Agjencia Zhurnal.mk
Kosovë

Kujtesa kolektive e varur nga rikrijimi i një instituti

Një institut, i cili do t’i hulumtonte, do t’i dokumentonte dhe arkivonte krimet e luftës, sidomos ato që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, do të hapte rrugën e krijimit të kujtesës kolektive, vlerëson, Nora Ahmetaj, hulumtuese e drejtësisë tranzicionale.

Qeveria e Kosovës, më 7 dhjetor, ka mbështetur propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, për krijimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë. Ministri Selimi thotë që pikërisht për ruajtjen e kujtesës kolektive, ky institut duhet të formohet.

Siç është thënë paraprakisht, për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës, do të krijohet një grup punues, anëtarët e të cilit do t’i caktojë ministri i Drejtësisë.

Krijimi i kujtesës kolektive “obligim ndaj gjeneratave të ardhshme”

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Grupi punues do të bëjë përgatitjen e analizës për themelimin e mekanizmit për hulumtimin e krimeve të luftës.

“Mandati i këtij grupi, me theks të veçantë, është që të ofrojë një analizë/studim të argumentuar mbi mundësinë e themelimit të një mekanizmi për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Gjithashtu, të identifikojë praktikat me të mira krahasuese dhe të pasqyrojë elementet dhe specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës”, tha Selimi.

Megjithatë, ministri Selimi nuk e ka specifikuar se sa do të zgjasin procedurat deri te krijim i Institutit.

Nora Ahmetaj, hulumtuese e drejtësisë tranzicionale, thotë për Radion Evropa e Lirë që krijimi i kujtesës kolektive lidhur me ato që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, përmes dokumentimit të krimeve të luftës dhe arkivimi i tyre, është gjithsesi obligim, jo vetëm institucional, por i gjithë shoqërisë.

“Ne e kemi obligim ndaj gjeneratave të ardhshme që ta kemi një data-bazë, me fakte të dokumentuara mirë për të kaluarën. Mirëpo, ai dokumentim duhet të reflektojë të vërtetën, të jetë e hulumtuar mirë dhe të jetë e vlerësuar si e mirëqenë prej institucioneve relevante. Vlerësimin mund ta bëjnë Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, institucionet akademike, të cilat ofrojnë metodologji shkencore se si të bëhet dokumentimi i të kaluarës”, theksoi Ahmeti.

Sipas saj, nisma për, siç e quan ajo, rikrijimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës, sado që të jetë hap i vonshëm, është shumë i domosdoshëm.

Institut me profesionistë

Në rast se realizohet nisma për një Institut për hulumtimin e krimeve të luftës, atëherë ky do të ishte instituti i dytë me radhë me të njëjtin qëllim, e të cilin e themelon Qeveria e Kosovës.

Një grup paraprak punues për formimin e Institutit, ishte krijuar më herët gjatë këtij viti, me nismën e Albulena Haxhiut, ish-ministre e Drejtësisë në qeverinë e atëhershme të Albin Kurtit.

Megjithatë, Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës ka ekzistuar që nga viti 2011 e deri në vitin 2018. Me një vendim të Qeverisë së Kosovës, të drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, ai institut u shua, me arsyetimin që punën e tij do ta vazhojë Departamenti për drejtësi tranzicionale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Por, ai departament nuk është themeluar.

Ish-drejtuesi i Institutit, tashmë të shuar, Ismet Salihu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se është e rëndësishme që qeveria të formojë Institutin për hulumtimin e krimeve të luftës, sepse ai është i domosdoshëm që “para pajtimit, Prishtinën dhe Beogradin t’i ballafaqojë me të vërtetën”.

Salihu, i cili është profesor i të Drejtës Penale, ka theksuar që Institutin për krime të luftës duhet ta përbëjnë shkencëtarë dhe hulumtues, të cilët do të kryejnë punën e tyre në mënyrë të paanshme.

“Duhet të krijohen kushte të mira. Ky është obligim i yni”, u shpreh Salihu.

Postime të ngjashme

Ndëroi jetë Murat Jashari, vëllai i Komandant Kumanovës

T E

Hapen zyrat ndërlidhëse për bashkëpunim Kosovë-Israel

T E

Rritet numri i të infektuarve, 568 raste pozitive dhe katër të vdekur nga coronavirusi për 24 orë

S.B.

Ambasadori anglez pajtohet me Kurtin se dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i përgatitur mirë

S.B.

Albin Kurti: Këta dy deputetë të partive tjera do na bashkohen në qeverinë e re

S.B.

Vizita në Kosovë e PPBE-sё Lajçak: Dialogu do të vazhdojë

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...