Agjencia Zhurnal.mk
Dossier Kulturë

Kur Faik Konica ka zbuluar gjuhëtarin e madh

Mjeshtër i fjalës dhe kritikës letrare, Konica kishte rënë në gjurmët e djaloshit të ri, asokohe student: Eqrem Çabej. Teksa me ironinë e hollë mbi vargjet e stilin, mjeshtri shpjegon poezinë në gjithë kompleksitetin e madhështisë dhe delikatesës brenda saj – paksa i kursyer, shqiptari i kulluar e me kulturë perëndimore, parandjen intuitën gjuhësore në një ndër të parat poezi, të Çabejt…/Konica.al

Ai shkruan:

VJERSHAT

Një nga gjërat për t’ardhur çudi dhe keq në Shqipëri të sotme, është numër i math i njerëzve që shkojnë kohën duke shkruar vjersha të gjata, pa frymë dhe pa shie. Është vërtet se s’i bëjnë njeriu dëm; po munt t’a përdorjin kohën e tyre më mirë. Për një Gjergj Fishtë dhe për një Andon Chako, që dinë ç’është forma, ç’është ritmi, sa qindëra të terë që nxijnë kartë më kot! Mbaj mënt në kohë të luftës, në Vjenë, një Sulo Be’ Resuli më pruri një vjershë nj’a tetë-qint radhësh ku vajtonte tërmetin e Shkodrës. M’u lut t’a këndoj dhe t’a ndreq. E mbajta një javë: dhe duke shkurtuar këtu, duke shuar atje, duke prerë e duke arnuar, e përmblodha vjershën në nj’a gjashtë dhjet radhë vetëm.

Kisha bërë fjalë me vjershëtorin t’piqeshim n’odën t’ime një ditë të shënuar. Dr. Omeri dhe Milto Gurra, të cilët kishin vazhduar gjithë ndryshimet, kur panë fytyrën e re të vjershës, qeshnë dhe thanë se auktori nuk do t’a njihte si të tijnë. Dëshërojin të ndodheshin në atë kohë që të shikojin si do t’a gëlltitë hapin vjershëtori. Po pijm çaj që të tre, “kur namëta”! u-hap dera dhe hyri Sulo Be’ Resuli. Pas komplimentave të zakonëshme, pyeti për vjershën, dhe unë i dhashë “veprën” e tij dhe shkurtimin që kisha bërë nga ajo. E këndoj me habi, u-verdh, u-skuq, kërkoj shpjegime – “shikoni këtu” i thashë: “një fjalë në shkurtimin t’im që nuk ish në vjershën t’uaj; nuk shtova gjësendi, vetëm hoqa ca radhë, u ndrrova vëndin ca të tjerave.

Me një fjalë e shoshita vjershën, bëra atë punë të mërzitur po të nevojshme të shoshitjes që e bën çdo vjershëtor i mirë po që juve nuk ju pëlqeu t’a bëni”.

– “S’di, munt të jetë më mirë kështu”, tha Sulo Beu; “po unë nuk i vë dot fre enthuasiasmës: kur mar zjarr, më dalin vjershat posi tym, shkëndija dhe flagë, dhe s’e kam në dorë të qëndroi, t’i zgjedh e t’i gdhënt fjalët”. – “Kuptoj” i thashë; “ju zënë ethet poetike, ju ndizet gjaku, dhe nuk munt të ftoheni para se të mbushni disa fletë kartë me vjersha”. – “Tamam ashtu” tha Sulo Beu. – “Mirë” i thashë unë “po ca ditë pasi i keni shkruar, pse mos i mirrni një nga një radhët. Këtë e bën çdo vjershëtor. Dini frengjishten dhe munt të marrim për shëmbëll La Fontaine-n, sa të lehta, sa natyrale duken vjershat e tij! Rrjedhin si nonjë vijë uji në mes të lëndinave. Duket sikur vjershëtori i ka shkrojtur pa pengim e pa mundim. Po në vafshim në bibliotekën e Parisit ku ruhen dorëshkrimet e La Fontaine-it, do t’i gjejmë të mbushura me të shuara, me shtime, me ndreqje nga dora e vjershëtorit dhe do të kuptojmë se ato vjersha që na pëlqejnë më tepër për gjuhën e ëmblë të tyre, e kanë vënë vjershëtorin në shumë punë”. Vjershat, që të quhen me të vërtetë, vjersha, duhet të përmbajnë nonjë mendim të bukur, nonjë ndienjë të thellë ose të hollë, – dhe ky mendim, kjo ndjenjë duhet të çfaqet në një formë të mbaruar.  Më zuri njëditëzaj syri një vjershë gjermane me titullin “Das Herz” -“Zëmëra”:

Zwei Kammern hath das Herz,
Drin wohen
Die Freud end der Schmerz.
Wacht Freude in der einen,
So schlummert
Der Schmerz still in der seinen.
O Freude, habe Acht!
Sprich leise,
Das nicht der Schmerz erwacht.

Zëmëra ka dy të ndara.
Atje rinë
Gëzimi dhe Dhëmbja.
Kur gëzimi ri zgjuar në njerën,
Ahere dremit
Dhëmbja e qetë në tjatrën.
O Gëzim, ki mëndjen!
Fol ngadalë;
Se mos zgjohet Dhëmbja!

Herman Neumann

Ja një vjershë e vërtetë; dhe ndonëse përkthimi do t’a dobtojë shumë, prap bukurija e saj nukë çduket fare. Nër Shqiptarët nukë gjenden vjersha me frymë t’atillë. Mue vjershat shqip që më duken më të mbaruara, flas për të rinjtë, janë vjershat satirike, si ato të Ramiz Harxhit që u-kthyen në Shqipëri, të Merko Koronit që rron n’Amerikë, e të disa të tjerëve. Ato vjeresha kanë një kripë, një shie të veçantë, se janë thjesht kombëtare duke patur rrënjë të vjetëra në Shqipëri.

Nga student shqipëtarë jashtë, dua të thom nga ata që kuptojnë mirë vjershëtorët e gjuhëve të huaja, munt të presim me kohë lulzimin e nonjë vjershëzie me frymë të ndryshme. Një student n’ Universitet të Graz-it, n’ Austri, më dërgoj ca kohë më parë vjershën që vazhdon:

MELANKOLISË

Kur unj kryet mi tryezë,
Del ngadal nga det’ i zëmrës;
Madhështore
Mbretëreshë, në të zezë,
Sy prej sfinxi, shpirt-lëngore,
O Melankoli!-
E me buzët të përhirë,
E të ngurëtën fytyrë
Ç’thua? Ç’thua?…
Ah, dhe mua
Ngjeth Drithdire:
Sapo mezi vien gëzimi.
E ndiek ti si hij e tij,
Aq’e qetë,
Aq’ e shkretë,
O Melankoli!

Eqerem Çabej

Kjo vjershë ka disa njolla; po çfaq një dëshirë dhe një kërkim për rithmë të ri që është për të lëvduar.

Faik Konica (Marrë nga gazeta “Dielli” e Bostonit, viti 1926)

Postime të ngjashme

Ndahet nga jeta kompozitori i njohur Agim Krajka

S.B.

“Berlinale 2021” në modusin e pandemisë

S.B.

Gani Mehmetaj fiton çmimin ‘Kadare’ për vitin 2020

S.B.

Ndahen “Golden Globes”, ja filmat që triumfuan këtë vit

S.B.

“Ua dedikojmë këtë film shqiptarëve, një prej kombeve më mikpritës”

S.B.

366 filma në garë për “Oscar”

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...