Kuanti

nga D V

Nga: Mimoza Hafizi

Dihet dhe pranohet se shkenca i prin njerëzimit, por rrallëherë ndodh që një teori e vetme shkencore të orientojë thelbësisht perspektivat e zhvillimit botëror. E, megjithatë, kjo ngjau 100 vjet më parë dhe shkenca në fjalë quhet Mekanika e Kuantit ose Mekanika Kuantike. Për këtë arsye, Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 2025-ën si Vitin Ndërkombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë Kuantike. Kuanti u shfaq si objekt dhe lindi si term mes fizikanëve, disa dekada para se të ngrihet teoria e tij. I vogël, krejt mikroskopik, i kudopranishëm, enigmatik, ai tërhoqi shkencëtarët në vorbulla idesh, interpretimesh, eksperimentesh, hipotezash.

Në vitin 1925, një fizikan i ri gjerman, me moshë sa ajo e vetë kuantit, 24-vjeçari Werner Heisenberg, shkroi një artikull me arsyetime krejt të ndryshme nga fizika e asaj kohe. Kjo ngjarje shënoi lindjen e teorisë së kuantit, pra të Mekanikës Kuantike. Përkufizimi i kuantit gjendet në çdo enciklopedi. Por, ai nuk është lehtësisht i kuptueshëm. Në këtë shkrim më duket më interesante t’ju them: hidhni sytë rreth e rrotull, çdo send që shihni është i përbërë nga grimca mikroskopike që shkëmbejnë me porcione, pra me kuante energjie dhe ekzistojnë në formë kuantesh. Kjo formë ekzistence i shpëton sendet nga tjetërsimi dhe asgjësimi. Përndryshe, natyra do të ishte pa ne, pa objektet e qeniet e gjalla që mbushin jetën tonë, pa Tokën ku jetojmë. Nuk do të kishte as Diell i cili ngroh e jep dritë përmes rrezatimit të tij në formë kuantesh, që quhen fotone. Nuk do të kishte as yje e as galaksi.

Ndonëse i vogël, kuanti është i vështirë për t’u kuptuar e shpjeguar. Sisteme shumë të mëdha e të komplikuara mund të shpjegohen më thjesht, si për shembull, sistemi gjigant i komunikimit dhe informimit që ne njerëzit kemi vendosur mes njëri-tjetrit, FacebookInstagram … televizion, radio, telefon … E, megjithatë, ky sistem nuk do të ishte ngritur kurrë nëse disa fizikanë, një shekull më parë, të mos kishin zbuluar kuantin dhe teorinë e tij.

Mbase do të thoni se për dreq ky sistem gjigant ka rritur edhe mashtrues e gënjeshtarë, shantazhues e hileqarë, e në krye ka ndonjë bos që krekoset mbi platformat e tij për ta ndryshuar botën përmes të vërtetave apo gënjeshtrave që i ka marrë në monopol. Por, ky nuk është faji as i kuantit e as i baballarëve të tij që e sollën mes nesh. Me gjithë abuzuesit, ardhja e tij ishte një hap i madh në progresin e njerëzimit. Edhe energjia bërthamore, ky term kaq turbullues e ndërkohë burim i rëndësishëm për ekonominë, mund ta gjejë rrugën për t’u kuptuar. Mund të shpjegohen edhe përpjekjet e disa laboratorëve për të prodhuar energjinë termobërthamore, shumë të pastër për mjedisin dhe me burime të pamata mbi Tokë. Por, asnjëri nga këto procese nuk do të kishte hyrë në jetën tonë nëse fizikanët e shekullit të shkuar të mos zbulonin se si funksionon bota mikroskopike, ku kuanti është zot.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More