Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur urimet e tij për zgjedhjen e kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joani Pelushi, pas ndarjes nga jeta të kryepeshkopit të mëparshëm, Anastasit.
Kurti ka theksuar se është një moment i veçantë për besimtarët ortodoksë shqiptarë, duke përgëzuar zgjedhjen e Joanit, i cili ka shërbyer për 27 vjet si mitropolit i Korçës.
“Gëzohemi bashkë me besimtarët ortodoksë shqiptarë për zgjedhjen e Joanit, kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas kryepeshkopit tashmë të ndjerë Anastasit (Janullatos). Fortlumturia e Tij, Joani (Pelushi) ka qenë mitropolit i Korçës për 27 vjet, një teolog e intelektual, me kontribute jo vetëm klerikale, por edhe në jetën qytetare shqiptare”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Kurti e ka cilësuar Joanin si një teolog të shkëlqyer dhe intelektual, i cili ka dhënë kontribute të mëdha jo vetëm në fushën klerikale, por edhe në jetën qytetare shqiptare.
Ai ka theksuar se shpreson që kryepeshkopi i ri të ketë sukses në detyrat e tij, duke mbështetur përparimin e drejtësisë, paqes mes kombeve dhe bashkëpunimin ndërfetar.
“Dëshirojmë që ai të ketë sukses në detyrat e reja, në mbrothësimin e kishës, përparimin e drejtësisë e të paqes mes kombeve dhe bashkëpunimit mes feve”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri i ka dëshiruar Kryepeshkopit Joani punë të mbarë në këtë pozitë të rëndësishme, si për ortodoksët shqiptarë, ashtu edhe për mbarë shoqërinë dhe kombin shqiptar.
