Shkup, 17 korrik – Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka njoftuar se lideri i partisë, Ali Ahmeti do të angazhojë ekip ndërkombëtar me në krye Paul Williams, për, siç shkruan Ademi, gjetjen e zgjidhjes për “mosrespektimin e vullnetit të votuesve”.
“Kryetari Ahmeti paralajmëroi një sërë aktivitetesh për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe legjitimitetit etnik që buron nga fryma e МO-së, për rrjedhojë, ai ka angazhuar një ekip ndërkombëtar ekspertësh të udhëhequr nga Paul Williams, autor i tekstit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001”, ka shkruar Ademi.
A mundet angazhimi i profesorit dhe ekspertit amerikan, Paul Williams të ndihmojë në rikthimin e shpejtë të BDI-së në pushtet? Përgjigja është jo. Ai dhe ekipi i tij me siguri do të sjellin konkluza që shkojnë në favor të qëndrimeve të BDI-së dhe pretendimeve se ata duhet të jenë “përfaqësues legjitimë” të shqiptarëve dhe komuniteteve në Qeveri, mirëpo konkluzat e tyre nuk do të jenë obligative.
“Lojë” serioze virtuale!
“Loja” gjithsesi është paramenduar mirë. Duke angazhuar një ekspert amerikan i inkuadruar në përgatitjen e Marrëveshjes së Ohrit, BDI i jep një seriozitet vendimit për angazhimin e profesorit Williams dhe krijon njëfarë analogjie me kohërat serioze të vitit 2001, shkruan Zhurnal. Krijimi i një atmosfere të tillë, sado virtuale, është më se e nevojshme për këtë parti, në kohën kur shumë prej “20 mijë ushtarëve të BDI-së” bashkë me mijëra tjerë nga “përbërja rezervë” e kësaj partie, po presin në kolona para dyerve të partive të pozitës (VLEN-it), deri sa kanë vërshuar me “like” e me “zemra” profilet e ministrave dhe drejtorëve të rinj nëpër rrjetet sociale.
Qëllimi i BDI-së është si duket që të mbajë një atmosferë të tillë, të stilit “edhe pak do të ktheheminë qeveri”, deri në zgjedhjet lokale, ku kjo parti për herë të parë pas shumë vitesh do të garojë si parti opozitare, pa pasur nën kontroll “kapacitetet demokratike” të pushtetit qendror, e as ato të pushtetit lokal në disa komuna të mëdha si Tetova, Gostivari, Çairi,..
Por dëshpërimi mund të vijë pas 6 muajve, kur do të bëhet e qartë se konkluzat e profesorit Williams, sado bukur të formuluara, do të jenë vetëm këshilldhënëse, e jo me fuqi ekzekutive dhe se ato konkluza nuk mund ta kthejnë partinë e Ahmetit në pushtet.
Këtë e dinë edhe në BDI dhe me ose pa dashje e ka paralajmëruar edhe vetë ish deputeti Ademi, duke paralajmëruar se profesori Williams dhe ekipi i tij “është duke punuar në disa ide të propozuara për të pamundësuar mosrespektimin e vullnetit të votuesve në të ardhmen dhe shkeljen e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se esenca e Marrëveshjes së Ohrit është të parandalojë sundimin e shumicës (majorizimin) mbi komunitetin e dytë më të madh ne vend, duke promovuar kështu një demokraci të vërtetë multietnike dhe konsensuale”. Njëfarë mënyre pandehet se BDI është pajtuar se do të jetë opozitë në katër vitet e ardhshme, kurse mbrojtje nga “majorizimi” kërkon “në të ardhmen”. Sa do të ketë nevojë për mbrojtje nga majorizimi një parti me përvojë 22 vjeçare në pushtet pas katër viteve në opozitë (me gjasa reale për të humbur zgjedhjet e ardhshme lokale), është një dilemë mjaft e madhe!
Williams është ekspert për marrëveshje pas konflikteve, në Maqedoni nuk ka konflikt!
Paul R. Williams është profesor në Universitetin Amerikan, ku ai jep mësim në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar dhe Kolegjin e Drejtësisë në Uashington. Ai është president dhe bashkëthemelues i Grupit për Ligjin dhe Politikën Ndërkombëtare Publike (PILPG), një Organizatë Joqeveritare (OJQ) e cila ofron ndihmë falas për vendet dhe qeveritë e përfshira në negociatat e paqes, hartimin e kushtetutave pas konfliktit dhe ndjekjen penale të kriminelëve të luftës dhe ishte konsulent në Institutin Boshnjak me qendër në Londër për vite me radhë.
Williams ka ndihmuar një duzinë shtetesh dhe palësh në negociatat e mëdha ndërkombëtare të paqes, hartimin e legjislacionit dhe planifikimin e politikave, dhe ndërtimin e kushtetutës pas konfliktit përmes punës së tij si president dhe bashkëthemelues i Grupit Publik për Ligjin dhe Politikën Ndërkombëtare. Williams konsiderohet si një sipërmarrës social për qasjen e tij praktike dhe inovative për të ofruar ndihmë pro bono për klientët.
Ai ka shërbyer si pjesë e delegacioneve në negociatat për Marrëveshjen e Dejtonit (Bosnjë-Hercegovinë), Marrëveshjen e Rambujesë dhe negociatat e Parisit (Kosovë), negociatat e Marrëveshjes së Ohrit (Maqedoni) dhe negociatat e Podgoricës/Beogradit për Serbinë dhe Malin e Zi. Ai gjithashtu ka këshilluar palët në negociatat e Key West për Nagorno-Karabakun, negociatat e Oslos dhe Gjenevës për Luftën Civile të Sri Lankës, negociatat e konfliktit Gjeorgjio-Abkazi dhe bisedimet e paqes në Somali.
Siç edhe vërehet, me përjashtim të negociatave Serbi/Mali i Zi, Williams në të gjitha rastet ka qenë pjesë e delegacioneve që kanë ndërmjetësuar në arritjen e marrëveshjeve pas luftërave dhe konflikteve. Në Maqedoni konflikti ka përfunduar në vitin 2001 dhe vështirë se dikush do të pranonte t’i bashkangjitet një konflikti të ri, shkruan Zhurnal.
Ndryshe Williams ka këshilluar qeveri dhe palë në Afrikë, Azi dhe Evropë, duke përfshirë Afganistanin, Bosnjën, Irakun, Kosovën, Malin e Zi dhe Nagorno-Karabakun si dhe Presidentin e Maqedonisë, Presidentin e Estonisë, Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi d. Ministri i Timorit Lindor. Temat e këshilluara përfshijnë hartimin dhe zbatimin e kushtetutave të pasluftës, çështjet e njohjes së shtetit, vetëvendosjes dhe trashëgimisë së shtetit, si dhe demarkacionet dhe negociatat e detit të kufirit. Williams ka dëshmuar para Kongresit të SHBA dhe ka dhënë komente ekspertësh në Dhomën e Komunave Britanike mbi negociatat e paqes.
Para punës së tij me PILPG, Williams ishte përfaqësues për Zyrën e Këshilltarit Ligjor në takimin e 45-të të Komisionit Ndërkombëtar të Gjuetisë së Balenave. Williams doktoroi në Universitetin e Kembrixhit, ku ai ishte një studiues i kërkimit Fulbright. Në vitin 2010, atij iu dha titulli Dijetari/Mësuesi i Vitit i Shkollës së Universitetit Amerikan të Shërbimit Ndërkombëtar, nderimi më i lartë i kësaj Shkolle./Zhurnal