Prishtinë, 22 korrik – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, sot, më 22.07.2024.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti, në një bisedë miqësore e ka falënderuar Szunyogun për bashkëpunimin e mirë dhe për kontributin e tij përgjatë mandatit në diskutimet e brendshme dhe ato publike.
“Kryeministri veçoi dorëzimin në vitin 2022 të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizmin e vizave në vitin 2024, nivelin e lartë të përmbushjes së Agjendës e Reformave Evropiane (ERA 2) dhe vlerësimet pozitive në raportin e vendit për vitin 2022, si disa prej arritjeve të Kosovës në fushën e integrimit europian, lëvizjes së lirë dhe reformave evropiane që janë shënuar gjatë mandatit të ambasadorit Szunyog”- thuhet në komunikatën për media.