Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, po qëndron në Japoni për nder të ditës së bombardimeve në Hiroshima, vizitë e cila shënon një moment të veçantë të përkushtimit ndaj paqes dhe kujtimit të viktimave të kësaj tragjedie historike.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, ka ndarë detaje rreth qëndrimit të tij në Japoni, duke e shoqëruar edhe me disa fotografi nga ceremonia dhe takimet e tij.
Ai u shpreh i prekur nga mikpritja dhe mesazhet e paqes që mori gjatë kësaj vizite.
“Paqe, kjo fjalë që kaq shumë kërkohet në Botë”, ka shkruar kryetari i Istogut transmeton Telegrafi.
Gjatë vizitës së tij, Ferati takoi nxënësit e shkollave të Hiroshimës, të cilët ndanë mesazhet e tyre për paqen në botë.
Në ceremoninë e paqes, Ilir Ferati mori pjesë bashkë me kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrovci, për të nderuar kujtimin e mijëra viktimave që humbën jetën në bombardimet atomike të vitit 1945.