Ngjarja më e përfolur e ditëve të fundit është ajo e Malësisë së Madhe, ku ditën e djeshme u gjetën të vdekur dy të rinjtë.
Trupat e pajetë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepajt u gjetën në malin e fshatit Vrith. Ata ishin ekzekutuar me armë zjarri tip kallashnikov.
Ndërkohë Klement Pepaj kishte marrë disa plumba në shpinë. Në kërkim është Daniel Pepaj, autori i dyshuar i kësaj vrasje të dyfishtë.
Dhe për këtë policia ka bërë arrestimin e parë, ku ka vënë në pranga babain e Daniel Pepajt, Rrok Pepaj. Burimt bëjnë të ditur se ai është arrestuar për bashkëpunim në kultivim të lëndëve narkotike.
Ka qenë babai i Danjel Pepaj, Rrok Pepaj, ai që ka treguar vendin se ku ndodhej parcela me kanabis që kultivonte djali i tij. Burimet thanë se ishte drejtori i Policisë Shkodër, Niko Brahimaj, ai që e ka bindur Pepaj për të treguar vendin e parcelave me kanabis. Po ashtu, mësohet se në zonën ku u ekzekutuan dy të rinjtë, ndodhen edhe parcelat me kanabis të dy viktimave, të cilat ishin vjedhur gjatë ditëve të fundit. Për këtë vjedhje, viktima akuzonin Danjel Pepaj se ishte ai personi që i kishte korrur. Përveç parcelave me kanabis që ishin mbjellë nga tre personat e lartpërmendur, dyshohet se janë gjetur edhe dy parcela të tjera me kanabis.