Shkup, 29 prill – Në orën 16 sot në hapësirat e “Alternativës” në Shkup pritet të takohen liderët e Koalicionit VLEN – Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, Zeqiria Ibrahimi i Alternativës dhe deputeti i pavarur nga Vetvendosje, Bekim Qoku, konfirmuan për MIA-n nga Koalicioni.
Në takim pritet të bisedohet për formimin e kryesisë së re të “Vlen”-it i cili duhet të shndërrohet në parti e cila do të përbëhet nga 23 anëtarë.
Siç lajmërojnë disa mediume në gjuhën shqipe, për anëtarë të kryesisë së re të “VLEN”-it nga Lëvizja Demokratike pritet të propozohen Izet Mexhiti, Visar Ganiu, Saranda Imeri Stafai, Merita Kolçi Koxhaxhiku dhe Feride Haxhiu. Nga Besa, për anëtarë do të propozohen Bilall Kasami, Fatmir Limani, Blerim Sejdiu, Melinda Rashidi, Hasim Murtezani, Sedat Sulejmani dhe Fadil Zendeli. Ndërkaq nga ana e Alternativës do të propozohen – Zeqiria Ibrahimi, Amir Elezi, Afan Elezi, Arben Llabënishta, Orhan Murtezani, Safije Sadiki Shahini, Bashkim Murtezi. Edhe deputeti i Vetëvendosjes së kryeministrit kosovar, Albin Kurti, Bekim Qoku do të jetë pjesë e kryesisë dhe ai pritet ta propozojë edhe Jusuf Sopin.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili është lider i njërit krah të Aleancës prë shqiptarët, sot theksoi se tani për tani kanë vendim të sigurt se shkojnë me lista të veta për këshilltarë në zgjedhjet lokale dhe se ky është vendim i partisë.
“Nuk ka kthim prapa. Për gjithçka tjetër, jemi të gatshëm dhe të hapur të bisedojmë me të gjithë lidhur me zgjedhjet lokale”, tha Taravari.
Duke u prëgjigjur në pyetje të gazetarëve, Taravari tha se ka komunikim të rregullt me kryeminsitrin dhe se pasi ai të kthehet nga udhëtimi zyrtar do të bisedojnë.