedisore.
Guimarães është një qytet në distriktin verior portugez të Bragas, ku jetojnë rreth 156,000 njerëz.
Qendra historike e qytetit është renditur si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe, për shkak të rolit të tij në themelimin e vendit, njihet si “djepi i kombësisë portugeze”.
Çfarë ka planifikuar Guimarães?
Kryetari i bashkisë së Guimarães, Domingos Bragança, falënderoi të gjithë komunitetin e qytetit “nga studentët e shkollave tona te Brigadat e Gjelbërta, nga komuniteti shkencor te biznesi” për të qenë një pjesë thelbësore e kësaj fitoreje.
Ai shtoi se “nuk ka asnjë politikë që do të fitojë, nëse komuniteti nuk lëviz së bashku drejt qëndrueshmërisë”.
Guimarães është një nga tre qytetet në Portugali, që janë pjesë e iniciativës ‘Qytetet mision’ (mission cities) të Komisionit Europian.
Këto 100 qytete synojnë të bëhen neutrale ndaj klimës deri në vitin 2030 – 20 vjet përpara objektivit kombëtar të vendit.
Çmimi Europian i Kryeqytetit të Gjelbër u shpall në vitin 2010 nga Komisioni Europian, me qëllimin për të inkurajuar qytetet, që të bëhen më të gjelbërta dhe më të pastra, duke përmirësuar gjithashtu cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre.