Kupchan: Kosova ka të drejtë ta hapë njëanshëm Urën e Ibrit, por për zgjidhje afatgjate duhet përmes Brukselit

nga D V

Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve europiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë se Kosova ka të drejtë të hapë në mënyrë të njëanshme Urën e Ibrit.

Megjithatë, profesori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Georgetown në Washington, thotë se nëse dëshiron që të normalizojë marrdhëniet me Serbinë është mirë që ta zgjidhë këtë çështje në tavolinën e Brukselit.

“Edhe pse Kosova ka të drejtë të ushtrojë sovranitet dhe të hapë në mënyrë të njëanshme urën e lumit Ibër, Prishtina, pasi synon përfundimisht të normalizojë marrëdhëniet me Beogradin, është më mirë të veprojë përmes procesit të dialogut”- tha Kupchan.

Kupchan tha se Kosova dhe Serbia përballen me një mosmarrëveshje të vështirë dhe të gjatë që duhet të shtensionohet.

“Në një mosmarrëveshje të këtij lloji, veprimet e njëanshme priren të tërhiqen dhe të pengojnë përparimin, jo të përmirësojnë situatën”- shtoi Kupchan.

Gjendja në Kosovë është ngarkuar javëve të fundit pas këmbënguljes të autoriteteve kosovare për të hapur Urën e Ibrit që ndan Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Hapja e Urës në këtë momentum po kundërshtohet nga faktori ndërkombëtar. Megjithatë, kritika të tilla nuk i kanë zmbrapsur qëndrimet e krerëve të shtetit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vlerësimet e sigurisë së bashku me aleatët e saj, nuk janë të jashtëzakonshme, por pothuajse identike si shumicën dërrmuese dhe se SHBA asnjëherë nuk ka kërkuar që mos të hapet Ura e Ibrit.

“Ajo urë nuk është dashtë me u mbyllë kurrë. Ajo urë është mbyllë për arsye krejtësisht politike. Ura që patjetër duhet të hapet, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet, të mbetet e hapur. E jo që kur hapet e nxit një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të”- tha Osmani në një konferencë për media më 15.08.2024.

Sipas saj, është krejtësisht normale të bëhen vlerësime, jo vetëm për Kosovën, por për çdo vend të botës ku ShBA ose NATO ka rol në mirëmbajtjen e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, tha Presidenca në disa përgjigje  më 15.08.2024.

Edhe SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, se a duhet të zgjidhet statusi i Urës së Ibrit përmes dialogut Kosovë- Serbi, Osmani tha nuk ka asnjë arsye dhe e kundërshton në çdo mënyrë një gjë të tillë.

“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë … Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë që është brenda territorit të Kosovës”- tha Osmani, duke i quajtuar raciste deklarimet e zëdhënësit të BE-së Peter Stanon, cili kishte thënë se planifikojnë që në takimin e  ardhshëm Kosovë-Serbi të vihet në agjendë zgjidhja e statusit të Urës së Ibrit.

Sipas saj, dialog për këtë temë me Serbinë nuk do duhej të pranonte askush. Do të ishte anti-kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës.

“Por, dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo që është e nevojshme dhe domosdoshme por është në interesin tonë mbi të gjitha”- shtoi ajo.

Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, në një bisedë me KALLXO më 24.07.2024  kishte thënë se nuk sheh ndonjë arsye që hapja e urës të mos diskutohet në dialog, nëse Prishtina apo Beogradi duan ta bëjnë këtë.

“Por, [ura] është në territorin e Kosovës, ku vendimet i merr qeveria e saj e zgjedhur në mënyrë demokratike. Nuk e imagjinoj se Beogradi do ta lejonte Prishtinën të vendoste për hapjen e një ure në Serbi”- shprehet Serwer.

Sipas tij, hapja eventuale e urës, do të jetë e mirë për tregtinë, ekonominë dhe bashkëpunimin dhe se njerëzit më afër urës dhe përgjegjësit për sigurinë publike duhet ta bëjnë thirrjen për hapjen e urës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.

Kurti më 13.08.2024, tha se me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash kanë diskutuar që të hapet Ura e Ibrit, pasiqë “ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”- tha Kurti.

“Qeveria e Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet”- shtoi ai.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Për sa kohë që po ndodhin këto zhvillime, mbi Urën e Ibrit janë duke u kryer punime si lyerje e punë jo të vrazhda.

Raporti për stabilitetin e urës nëse është e gatshme për qarkullim të automjeteve ka vënë në pah se kjo urë në aspektin teknik është e gatshme për shfrytëzim pa asnjë kufizim.

Aty shkruan se Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.

Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.

Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikadat si kundërshtim ndaj autoriteteve të Kosovës. Ndërsa dy vite më pas, më 2013, më saktësisht duke u bazuar në ligje të Kosovës, u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe me pemë.

Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi që u largua në vitin 2015, raporton Kallxo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More