Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni TOP LAJM

Ku janë përgjigjet e Grubit për Mexhitin? Grubi thotë se i ka dorëzuar, Kuvendi dhe Mexhiti thonë të kundërtën

Shkup, 20 janar, Zhurnal.mk – Ka skaduar afati 20 ditor, që zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, të përgjigjet në pyetjet që bashkëpartiaku i tij deputet, Izet Mexhiti, ia parashtroi në seancë kuvendore për pyetje deputetësh. Megjithatë përgjigjet nuk janë askund. TV21 pyeti si kabinetin e Grubit, po ashtu edhe atë të kryeparlamentarit. Përgjigjet që japin, janë të ndryshme.

“Zëvendëskryeministri i parë, z.Artan Grubi i është përgjigjur me shkrim pyetjeve të deputetëve, konkretisht, z. Izet Mexhiti. Përgjigjet i janë nisur Kuvendit brenda afatit ligjor”, thonë nga Kabineti i zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi.

Kërkuam dëshmi se i kanë dorëzuara përgjigjet, por një e tillë nuk na u sigurua. Kjo sepse nga Kuvendi për TV21 thonë se asnjë përgjigje nuk ka arritur nga ana e zëvendëskryeministrit të parë. Nga ana tjetër, edhe deputeti integrist Izet Mexhiti, konfirmon se ende nuk ka marrë përgjigje.

“Ende jo. Unë pyetjet i bëra, tash Artani ose të përgjigjet ose le të tregojë pse nuk përgjigjet”, tha deputeti Izet Mexhiti.

Rregullorja e Kuvendit parashikon që bartësi i funksionit publik nuk ka mundësi të përgjigjet me gojë në seancë për pyetje deputetësh, është i detyruar që në afat prej 20 ditësh përgjigjen ta japë me shkrim.

Afati 20 ditor ka skaduar dje. Mexhiti pyetjet i ka shtruar në seancën e 30 dhjetor 2020. Përgjigjet më së voni, sipas rregullores, dje më 19 janar është dashur të dorëzohen në Kuvend.

Javën e kaluar vetë Grubi duke folur në ClickPlus siguroi se do të përgjigjet me shkrim. Kritikat për punën e tij tha se i merr me dashamirësi, ndonëse shtoi se do të ishte mirë që të njëjtat të bëheshin në organe të partisë.

“E jo në Kuvend?

Po nuk më ka rastisur të ndodhë ndonjëherë një gjë e tillë, së paku unë nuk kam bërë një gjë të tillë sa kam qenë deputet”, theksoi Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë.

Grubi tha po ashtu se në Kuvend gjithnjë ka votuar duke parë se si vepron kryetari i partisë së tij, ose kryeparlamentari Xhaferi, por si duket për deputetin e BDI-së Mexhiti, kjo epokë ka mbaruar.

“Nëse ndokush ka menduar se unë do të rri dhe vetëm do të votoj ligje në mënyrë mekanike atëherë ka gabuar”, potencoi Izet Mexhiti – deputet i BDI-së.

Këto përplasje mes integristësh kanë nisur që nga formimi i Qeverisë së re, atëherë kur Mexhiti hapur fliste për pakënaqësi për emërimet e BDI-së në ekzekutiv. 100 ditë më pas, Mexhiti në Kuvend kërkoi përgjegjësi nga Grubi për premtimet e paralizuara të BDI-së në 100 ditët e parë të qeverisjes, zonën industriale në Vizbeg si dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në ndërmarrjet private. Opozita shqiptare krejt këto i ka cilësuar si teatër i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Postime të ngjashme

QYTETARËT E MAQEDONISË/SHBA, Rusia dhe Kina superfuqitë e dekadës së ardhshme

D J

Lidhja mes krimit dhe elitave politike solli të ashtuquajturën “arratisje” të Mijallkovit

D J

Zgjedhjet lokale më 3, 10 ose 17 tetor

D J

Janë regjistruar 485 shkelje për mosmbajtje të maskës

D J

Disa lagje të Tetovës tashmë tre ditë pa ujë

D J

Zaharieva: Nuk ka forcë para së cilës do të dorëzohemi, BE nuk është Jugosllavi

D J

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...