Milani është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Italisë dhe pret të mësojë sot rivalin, pas përballes Inter-Fiorentina. Mund të ketë një derbi, por kjo vendoset në fushën e blertë dhe në kampion kuqezi për momentin fokusin e kanë te kampionati.
Trajneri Stefano Pioli ka folur pas ndeshjes me Torinon, që kuqezinjtë e kaluan pas gjuajtjes së penalltive. “Nuk mund të mos jem i kënaqur me ndeshjen, pasi ishte e katërta në nëntë ditë. Në asnjë moment nuk na ka munguar shpirti i garës dhe intensiteti.
Është për të ardhur keq që nuk e fituam brenda 90 minutave, por gjithsesi treguam cilësi. Nuk është e lehtë t’i kthesh në gola pesë penalltitë”, u shpreh fillimisht trajneri i kuqezinjve në Milan TV, ndërkohë që vijoi diskutimin.
“Ne besojmë në cilësitë tona. Gjithmonë mendojmë pozitivisht gjatë ndeshjeve dhe qëndrojmë të përqendruar. Ndeshjet janë të vështira dhe të komplikuara, ndaj ju duhet ai lloj besimi”, përfundoi Stefano Pioli, i cili po drejton me sukses Milanin prej sezonit të shkuar.