Shkup, 16, dhjetor – Zhurnal.mk – Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për shumë vite janë ankuar se në vendbanimet me popullësi shqiptare nuk ka pasur gati se asnjë investim kapital nga ana e Qeverive të deritanishme. Ankesat dhe faktet flasin që edhe sot në këto vendbanime nuk investohet si në vendbanimet me popullësi maqedonase, shkruan Zhurnal.
Shpeshherë shqiptarët kanë shprehur indinjatën e tyre në lidhje me karakterin monoetnik të investimeve kapitale dhe diskriminimit ekonomik që u bëhet vendbanimeve shqiptare nga qeverisjet e deritashme.
Sot shqiptarët po i përjetojnë direkt pasojat nga ndikimi e këtij diskriminimi ekonomik ku për dallim nga qytetet shqiptare, në qytetet e Maqedonisë lindore janë orientuar të gjitha ndërmarrjet e huaja për të investuar dhe vepruar. Si rezultat i kësaj politike diskriminuese ekonomike shqiptarët sot po përballen me papunësi rekord, mos pasje e një perspektive në vend si dhe emigracion masiv, me ç’rast në të ardhmen e afërt do të konsistojë edhe me probleme demografike për vendbanimet shqiptare.
Lidhur me këtë Bashkimi Demokratik për Integrim gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në korrik të këtij viti, pati premtuar se do të miraton ndryshimin i ligjit të qeverisë për instalimin e votimit me Badenter për investimet kapitale në 100 ditët e para të Qeverisë, por fatkeqësisht ky zotim në 100 ditëshin e qeverisë nuk u realizua. Ditë më parë krerët e Qeverisë dhanë llogaridhënie për punën e bërë për 100 ditë, ndërsa zv.kryeministri Artan Grubi nuk dha llogari se pse ky premtim nuk është realizuar, premtim ky shumë i rëndësishëm për shqiptarët sepse do ta përmirësonte gjendjen ekonomike të tyre, gjegjësisht do të përmirësohej gjendja rreth investimeve kapitale në vendbanimet shqiptare.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut më së paku kanë nevojë të trajtohen si rast social, atyre u mungon strategjia, projektet, përkrahja financiare serioze për ngritjen dhe zhvillimin ekonomik të tyre, si popull. Andaj Ndryshimi i ligjit të qeverisë për instalimin e votimit me Badenter për investimet kapitale ka qenë detyrim për partinë shqiptare në pushtet BDI, në fakt për këto premtime kjo parti mori votat e shqiptarëve më 15 korrik./Zhurnal.mk